Shpresa vjen nga ata që mallkojnë Reformën

22 Korrik 2019, 20:01Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Nëse doni të dini sa e thellë dhe serioze është reforma në drejtësi, shikoni pasojat e saj politike.

Tre vjet pas miratimit të saj, kundërshtarët e reformës, në përpjekje për ta bllokuar dhe për ta zhbërë atë, organizuan aksionin më radikal në historinë politike të shtetit shqiptar, dhe ndoshta në botë, duke djegur mandatet parlamentare, duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke tentuar të fusin vendin në luftë civile.

Mjaftojnë këto tre akte të rënda politike të pakicës antireformë, për të kuptuar se serioziteti me të cilën ajo po luftohet, buron nga fuqia e saj dhe nga pritshmëria e lartë që ka krijuar në opinionin publik.

Reforma në drejtësi, e cila ende nuk ka ka arritur të krijojë institucionet e saj për shkak të kritereve të rrepta të Vetingut, ka prodhuar më shumë politikë se çdo akt tjetër reformator në historinë e shtetit shqiptar.

Ajo ka prodhuar një aleancë atipike politike, që bashkon të majtë e të djathtë, që kanë frikë ndëshkimin nga drejtësia. Ka krijuar një kamikazllëk politik të pazakontë, që u kurorëzua me daljen e opozitës nga sistemi politik dhe kthimin e tyre në një pakicë të papërfaqësuar.

Por mbi të gjitha, ka krijuar një një pritshmëri të madhe në publik, falë kësaj beteje politike, e cila është identifikuar si luftë pro dhe kundër reformës, dhe jo si betejë e zakonshme politike.

Ashtu siç ka nxjerrë jashtë loje opozitën politike, reforma dhe beteja rreth saj, ka ndihmuar në mënyrë të pamerituar dhe imazhin e qeverisë, të cilës i janë relativizuar skandalet, korrupsioni dhe dështimet në ekonomi, pasi duke qenë  e rreshtuar pro reformës, ka krijuar pritshmëri më pozitive se kundërshtarët e saj, që janë rreshtuar politikisht si armiq të reformës.

Reforma në drejtësi vazhdon të mbajë të ndarë politikën shqiptare nga shoqëria shqiptare, si një lakmus që tregon sa thellë ka shkuar thika mbi drejtësinë e vjetër.

Tre vjet pas miratimit të saj, reforma në drejtësi është nën akuzë nga kundërshtarët e saj pikërisht për suksesin e saj.

Krye-akuza është se vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese.

Po pse ka mbetur?

Se Vetingu ka hyrë thellë tek çdo kandidat për Gjykatë dhe i ka eleminuar.

Tani kjo që duhet të quhet sukses i Vetingut, po tenton të quhet dështim, çka tregon se beteja është për të ruajtur drejtësinë e vjetër.

Vendi ka mbetur po ashtu pa Gjykatë të Lartë.

Po pse?

Se Vetingu ka përjashtuar nga sistemi çdo kandidat që ka aplikuar për t’u bërë anëtar i saj.

Tani kjo duhet të quhet dështim apo sukses?

Natyrisht sukses për ata që duan një drejtësi të pastër dhe dështim për ata që duan drejtësinë e vjetër.

Reforma në drejtësi është në fazën e fundit të ngritjes së institucionit të saj më të rëndësishëm, SPAK, që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Për gati tre vjet ka qenë një betejë e vështirë proceduriale për të arritur deri këtu. Janë eleminuar disa herë kandidatët dhe është bllokuar nga  kundërshtarët e reformës në institucione çdo procedurë që mund ta afronte formimin e tij.

Tani kjo është dështim apo sukses?

Natyrisht dështim për ata që shikojnë se SPAK po ngrihet, qoftë dhe me vonesë, dhe sukses për ata që kishin objektiv një drejtësi të pakapur.

Reforma në drejtësi ka rritur peshën e faktorit ndërkombëtar, SHBA dhe Bashkimit Europian në monitorimin e drejtësisë shqiptare. Ata veprojnë konform të drejtave që u kemi dhënë vetë me Kushtetutë në këtë pikë.

Kundërshtarët e reformës tashmë janë kujtuar të ngrejnë akuza se kjo është humbje e sovranitetit të Shqipërisë dhe ndërhyrje në punët e brendshme, pasi në drejtësi po e bën ligjin SHBA dhe Brukseli.

