Tre rreziqe aktuale për lirinë e shtypit, pa llogaritur ligjin “antishpifje”

18 Dhjetor 2019, 21:17Editorial TEMA

Nga Mero Baze

E ashtuquajtura paketa “antishpifje”, e cila po paraqitet në formën e një “tigri” kundër lirisë së medies, në fakt përfundoi si një “mace”. Ndryshimet e bëra dhe pas minutës së fundit, të cilat Taulant Balla vetëm sa i përkthente nga anglishtja, duket se e futën ligjin në një shtrat burokratik, duke asgjësuar çdo përpjekje për t’u keqpërdorur politikisht.

Por dhe nëse ligji do të kishte mbetur “tigër”, siç u paraqit në fillim të tij, ai nuk do të ishte kurrë i tillë në zbatim, dhe në efektin mbi lirinë e shtypit.

Liria e shtypit në një vend si i yni, aktualisht ka tre armiq të mëdhenj.

Armiku i parë i madh është burimi financiar i shtypit, i cili vjen nga koorporatat e mëdha që diktojnë jetën ekonomike dhe politike të vendi, ose siç ua kemi ngjitur ne emrin, “oligarkë”.

Në Shqipëri je i lirë ta bësh copë Edi Ramën, je i lirë të tallesh me Lulzim Bashën, je i lirë të bësh gallatë me Ilir Metën, por nuk e bën dot me “oligarkët”.

Ajo është një listë e ndaluar “armiqsh” të shtypit shqiptar, dhe njëkohësisht një listë turpi për secilin prej nesh.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i sulmojmë ata.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i hetojmë ata.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i investigojmë ata.

Por të gjithë ndaj tyre sillen si “konstruktivë”, shumë herë më konstruktivë se ndaj qeverisë apo opozitës.

Dhe kjo ka të bëjë me pafuqinë e një mekanizmi ekonomik të pavarur për shtypin shqiptar, që bazohet gjithnjë e më shumë tek reklama, pa pasur nevojën e reklamuesve, e gjithnjë e më pak tek shitja e produkteve të tij.

Kur shtypi shqiptar të mbijetojë duke shitur produktin e tij, duhet të fillojmë të flasim për lirinë e tij. Tani duhet të flasim për mbijetesën e tij.

90 për qind e medieve të Tiranës, nuk justifikojnë dot pagat e tyre nga burimet publike që deklarojnë.

Portale dhe TV online që punësojnë 100 vetë, pa asnjë reklamë, vetëm në Shqipëri gjen. Dhe ata kanë pas ose botën e krimit, ose korrupsionin. Mos prisni ta luftojnë atë.

Armiku i madh i dytë i lirisë së shtypit, është sponsorizimi politik i tij. Ideja që me shtypin vihet e iket nga pushteti, është ende një ide biznesi në Shqipëri.

Qeveria, por dhe opozita, janë të fiksuara me rëndësinë e shtypit për pushtetin e tyre, dhe ajo që kanë bërë me sukses, është të  parcelizojnë shtypin, të kenë pushtetin e tyre mbi gazetarët, dhe t’i përdorin ato për interesa të tyre .

Kjo bën që kurrë gazetarët shqiptarë, të mos jenë të bashkuar në një kauzë. Dhe nuk ke si të jesh, pasi përdorimi politik lë gjurmët e tij.

Opozita aktuale ka një histori të ndyrë represioni ndaj shtypit, kur ka qenë në pushtet, kurse qeveria aktuale, një histori mikluese për të qenë komforte me mediat e mëdha.

Evoluimi që kemi nga vitet e pushtetit të Berishës, është se tani ka gazetarë që tenton t’i përdorë opozita, por nuk ka antimitingje ndaj tyre, si në kohë të Berishës, kur Frangaj mobilizonte lista gazetarësh, që dënonin dhunuesit e gazetarëve dhe mbronin dhunuesin, vetëm se dilte në foto me gruan e Berishës. Disa nga këta ishin para Kuvendit duke “luftuar” për liri.

Armiku i tretë i madh i lirisë së shtypit, është autocensura dhe guximi personal për të bërë gazetari.

Mediat e mëdha janë sot duarlidhura nga fakti se nuk janë konkurrente, nuk mbijetojnë dot me të ardhurat nga shitja e produktit të tyre, dhe janë në një aleancë mes biznesit dhe politikës.

Mediat e reja të internetit janë më të lira, por jo si gazetari cilësore, por si platforma propagandistike.

Nuk ka ligj për mediat në një sistem politik të lire si i yni, që mund të ndalë një gazetar të bëjë historinë e vet.

Dhuna ndaj gazetarëve dhe pasojat që ata kanë pasur në vite, kryesisht prej pushteteve të Sali Berishës, nuk kanë ardhur nga ligjet, por nga paligjshmëria dhe abuzimi me pushtetin. Por prapë nuk ja kanë dal dot.

Ndaj sot guximi për të bërë gazetari, është relativizuar nga guximi për të shpikur ngjarje. Gazetaria cilësore është mall i lirë në treg. Ajo as blihet e as shitet, vetëm sponsorizohet, siç janë rastet e financimeve të Ambasadave të atyre që quhen media të OJQ.

Rreziqe të tjera nuk shikoj, përveç kësaj që po ndodh sot, e cila tenton të barazojë guximin për t’i shkuar të vërtetës në palcë, përmes gazetarisë së vërtetë, me guximin për t’i shkuar burimit në palcë përmes gënjeshtrës.

6 komente në “Tre rreziqe aktuale për lirinë e shtypit, pa llogaritur ligjin “antishpifje””

  1. Jo të barabartë para ligjit says:

    Nuk i bëri ndryshimet Taulanti por Edi, Mero.
    Me qëllim që të mos shigjetohet Rama..
    Ligje ka por nuk veprojnë në mënyrë të barabartë mbi të gjithë..
    Pra nuk ka drejtësi.
    Me këtë që thashë i dola në linjë Ramës..
    Por as ka për të patur..
    Pasi drejtësinë e re po na e çertifikon motra e Belindës, Pamela..
    Pra hiqja Lenës e vija Prenës..
    Heqim të Saliut,Topit, Nishanit, Ilirit që të vemë të Edit.
    Drejtësi e kapur, drejtësi e pa vënë.
    “Peshku gjithmonë nga koka qelbet”

  2. goliku says:

    Qe shtypi ne vendin tone eshte i lire kjo duket qarte por qe gazetaria te ne i ngjan nje kurve dhe kjo eshte e qarte si drita e diellit…..
    Te ne medjat udhehiqen nga thenia SHPIF SHPIF SE DICKA DO TE MBETET…..
    Kjo eshte poshtersi e maskarallik…..

  3. pato says:

    Po, e vertet eshte. Lajmet ne shqiperi shiten dhe blihen sipas interesave. Gazetaret jane me vetfinancim. Pra me nje fjale shko e vendos gjoba apo bej reklama te financosh rrogen tende e te drejtorit.

    Shikoni LAJMET ne TCH dhe KLAN televizionet e medha. Kulmi i paradoksit, te ngjajn si buletin partish.. sipas rradhes apo cmimit dalin si qeveritare dhe opozitare. Vetem ne Shqiperi brenda nje edicioni lajmesh gjen kronika kontradiktore, njeri thote ne Tirane nuk ka uje banoret po vuajne e me pas kronika edhe nje lagje tjeter ne Tirane me 24 ore uje ? ? Pastaj ke pa fund emisione debatesh per debatin e debatit qe u debatua… Njerez qe nuk shkulen nga ekranet 30 vjet a thua sikur i kane me tapi. Kjo ka sjell ne minimum ndikimin mbi opinionin publik sidomos ne keto 5 vitet e fundit. Tashke koha qe analistet ndikojne mbi opinionin publik ne shqiperi ka marre funde. Se si do ja bejne nuk e di se kane shume borxhe per te lare.

    Ky eshte problem shume i madhe neper bote ku presioni politik mbi mediat eshte shume i madhe dhe ka nje mungese te theksuar financimi. Shume nga emrat me te degjuar te gazetave ne bote mbijetojne me bamires sepse te ardhurat nga shtypi dhe reklama jane shume te ulta! Hyn ne faqet e tyre online e te kerkojne “donation” ose publikoje video me qen e mace e budalleqe te tjera per te marre klikime. Kjo nuk ndodh vetem ne Shqiperi, ne Shqiperi thjesht kopjohet por si gjithmone si per mire dhe si per keq nuk dime te kopjojme.

  4. Lexusi says:

    Armiku me I madh per shtypin , gazetarine apo median eshte pikerisht shpifja , genjeshtra mashtrimi , bile keto mund t’i quash kolere .
    A e shikoni si jeni katandisur , ka gazeta qe as per amballazh nuk i mer njeri !

  5. Detari says:

    po te kishte AMA Rama para 5 muajsh do kishte vazhduar afera korruptive qe ja nxorri Rakipi me rrugen.

    tani do vjedhi hapur

  6. Fatos says:

    O Mero, ma shpjego pak ndryshimin midis hetim dhe investigim. Një tjetër problem i medias është masakra që i bëhet gjuhës shqipe, që askush nuk e vë ujin në zjarr. Duhet një ligj që të ndëshkojë ata që nuk përdorin gjuhën zyrtare, siç e ka Franca psh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje