Andi Lila është projekti i lënë në mes i Tiranës së këtij sezoni. Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare të futbollit, ishte një nga blerjet e para të bardhebluve në këtë edicion, por as që veshi ndonjëherë fanellën e kësaj skuadre për ta përfaqësuar atë vetëm në studio televizive.
Riaftësimi i gjatë nga dëmtimi e më pas projektet e tij larg fushës së lojës, me Sindikatën e Futbollistëve, bënë që Lila të kalonte vitin më shumë në rolin e opinionistit dhe paraqitjet e tij në stërvitje kanë qenë me pikatore, edhe ato para disa muajsh.
Ndërkohë, futbollisti është shfaqur kritik nëpërmjet Sindikatës sa u përkiste situatave të ndryshme të bardhebluve gjatë këtyre muajve, Sindikata që ai kryeson kritikoi hapur klubet që detyruan lojtarët të dilnin në stërvitje gjatë periudhës së izolimit për pandeminë, siç ndodhi te Tirana që zhvilloi edhe stërvitje kolektive asokohe.
Ndërsa pak javë më pare, Sindikata u bëri thirrje lojtarëve që të mos gabonin duke ndjekur udhëzimet nga lart për të trukuar ndeshje, duke marrë si shkas ndeshjen e humbur të Tiranës ndaj Bylis.
E megjithëse ka qenë shpesh kundër klubit, bardheblutë nuk e kanë harruar Lilën.
Në foton përkujtimore të klubit për titullin kampion, shfaqet edhe ish-futbollisti i përfaqësueses me fanellën bardheblu, të cilën duhet ende ta djerësijë që pas kthimit të tij në radhët e ekipit kryeqytetas, gjithmonë nëse bashkëpunimi mes palëve do të vazhdojë. /vipsport.al/