Tani kjo është sukses apo dështim?

Natyrisht dështim për ata që ishin të kënaqur ta bënin ligjin në drejtësi me një telefon nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, dhe sukses për ata shqiptarë që besojnë më shumë tek SHBA e Bruskeli, se sa tek Berisha e Meta.

Këta dy të fundit që bëjnë sikur ankohen se drejtësinë e ka kapur Edi Rama, në fakt ëndërrojnë ta kapë ai, se me atë rregullohen. Halli i tyre real është se në kokë të saj qëndrojnë SHBA e Brukseli.

Përpjekja për ta mallkuar një foshnjë tre vjeçare dhe për ta quajtur atë një fëmijë të vdekur, dhe mbrojtja pa hezitim që i bëhet drejtësisë së vjetër nga të njëjtat zëra, është në fund të fundit krye-arsyeja përse reforma është në rrugën e duhur.

Mbështetja entuziaste për të nga SHBA, nga kancelarja Merkel, nga Italia, nga Brukseli dhe fillimi i funksionimit të institucioneve të saj, janë shenjat e qarta se foshnja është e shëndetshme dhe po ngrihet në këmbë. Vajtocat e reformës të japin shpresë se ajo po bën gjënë e duhur.

Nëse do të shikonim Sali Berishën dhe Ilir Metën duke lavdëruar reformën, atëhere duhet të mendoheshim mirë se çfarë kishim bërë. Tani që i shikojmë duke qarë, mos u shqetësoni. Është ajo që duhet.

19 komente në “Shpresa vjen nga ata që mallkojnë Reformën”

  1. Usa says:

    Nese shikon Meten dhe Berishen qe vajton kjo është suksesi i reformës.Kjo i thotë të gjitha. Rroftë U S A.

    1. AMY says:

      eshte fiks fare sic Mero e analizon. Reforma po shkon ne kahun e duhur, dhe per barazi te te gjitheve para ligjit. Rrofte, se pari E majta me Edi Rames qe i hapen rrugen USA dhe BE-se per tu bere kjo reforme, se po te ishte per meten e berishen, do ishim ne lufte sot,

  2. Nje qytetar . says:

    Ing.
    Mero si gjithmone i sakte .

  3. Gjergj says:

    Arnim sistemi eshte reforma ne drrjtesi, ndersa ne kemi nevoje per nje kushtetute te re, republike te re.Kryetar partie-kryeminister thelbi I modelit parti shtet e mban gjalle kultin e individit e frymen e sundimit ne shoqeri.Pastaj kur nuk ka ende asnje produkt kjo reforme , si I vini duart ne zjarr qe eshte gjeja e duhur? Kujdes.

  4. lori says:

    Reformen e shajne ata qe e kane te garantuar burgun…..

  5. Ladi says:

    Perfect analiza z.Mero.

  6. Pano Bala says:

    Shkelqyeshem.Me mire,nuk mund te shkruhej ky artikull.

  7. A says:

    Kur shikon qe dosja e pare e SPAK-ut eshte Adriatik Llalla…?
    Kur shikon se Meta,Sala thone qe vendi eshte pa kushtetuse dhe Rama nuk thote qe eshte turpi i tyre qe edhe kushtetusia ishte katandisur si ata…?
    ( meqe ra fjala tek kushtetusia…nje vendim 2 milon eur–a)
    Na eshte bere reforma ne drejtesi sikur do ndryshojme kulturen tone,sikur nga formimi i plot i saj nuk do theremi me me njeri-tjetrin per nje shikim,sikur nuk do kemi me urrejtje per njeri-tjetrin,sikur do na rritet dashuria per atdheun,sikur te nesermen e fillimit te saj nuk do kemi me qindra kabulla te varura ne cdo pallat,sikur do mesojme te ngasim,sikur do mesojme te respektojme njeri-tjetrin,sikur harmonia ketu do rrezatoje,sikur do respektohet klienti ne cdo blerje te tij,sikur shkollat nga burdello do kthehen ne mesimtore,sikur rroga baze do ngrihet,sikur spitalet do jene shembull shendetesie,sikur do BEHEMI NJEREZ dhe Shqiptari do respektoje Jeten e Shqiptarit.
    Asgje pervecese “ne themi ate qe doni te degjoni ndersa ate qe duhet…heren tjeter”

  8. Drejtesi says:

    Laku po i mblidhet qelbesirave…

  9. USA versus Albania says:

    Drejtesia e bere nga nderkombetaret?Kush Jane gjyqtaret e prokuroret qe kane kaluar vetingun? Nxirrini ne media emrat e te shohim reagimin e opinionit publik. E dime ne si Jane ata. E di luga cfare ka tenxherja. Ne vitin 1947 arrestuan ne tentative per tu larguar nga Shqiperia nje pinjoll te nje prej familjeve me patriote te veriut. Kryetari i trupit gjykues e jep vendimin keshtu; “Ne emer te reublikes se skiperise e te popullit skipetar je i denuar me x vite burg!” I denuari, pasi lejohet te flase i thote;” Qe do denohesha e dija por qe te vije nje skipetar e te denoje nje shqiptar ne shtepi te vet, kete se kisha ditur e besuar!” Kryetari ish minoritar.Keto standarte kush i monitoron? Apo do te degjeneroje prape drejtesia si me 1947 ku minoritaret do denojne e persekutojne shqiptaret e do bejne karriiere e para ne kurriz te fateve shqiptare? Nderkombetaret do i qelbin me dekorata e tituj por si kundershperblim do bejne ndonje biznes “ligjor” ketu! Perendi si nuk leviz koha per shqiptaret:vetem Ferr! Ndryshoje per Hirin Tend!

  10. Sit back and relaks■●▪%^* says:

    Je bo bajat shoko. tenderi unazes se re si perfundoi, di gje njeri?

  11. Adeci says:

    Mero, drejt e ke analizën por gabon kur vë në një kandar Ramën me Saliun dhe Metën kur është fjalë për reformën në drejtësi. Ndërsa dyshja nuk ka lënë asnjë gjë pa thënë e pa bërë kundër reformës , 4ama në asnjë, po në asnjë rast nuk ka shfaqur hezitimin më të vogël. Atëherë ku qëndron barazimi që u bën?

    1. pertej propogandes ndodhet e verteta says:

      Urojme qe Pallati I Drejtesise te mos perfundoje ne nje klinike private te qepjes se virgjerise se klases politike te tranzicionit e mjaft qe te mos shesin shume palo nderkombetare hajdute e dashakeqes te Shqiperise e urrejtes te shqiptareve!!!?

  12. FLUTURA says:

    Edi Rama beri ate qe nuk e kish besuar asnje shqiptar. Sapo e ka zene nje vend te sigurt ne historine e ketij vendi…

  13. Fluturon...fluturon... says:

    Cudi e madhe moj Flutura qe bemat e Rames “nuk i kish besuar asnje shqiptar”! As ti??

  14. xhoxhi says:

    Për mua drejtësia e re duhet të vërtetojë akuzat që behen për Berishën dhe familjen e tij,Për Metën dhe familjen ,për Ramën ,Bashën etj ku për 23 vjet kanë akuzuar njëri tjetrin dhe skanë bërë asnjë punë për vendin.Berisha,Meta,Rama,Basha keriminele kështu shkurhet e thuhet kudo atëherë këtë drejtësia e re duhet ta hetojë dhe po kanë faj të venë në burgu modren po jo të lëvizin pa makina të blindurara dhe roje…

  15. NjeQytetarOptimist says:

    Bukur..

  16. realisti says:

    Vertet pritshmerite jane te medha jo per shkak te faktorit te brendeshem por per shkak te te huajve aqe shume te perfshire ne reforme. Nuk eshte ne mendesine tone ndarja e pushteteve. P.P .Sh-ja polli disa p.p.sh te vogla me sekretare partie fuqiplote qe nuk e kane ne mendje , ne koncept ndarjen e pushteteve. Ja kjo eshte thetetarelbi i reformes per kete kujdesen aqe shume amerikanet dhe BE -ja . Berisha demokrat ! Gjate gjithe kohes ka qeverisur pa e vrare mendjen per demokracine Ka menduar vetem per forcimin e metejshem te pushtetit personal.Edhe te tjeret , kryetare partishe, njelloj kane vepruar. Keyetari emeron deputetet , gjygjtaret, fituesit e tenderave. Pushtetet legjislativi, ekzekutivi, gjygjsori, te gjitha ne doren e kryetarit. Po demokracia ku eshte ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje