Pas përfundimit të dy ndeshjeve të sotme është mbyllur dhe faza e dytë e Kategorisê Superiore.
Pavarsisht barazimit të marrë në transfertë kundër Luftëtarit ekipi i Kukësit vijon të kryesojë renditjen e Kategorisë Superiore.
Të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro vijojnë të mbajnë vendin e parë me 32 pikë të grumbulluara.
Në 18 ndeshjet e para të kampionatit, pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion kanë arritur që të marrin, 9 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje.
Një ecuri jo dhe aq e duhur për verilindorët të cilët kanë në përbërje elementë shumë cilësorë në të treja reparter, por që deri më tani në dy fazat e para nuk e kanë bërë dot diferencën për të krijuar një shkëputje nga ndjeksit.
Në vendin e dytë renditet Tirana, me 31 pikë të grumbulluara. Bardheblutë janë një skuadër që në këto dy faza ka pasur në krye tre trajnerë, Ardian Memën, Julian Ahmatajn dhe tashmë Emanuel Egbon.
24 herë kampionët e vendit janë rival për titullin, pasi në 100 vjetorin e klubit kërkojnë që me çdo kusht fitimin e titullit kampion.
Me mbarimin e dy fazave të para, Tirana ndodhet brenda objektivave, por ecuria deri më tani ka qenë me ulje-ngritje. Ndryshimi i trajnerit ka sjellë një vazhdimësi të kënaqshme tek rezultatet e ekipit, ku nën drejtimin e Egbo ekipi ka arrtur të marrë katër fitore rradhazi.
Ndërkohë, në 18 javë Tirana ka 9 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje.
Pas bardhebluve, në vendin e tretë renditet Bylisi. Ballshiotët janë një nga surprizat e bukura të këtij kampionati, ku përfundimi dhe rezultatet edhe gjatë fazës së dytë e tregojnë qartë këtë fakt.
Bylisi ka grumbulluar 30 pikë dhe në 18 ndeshje ka 8 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje.
Në mesin e tabelës me nga 28 pikë renditen Laçi, Partizani dhe Teuta.
Të kuqtë janë në pozicion jo komond, nga ajo që pretendohet nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë ndërtuar një ekip për titullin kampion.
Ecuria e kampionëve të Shqipërisë në këto 18 javë nuk ka qenë pozitive, pasi kanë marrë 8 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje.
Të njëtat statistika ka dhe skuadra e Laçit që drejtohet nga Armando Cungu, ndërsa Teuta ka 7 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje.
Ndërkohë, afër mesit të tabelës janë dhe Vllaznia me Skënderbeu.
Shkodranët pozicionohen në vendin e 7-të me 26 pikë, me 7 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje.
Kurse, Skënderbeu renditet në vendin e 8-të me 24 pikë, me 7 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje.
Përsa i përket fundit të tabelës, Luftëtari dhe Flamurtari, janë thuajse të rënë nga Kategoria.
Bluzinjtë kanë vetëm 12 pikë, me 2 fitore, 6 barazime dhe 10 humbje.
Më e rëndë është situata tek Flamurtari të cilët në këto 18 javë, nuk kanë arritur dot që të shijojnë një fitore.
Kuqezinjtë kanë grumbulluar 6 pikë, ku kanë zero fitore, 6 barazime dhe 12 humbje.
Më poshtë renditja e plotë e Superiores pas mbarimit të dy fazave të para. (TemA)