Juventus siguroi një fitore të rëndësishme në transfertë dhe tani kryeson i vetëm Serie A me 42 pikë, edhe pse ka një ndeshje më shumë se Interi.
Ekipi i Sarrit mposhti Sampdorian me rezultatin 1-2 dhe shkon me moral të lartë në finalen e Superkupës kundër Lazios.
Të tre golat u shënuan në pjesën e parë dhe të tre ishin shumë të bukur.
Paulo Dybala zhbllokoi shifrat me një goditje fantastike në minutën e 12-të pas një asisti të Alex Sandro. Braziliani e teproi me mbajtjen e topit në minutën e 36-të dhe vendasit përfituan dhe barazuan me anë të Caprarit.
Kampionët u rikthyen në sulm dhe kaluan përsëri në avantazh në minutën e fundit të pjesës së parë. Tjetër kros i bukur i Alex Sandro, me Ronaldon që “fluturoi” dhe mposhti portierin vendas me një goditje me kokë.
CR7, i cili u ngjit në shifrën e 10 golave në kampionat, shënoi një tjetër gol në minutën e fundit, por u anulua. Në shtesa pati kohë edhe për një karton të kuq dhe Caprari e mbylli ndeshjen përpara shokëve të skuadrës.