Kunati shpjegon pse në festën e PD nuk kishte asnjë themelues

11 Dhjetor 2017, 20:17Antena TEMA

Pas festës së sotme të Partisë Demokratike, që pas 27 vjetësh theu rekordin se nuk kishte në sallë asnjë themelues, Kunati bëri një shpjegim pse kishte ndodhur kjo, dhe sa mirë i bën të ardhmes së Partisë Demokratike:

“Të nderuar demokratë!

E di që shumë prej jush u bëri përshtypje, se si sot në përkujtimin e 27 vjetorit të PD, nuk kishte më asnjë themelues apo drejtues të vjetër të PD.

Gojët e liga duan të fajësojnë Lulin se ai i ka zbuar nga PD, por nuk kuptojnë të mirat nga ky akt.

Kjo nuk është e vërtetë.

Ajo që ne donim të bënim sot dhe të befasonim mbështetësit e PD, ishte që të bënim një mbledhje medituese për etërit tanë themelues.

Kjo do t’i përngjante një seance spirituale, ku ne në heshtje do fillonim të mendonim për ta, për veprën e tyre, për atë çfarë kanë bërë për PD dhe Shqipërinë.

Vetëm duke i pasur larg, disa të vdekur, disa të vrarë dhe të tjerët të larguar, ne mund të krijojmë një idolatri për ta.

Nëse ata do t’i kemi afër, nëse ata do rrijnë në një sallë me ne, nëse ne do t’i prekim nga krahu, do zihemi kush të marrë qofte tek festa e PD, apo kush të pijë dy gota vere, atëhere ata do të çmitizohen, do të duken të rëndomtë dhe do humbasin vlerën që kanë si etër themelues të PD.

Është kjo arsyeja që ne sot u përpoqëm të bënim një festë pa themelues.

27 vjet më pas, i bie radha brezit të ri të PD të festojë pa themeluesit, dhe për të rritur respektin për ta, është më mirë mos t’i njohësh.

Unë jam i sigurtë se brezi i ri po ta kishte njohur Azemin nga afër, nuk do kishte kaq respekt sa ka sot.

Po kështu, dhe Pashkon, Imamin, Mustafajn etj.

Ndaj ne vendosëm t’i mbajmë larg dhe të përpiqemi të krijojmë portretin e tyre legjendar në mendjet tona.

Vetëm kështu ne do hedhim themelet e një kujtese të fortë në PD, duke i respektuar themeluesit e ikur dhe duke sjellë në PD një brez të ri që duhet të respektojë veprën e tyre, por jo ata konkretisht.

Ndryshe bie miti i tyre prej heroi.

Është kjo arsyeja që ne sot ata nuk i kishim mes nesh.

Mendoj se sot ka qenë e vetmja festë e PD, që njerëzit kanë menduar më shumë për themeluesit se çdo herë tjetër, pasi njeriu mendon gjithnjë për atë që i mungon.

Ndaj dhe fjalimi i Lulit kishte vënë theksin tek themeluesit e vdekur, ashtu siç thuhet në një këngë të moçme të Jugut:

Lule kur shkon nëpër varre,

të vdekurit seç i ngjalle,

të gjallët i vdiqe fare…”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje