Kunati shpall objektivat e opozitës: Viti i zhbërjes së votës në OKB

27 Dhjetor 2017, 20:34Antena TEMA

Kunati ka shpallur sot objektivat e vitit që vjen për opozitën.

Sipas tij, meqë ky vit nuk është vit elektoral, opozita shqiptare do luftojë të zhbëjë votën e qeverisë në OKB.

Për këtë, ai ka organizuar një plan të detajuar.

Plani parashikon që PD të bllokojë parlamentin dhe ndërtesën e qeverisë, derisa qeveria të tërhiqet nga vota në OKB kundër SHBA.

Çadra do të ngrihet para Kryeministrisë dhe para Kuvendit, dhe Salianji, që është ngarkuar me organizimin, nuk do t’i ndalë më njerëzit të futen brenda në sallë.

Tritan Shehu do të udhëheqë turmat drejt Kryeministrisë, dhe do të djegë dosjen e mbledhjes së OKB që gjendet në zyrën e kryeministrit.

Do të këshillohen demonstruesit të mos marrin preshë me vete, pasi ka fobi prej tyre.

Tit Vasili do hidhet mbi hekurat e Ministrisë së Jashtme dhe do shkatërrojë çdo dokument që na lë turpin në derë për atë votë.

Qëllimi është i qartë.

Duke krijuar krizë institucionale, duke rrethuar qeverinë dhe parlamentin, SHBA nuk do ndërhyjnë më për t’i nxjerrë nga çadra, pasi opozita po lufton për votën e tyre.

“Të bëjmë një herë një protestë që të mos na bëjë presion SHBA, pa të vdes”, mësohet të ketë thënë Ed Paloka.

Me këtë rast, pritet një zhvillim i ri dramatik, divorci Lu-Vlahutin.

Dy ambasadorët që kanë terrorizuar opozitën, nuk mund të jenë më bashkë.

Lu do jetë me opozitën, Vlahutin me shumicën.

Në këtë aspekt, opozita do të krijojë një klimë të re politike, do fusë përçarje BE-SHBA në Tiranë, opozita do fitojë mbështetjen e SHBA dhe do të detyrojë qeverinë të kthejë votën e ta quajë pro SHBA.

Në këtë moment, qeveria do sulmohet nga BE dhe do armiqësohet me gjithë palët.

Fundi i saj është i sigurtë, ndërsa suksesi i opozitës duket që larg.

Pas kësaj, presidenti Trump do dërgojë një Twitter, ku të thotë: “Të gjithë ata që votuan kundër meje do kenë fatin e Shqipërisë. Urime Salianji.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje