Disa suksese të opozitës në betejën për Universitetin

2 Shkurt 2019, 20:21Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Nga muaji Dhjetor kur studentët nisën një protestë të vërtetë kundër qeverisë, deri në fillim të Shkurtit, kemi një pamje të re të universitetit. Në fillim ishin studentët, ata që morën konsesus kombëtar për kërkesat e tyre dhe vunë në alarm qeverinë. Pas propozimeve të qeverisë dhe ndryshimeve të saj, por mbi të gjitha pas nxitimit të opozitës, për të marrë kontrollin mbi protestën që u shijoi aq shumë, dy muaj më pas kemi një diferencim të fortë politik tashmë jo për kërkesat, por për identifikimin e elementëve politik brenda universitetit dhe për përdorimin politik të universitetit.

Por protesta dhe sidomos vazhdimi i debatit për universitetin tashmë kryesisht mes pedagogëve që duan të mbajnë studentët në protestë dhe qeverisë ka disa arritje pozitive. E para mendoj se ka nxjerrë në pah përkrahësit real dhe cilësorë të opozitës në mjediset universitare dhe kjo është një gjë pozitive.

Është e qartë që shumë pedagogë të pozicionuar politikisht po bëjnë betejën e tyre kundër qeverisë si njerëz politik.

Ata po përpiqen të mbajnë ndezur debatin për universitetin, pasi protesta ka mbaruar. Sforcimi i disa pedagogëve të Juridikut për të mbajtur studentët në protestë dhe për të bllokuar mësimin, kanë nxjerr në pah aftësitë politike të Argita Berishës dhe disa shoqeve të saj që janë kthyer në instruktorë të protestës. Dhe nëse dëgjon regjistrimet e tyre para studentëve, e kupton se janë më të afta se anëtarët e kryesisë së PD-së.

Po ashtu debatet publike të disa pedagogëve të filiologjisë me kryeministrin janë shumë më cilësore se debtaet e Berishës apo Bashës me të. Në fund të fundit unë besoj se opsionet e opozitës, i paraqet më mirë Mark Marku duke debatuar me Edi Ramën se sa Lulzim Basha që është gati të fusë në kryesi dhe Arlind Qorrin, pasi mendon se i duhet.

Ndaj nuk mendoj se problem në universitet është mbajtja gjallë e debatit mes pedagogëve me qëndrim politik, përballë qeverisë. Biles mendoj se ky është zhvillim pozitiv në kampin opozitar, pasi beteja për universitetin ka nxjerrë në krye opozitarët e vërtetë, që meritojnë të jenë në PD dhe jo ata që ka emëruar Luli.

Së dyti, Lëvizja për Universitetin që është një frymëzim i një organizate të majtë politike drejtuar nga Arlind Qorri, pati një sukses fillestar dhe u përball me agresionin e forcave politike tradicionale,  të cilave u duhej pronësia mbi protestën, derisa e mbytën atë.

Sprova e organzitës politike të Arlind Qorrit , tregoi se sa vështirë e ka një forcë e re politike të hapë vend në këtë shoqëri të monopolizuar politike dhe sa e vështirë është të punosh në ilegalitet në këto kohë.

Ajo që zoti Qorri duhet të mësojë nga kjo histori, është se kur bën një protestë si aksion politik, apo organizon një lëvizje, është shumë e rëndësishme të dalësh në krye dhe ta udhëhëqësh dhe jo të rrish në ilegalitet si debatikasit e viteve të luftës.

Nëse nuk del në krye dhe nëse nuk identifikohesh, jo vetëm që ta marrin protestën, por dhe kur nuk ta marrin dot, ta mbysin. Kjo tregon se një lëvizje majtiste ekstreme ka truall, por metodat e vjetra të Debatikut nuk kanë më vend.

Së treti, protesta tregoi politizimin e skajshëm të organizimeve studentore dhe përdorimin e tyre nga partitë politike, duke dëshmuar mungesën e organizimit të vet studentëve. Kompleksi i tyre për të pasur protestë pa përfaqësim, është dështim i sigurtë.

Protesta është betejë dhe beteja ka nevojë të ketë në krye njerëzit që e përfaqësojnë dhe frymëzojnë. Degradimi i protestës në betejë forumesh rinore të PD-së, LSI-së, apo FRESH-it, tregon se në fund protesta përfundon në duart e atyre që i vënë emrin dhe fytyrën protestës.

Tanimë ajo që ka mbetur nga protesta, është një sforcim për të përdorur studentët e politizuar dhe pedagogët e pozicionuar politikisht, deri më 16 shkurt në funskion të protestës së opozitës. Kjo duket sikur e degradon më tej idenë fillestare të protestës studentore, por në fakt është më e vërtetë dhe më realiste, pasi e di me kë ke të bësh. Nga një protestë e nisur nga studentët dhe e lakmuar nga opozita, ajo tani është një protestë e opozitës që tenton të gjej ushtarë mes studentëve dhe pedagogëve.

Nuk është se kjo gjë është fundi i botës, se PD-ja e ka herën e pestë që bën protestë në universitet, por nuk ka më lidhje me protestën e studentëve.

Ajo është thjeshtë një axhendë opozitare, si takimet e Lulit në Ballsh, apo Shkodër, ku u bëhet thirrje njerëzve të vijnë në Tiranë në datën 16 shkurt.

Ajo nuk ka më lidhje me universitetin, por me njerëz që janë në universitet. Ndaj dhe qeveria nuk duhet të marrë seriozisht debatin me pjesën politike të universitetit, pasi duket sikur kërkon të faktorizojë brenda opozitës njerëz të tjerë nga ata që zgjedh Basha për t’i përfaqësuar.

Nuk është mirë të ndërhyjë në punët e brendëshme të opozitës, edhe pse duken si punë të brendëshme të Universitetit. Ky debat nuk ka më lidhje me kërkesat e studentëve, por me përgatitjet e opozitës për protestë. Eshtë ajo që opozita ëndërronte në Dhjetor kur studentët mbushën rrugët e Tiranës dhe ajo filloi të mendonte si ta bënte të vetën.

7 komente në “Disa suksese të opozitës në betejën për Universitetin”

  1. Ladi says:

    Degradim total i shoqerise shqiptare, vecanerisht krahu opozitar, qe shkon vetem poshte, e me poshte dhe nuk po prek dot fundin. Nje drame per kete vend te ngrate.

  2. drino says:

    Kjo proteste qe gjoja u nis si spontane eshte e organizuar nga shtriga te tipit Argita, malok te tipit Mark, me Qorra qe duan te bejne karjere, me pseudo petagog, rektor e plot plera. Qe gjendja ne universitete eshte e keqe dihet por kjo nuk u be tani keshtu dhe me keq ka qe e por tani u kap nga te kapurit te deshtuar nga politika.

  3. Flutura says:

    Kjo ishte loja! ?

  4. Stris says:

    Prsh Andrea!
    Per informacionin e pasure me fakte per bemat dhe statusin e Gaqo Kacakut!
    Sa te jete ai ne politeknike qofte edhe si pedagog i thjeshte, zor se ngre koke Upt!

  5. E verteta says:

    Shkrim me kalu rradhen Mero! Ke quan sukses te opozites ti? Shfrytezimi i studenteve per nje note apo per ca para qe te protestojne?! Shkaterrimi i Universiteteve publike per hir te politikes?! Nga kjo rremuje Universitetet kane humbur me shume se fituar.
    Opozite te suksesshme do te quaja kur perqafohen e mbrohen kauza te drejta. Ajo qe po shohim eshte nje inskenim i turpshem. Te rrisim cilesine e Univesitetit duke ulur tarifat?! Si do te ndodhe kjo? Duke marre me shume nga buxheti i shtetit. Ku eshte autonomia pastaj?! E te tjera pafund…
    Nuk e di nga cili kend i drejte e shikon ti Mero?! Po ai kend nuk eshte e mira e shqiptareve.

  6. Agimi says:

    Mero Merushja. Perse i ke bllokuar komentet te artikulli per ABI Bank? Perse Keni kaq frike nga komentet Kur kjo lavatrice e pastrimit te parave te krimit, vetedeklarohet e paster? Nuk na interesojne monologjet e mashtrimet Fake News online. Thjesht nje artikull propagande.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje