Kunati shkruan kujtimet për 8 Dhjetorin!

8 Dhjetor 2017, 19:15Antena TEMA

Meqë më 8 Dhjetor botojnë të gjithë kujtime, dhe Kunati vendosi sivjet të postojë një faqe nga kujtimet e tij më 9 Dhjetor të 1990.

“Mëngjesi i 9 dhjetorit u gdhi me shi. Ishte e diel dhe e kishim pushim. Babi kishte dalë të merrte ushqimet tek dyqani i lagjes dhe u kthye i xhindosur.

-Çfarë ke,- e pyeti mamaja?

-Janë ngritur ca plehra , -tha. Duan të përmbysin Enver Hoxhën. Ca studentë nga këta që nuk duan të venë në shkollë.

-Qyqja, çfarë thua,- këlthiti nëna.

Unë e dëgjoja i futur ende në krevat dhe nuk po flisja.

-Shqyr që i kemi fëmijët në rregull vetë,- vazhdoi mamaja.

-Në rregull në rregull, po i prishin shokët,- tha babai.

-Jo deri tani shyqyr janë mirë,- tha nëna. Dhe vajza që ka një shok, ai është njeri i partisë. E kanë futur kamarier në Rinas, se është familje e besuar. E kanë fut në punë me rekomandim të Sulo Gradecit. Janë njerëz të mirë me partinë.

-Ashtu qoftë,- tha babi dhe nxori një psherëtimë të thellë nga kraharori.

-Kohë të këqija,- tha pastaj. Partia u hapi sytë, i mori nga fshati, i çoi në shkollë, i mban me të ngrënë e me të pirë, ata ngrihen e thonë: “E duam Shqipërinë si Evropa”.

-Po çështë kjo Evropa njëherë, se se mora vesh,- tha mamaja. Këta duan të bëhen kapitalista, të pinë drogë dhe koka kola?

-U tregon partia qejfin mos ki merak,- tha babai.

Unë nuk u ndjeva. Motra kishte dal që në mëngjes të takonte të dashurin e saj, se e kishte pushim sot dhe nuk kishte ikur në Rinas. Bëra sikur nuk kisha dëgjuar gjë, dhe hyra në guzhinë.

-Ku do shkosh,- më pyeti babai?

-Këtu i thashë. Nuk dal se qenka ftohtë.

-Mos dil të keqen se shoqëri e keqe të prish,- tha babai. Po vijnë kohëra të vështira. ..

Nuk e harroj kurrë atë. Babi im është një farë profeti. Nëna po ashtu. Pas 27 vitesh Shqipëria është përmbytur nga droga, dhe Koka Kola, siç kishin frikë ata, por ne do vazhdojmë luftën tonë. Luli nuk është më kamarier në Rinas, por në PD, unë kam përfunduar kapitalist, por shqetëismi i babit tim atë ditë dhjetori mbetet aktual.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje