Fevzo shpjegon këndvështrimin e shërbimeve sekrete për Jeruzalemin

23 Dhjetor 2017, 19:42Antena TEMA

Edhe pse debati për Jeruzalemin ka arritur kulmin, ka rënë në sy fakti që Fevzo nuk është prononcuar ende, pasi nuk ka përfunduar konsultimet me shërbimet e huaja.

Sot ai më në fund ka mbaruar dhe ka bërë të ditur qëndrimin e tij për Jeruzalemin.

Sipas Fevzos, ka tre opsione.

Shërbimet sekrete perëndimore, përveç CIA, i kanë thënë që Edi Rama ka bërë mirë.

Fevzos nuk i ka pëlqyer kjo, por ata kanë qenë të prerë në këtë pikë.

Disa shërbime sekrete të tjera i kanë thënë se mund të abstenonte.

Këtu Fevzo kishte qenë dakord.

Kurse CIA i ka thënë që Rama ka bërë gabim duhet të votonte pro, por ishin në telashe me dashurinë e Doktorit për Jeruzalemin.

Nisur nga këto informata, Fevzo u kishte shpjeguar atyre opinionet e palës shqiptare.

CIA i kishte kërkuar shpjegim pse Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin prekur kaq shumë nga vota kundër dhe i kishte kapur ata në befasi.

Biles ishin shumë të mërzitur se presidenti Trump kishte urdhëruar shkarkimin e një shefi të zyrës operative të CIA, i cili në portretin që i pat bërë për Berishën, e vizatonte si anti-amerikan, të lidhur me celula myslimane, nacionalist zjarrvënës, autoritar, kundërshtar i reformës në drejtësi, i korruptuar etj.

Trump qenka nxehur e i ka thënë “ku i pakseni pasur sytë në ballë që nuk e keni kuptuar që është pro amerikan”.

Dhe e kishte shkarkuar.

Të njëjtën gjë i kishte bërtitur dhe për Ilir Metën.

Atëhere Fevzo i kishte dhënë shpjegimin e vet.

Sipas tij, gjyshi i Doktorit dhe stërgjyshi i Metës paskan qenë nizam në Jeruzalem, në kohë të Tuqisë.

Këtë e dinte pasi i paska dërguar aty një nga tetë gjyshët e Fevzos që merrej me mbledhjen e djemve nizam.

Aty ata paskan dezertuar nga lufta dhe qenkan bërë me hebrenjtë.

Hebrenjtë pastaj i paskan mbajtë fshehur, i kanë transportuar për 8 muaj rrugë me kalë dhe i kanë sjellë në shtëpitë e tyre në Tropojë dhe Skrapar.

Dhe qysh atëhere ka ngel brez pas brezi kjo nostalgjia prej nizami për Jeruzalemin, e cila shprehet dhe në një këngë popullore të Skraparit:

O ju nizamët me pallë

E latë Stambollin pa fjalë

Me armikun u bëtë palë.

Se ka lindur nëna djalë.

Kjo ka qenë për stërgjyshin e Metës.

Për gjyshin e Doktorit këndohet:

O ka ra pushka mes nizamit,

Një Berishë ka lujt prej venit

Ka lujt venit, s’është kërkund

S’dimë a ka vdek, a ka humb

Kjo tregon lidhjet e tyre të vjetra me këtë histori.

Kurse lidhur me votën e Ramës, Fevzo e kishte shpjeguar me faktin se Rama e ka bërë këtë nga inati me emisionin “Opinion”, që ka zbuluar se prokuroren e përkohshme se ka vendosur ai, po SHBA.

Atij i ka ardh shumë inat dhe ka votuar kundër SHBA.

Si përfundim, sipas Fevzos, kjo histori do të ketë pasojat e saj.

Edi Rama ka shumë mundësi të prishet me Trumpin për këtë çështje, por ambasadorja Niki Halley, e cila e ka vjehrrin shqiptar, mund ta zbusë situatën dhe mund të mbetet situatë neutrale.

Por nuk përjashton mundësinë që edhe të mos ketë pasoja.

Të shikojmë çdo ndodhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje