Samiti për pedofilinë në Vatikan më 21-24 shkurt tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Një nga skandalet më të mëdha të Kishës Katolike, i mohuar dhe i mbuluar për vite të tëra, u diskutua gjatë në takimin e drejtuesve më të lartë të kishave të botës, të cilët “shtruan rrugën” për parandalimin dhe trajtimin e rasteve. Por abuzimi seksual në atë që njihet si shtëpia e Zotit nuk ka të bëjë vetëm me fëmijët. Papa Françesku para pak kohësh pranoi për herë të parë ekzistencën e abuzimit të femrave që shërbejnë në institucionet fetare. Ashtu siç ndodhi në Hollivud vitin e kaluar, gratë katolike tashmë janë bashkuar nën hashtagun #NunsToo, raporton “The Conversation”.
Njëzet e pesë vjet më parë, një murgeshë irlandeze, Maura O’Donohue përgatiti një raport voluminoz për Vatikanin mbi abuzimin e murgeshave nga priftërinjtë. Raporti i saj u bazua në informacionin e mbledhur në kisha nga priftërinj, mjekë dhe njerëz të tjerë që kishin dijeni. Në të u përfshinë edhe provat që ajo arriti të siguronte për disa prej abuzimeve. Por ky raport u mbulua nga kisha.
Në nëntorin e vitit të kaluar, një grup grash të fesë u bashkuan në Romë në një takim që u quajt Zërat e Besimit, kur rrëfyen historitë e abuzimit dhe ngacmimit nga klerikët katolikë.
Rasti më i spikatur është ai i Doris Wagner, një teologe gjermane, e cila rrëfeu se si u përdhunua në moshë të re, kur shërbente në një institucion fetar. Njëri prej eprorëve i shkoi në dhomë natën dhe e përdhunoi. Ajo e dinte se nëse do ta raportonte këtë rast, përgjigjja do të ishte “faji ka qenë i yti”, prandaj heshti. Vite më vonë, ajo ia tregoi historinë eprores së saj femër, e cila i tha pikërisht këtë gjë.
Wagner thotë se më vonë u ngacmua seksualisht nga prifti Hermann Geissler. Ironik duket fakti se ai punonte në Kongregacionin për Doktrinën e Besimit në Vatikan, pikërisht organizmi që merret me ankesat për abuzimin e fëmijëve. Wagner thotë se ndaj saj pati disa sulme seksuale, që ndodhnin kryesisht në dhomën e rrëfimit. Ajo i raportoi të gjitha këto, por përgjigjja ishte se shkak mund të ketë qenë sjellja e saj. Megjithatë, ajo e vazhdoi punën deri në momentin kur vendosi t andante këtë histori me grupin në Romë vitin e kaluar. Ndërsa prifti abuzues vijon të shërbejë në të njëjtin pozicion, në një komunitet ku ka plot femra të reja. Wagner thotë se bazuar në njëraport, të paktën 30% e femrave që shërbejnë në radhët e kishës janë abuzuar seksualisht dhe shumë të tjera janë të rrezikuara.
Rasti i Doris Wagner është vetëm një prej shumë prej tyre. Kishat në mbarë botën mund të kenë plot raste të ngjashme. Në Australi, raportet sugjerojnë se numri i murgeshave të abuzuara e lë pas numrin e fëmijëve të abuzuar.
Abuzimi seksual i grave, fëmijëve dhe të rriturve të pambrojtur ka ndodhur për dekada të tëra në radhët e kishës. Abuzimi ka ndodhur në çdo nivel shërbimi, nga prifti famullitar deri te klerikët më të mëdhenj. Autorët janë mbrojtur dhe viktimat kanë heshtur.
Samiti që u mbyll të dielën në Vatikan mori përsipër t’i trajtojë të gjitha abuzimet që ndodhin në kisha dhe të hartojë strategji për të parandaluar të tjera. Me premtimin se “ky është fillimi i fundit”, hapi i parë konkret që u premtua ishte ai për të mos i fshehur më monstruozitetet që ndodhin brenda mureve të kishave. (TemA TV)
flliqsira fisqira flliqsira ………….