Kunati ishte i surprizuar nga festa e PD këtë përvjetor.
Duke qenë se ishte festa e parë pa armiqtë e brendshëm në PD, ai ndjehej i lirshëm dhe si në shtëpinë vet.
Ja si e përshkruan ai festën:
“Edhe pse agjencia ime kishte organizuar gjithë eventin, zgjodha të shkoj bashkë me të ftuarit e tjerë në këtë festë.
Kisha një emocion të veçantë, pasi për herë të pare nuk kisha bezdinë e atyre veteranëve që na mërzisin çdo dhjetor, duke na kujtuar se ishin themelues.
Sa hyra tek dera, i pari që më priti ishte Kaç Islami.
-Gëzuar festën, më tha.
-Gëzuar, ja ktheva.
Sytë e tij shkëlqenin nga lumturia.
Hodha sytë përreth.
Ishin të gjitha fytyra të reja, por të njohura për mua.
-U bënë 27 vite, tha Kaçi me një psherëtimë të lehtë, që fliste për nostalgjinë e asaj kohe.
-Po, i thashë. Ikën vitet pa kuptuar.
-Ka qenë kohë e artë, tha. Nuk do ta harroj kurrë atë kohë.
-Po, më kanë thënë, i thashë.
-Mezi prisnim të themelohej PD. Shoku Ramiz sa herë i shkoja në shtëpi, më thoshte se do vijë dhe dita jote, se nuk ju mbaj dot të gjithëve në këtë parti.
E kisha mik të mirë, se kisha dhëndrin shok dhe isha student i gruas tij.
-Ou, se kam ditë, i thashë.
-Po, po. Ishte burrë shumë i mirë dhe largpamës.
Më tha, “Kastriot, kohët po ndryshojnë, bëhu ministër Arsimi, se këta studentët siç e kanë nisur, nuk kanë për të pushuar. Pastaj pas zgjedhjeve të bëj kryetar parlamenti”.
E pranova për sakrificë.
U lashë studentëve të kuptojnë se mund të bëjnë ç’të duan.
Ata pastaj vazhduan me trazira derisa në shkurt rrëzuan monumentin e Enver Hoxhës.
Fluturova nga gëzimi.
U thashë “tani e keni hallall disa muaj pushim dhe ua mbylla Universitetin.
E meritoni të bënin pushim. Diplomën e keni nga mua”.
-Po po, e mbaj mend, i thashë. Biles të mora inat atëhere, se isha në shkollë të mesme dhe shkollat nuk i mbylle.
Ndërkohë, u afrua babi im.
Hyri dhe ai në bisedë. Solli dhe ai kujtimet e tij nga dhjetori i ’90-s, dhe dyshimet që kishte, se mos kjo ishte parti e ballistëve dhe armiqëve të kombit.
Pastaj se si komandanti i Divizionit u kishte thënë “mos u shqetësoni, se kemi djemtë tanë dhe atje”.
Situata u bë shumë e ngrohtë.
U afrua dhe Enveri, një burrë tjetër nga fshati jonë.
Filloi të tregonte dhe ai.
-Kam qenë drejtor i Arkivës së Sigurimit të Shtetit, tha.
Kur u themelua PD ishte dita më e lumtur për mua.
Nuk dija çfarë të jepja për PD-në, se një djalë kisha.
I thashë djalit tani mos u nxito, por pas 20 vjetësh hyr në PD, se partia jonë do jetë.
Më dha fjalën dhe e mbajti.
Tani është i dhënë me mish e shpirt pas PD-së, por do që të heqë qafe këtë Sorosin, se thonë që dhe ky ka rrënjë në PD.
-Eh, psherëtiva. Na doli tradhtar dhe ai. Mua dhe Lulit na ka pas ndihmu me një bursë për shkollë atëhere, se gjoja ishte kundër PD, por më vonë zbuluam se kishte dhe këtu njerëzit e tij.
Biseda po bëhej shumë interesante, kur u shfaq Spirua.
-Po kujtojmë dhjetorin e ’90-s, i thashë.
-Eh, mezi e kam prit atë ditë, tha Spiro.
Sa u hap kufiri ika në Greqi tek njerëzit e mi.
Më thane ka ardh dita të luftojmë për atdheun tonë.
Formuam “Omonia”, pastaj PBDNJ dhe më në fund vetëm më 2005 arrita të futem në PD.
Kishte shumë pengesa, por ja dolëm.
Dhe këta socialistët nuk ma fallen, më futën në burg.
-Rëndësi ka që partinë e kemi të pastër tani, u thashë.
Ja, hidhni sytë përreth.
Nuk ka asnjë nga ata plehrat që na pengonin ta kishim partinë tonë.
-Unë mbi të gjitha jam i gëzuar që këtë parti nuk e mori Edi Rama, po Sali Berisha, tha Kaçi.
Mendo ça tragjedie do ishte që unë kur të vija këtu pas 25 vitesh, të gjeja prapë Edi Ramën.
Ngritëm një shëndet për PD-në dhe vazhduam festën.
Një ditë e paharruar”.
Shumë bukur; ironi e hollë dhe e këndshme.