Arsenali duket se ka rikthyer me këmbë në tokë Mançester Junajtid.
Topçinjtë triumfuan në fushën e tyre me rezultatin 2-0, duke i shkaktuar në këtë mënyrë humbjen e parë “Djajve të Kuq” në kampionat, nën drejtimin e trajnerit Ole gunar Solskjaer.
Një nga protagonistët e fitores për skuadrën londineze ishte futbollisti me origjinë shqiptare Granit Xhaka.
Mesfushori në minutën e 12 shënoi golin e avantazhit për të tijtë, ndërsa me një silurë me të majtën surprizoi portierin De Gea i cili nuk mundi të reagonte.
Ndërkohë, në fraksionin e dytë të lojës, skuadra e teknikut, Junai Emeri, dyfishoi shifrat e takimit, duke vendosur në kasafortë 3 pikët. Ishte sulmuesi gabonez, Pierr Emerik Aubamejang, i cili në minutën e 69, u tregua i saktë nga pika e bardhë duke mposhtur për të dytën herë në këtë sfidë, David De Gea.
Pas kësaj disfate, Mançester Junajtid, humbi vendin e 4 në renditje, teksa u parakalua pikërisht nga Arsenali që ka grumbulluar 2 pikë më shumë në klasifikim.