Milani i sezonit të ri i ka zhgënjyer të gjithë tifozët kuqezi, për mënyrën e lojës së shfaqur dhe rezultatet e marra në katër ndeshjet e para që ka zhvilluar në Serinë A, ku ka rregjistruar dy fitore dhe dy humbje.
Disfata e pësuar në derbi kundër Interit me rezultatin 0-2, ishte një humbje që solli një irritim tepër të madh të tifozëve ndaj trajnerit të ri, Marco Giampaolo.
Trajneri i ri i Rossonerëve luan fatin e tij në tre ndeshjet e ardhshme, ku do të vendoset e ardhmja e tij nëse do të qëndrojë ose jo në stolin e Milanit.
Tre ndeshjet e rradhës për Milanin do të jenë kundër Torinos në transfertë, Fiorentinës në shtëpi dhe ndaj Genoas në transfertë.
Pas këtyre tre përballjeve treshja drejtuese e Milanit, Maldini, Boban dhe Massara do të bëjnë një analizë të thellë të gjëndjes së skuadrës ku do të vendosin për vazhdimsinë e trajnerit Marco Giampaolo.
Pas humbjes në derbi Maldini dhe Massara shkuan në Milano për të zhvilluar një takim konstruktiv dhe paqësor me ekipin.
Një takim që kishte për qëllim për të zbutur situatën e vështirë dhe për t’i bërë lojtarët dhe stafin teknik të ndihen më afër njëri tjetërit për të dal të gjithë së bashku nga ky moment i vështirë. (TemA)