Antikrishti: Mashtruesi, tradhtari dhe lajmëtari i fundit të botës

10 Janar 2021, 09:21Kulturë TEMA

Antikrishti. Vetëm emri mjafton për të mbjellë frikë në zemrat e të gjithë të krishterëve të devotshëm, por edhe të tjerëve. Është një emër që është lidhur përherë me negativitetin, dashakeqësinë dhe atë që është thelbësisht antikristiane.

Antikrishti është një entitet që përmendet rrallë nga Bibla e Krishterë, dhe gjithnjë me nota negative. Por koncepti i një entiteti të lig ​​që e kërcënon Krishtin, ithtarët e tij të përkushtuar dhe gjithë njerëzimin, ka ekzistuar prej një kohe shumë të gjatë.

Antikrishti është një koncept kompleks. Për besimtarët e krishterë, kjo figurë është profetizuar për të mashtruar popullin e devotshëm, dhe që vjen në Tokë në vend të Krishtit për të bërë gjërat më të këqija, derisa të rishfaqet Krishti i vërtetë me Ardhjen e Tij Të Dytë.

“Ai që e mohon Atin dhe Birin”, është mënyra se si Bibla e përshkruan Antikrishtin. Në të gjithë Biblën, termi “Antikrisht” përmendet çuditërisht vetëm 5 herë, dhe në të gjitha rastet në Letrën Parë dhe të Dytë të apostullit Gjon.

Gjithsesi, një emër i ngjashëm, por jo i njëjtë, shfaqet në disa nga Ungjijtë, kryesisht të Mateut dhe Markut:Pseudochristos (Krishti i rremë). Këtu termi lidhet me të ashtuquajturit “profetë të rremë”, të cilët do të vinin midis dishepujve të Krishtit duke kryer shumë mrekulli  për të mashtruar grigjën e mirë të ndjekësve të Krishtit.

Në Letrat e Gjonit, një nga vargjet e përshkruan Antikrishtin jo si një person apo një entitet të vetëm, por më tepër si një shumicë, duke nënkuptuar se Antikrishti është ndoshta një koncept universal, që u përkiste shumë personave që kanë të njëjtat qëllime të këqija.

“Fëmijë të vegjël, është ora e fundit:Dhe siç e keni dëgjuar vjen Antikrishti, madje tani janë bërë shumë Antikrishtë. Përmes tyre ne e dimë se ka ardhur Apokalipsi” – Gjonit 2:18.

Sërish në Kapitullin I të Gjonit, ne shohim përmendjen e shumë mashtruesve të cilët duke qenë armiq të Krishtit, janë gjithashtu Antikrishtë:“Shumë mashtrues kanë dalë në këtë botë. Ata nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në formë mishtore. Çdo person i tillë është mashtruesi dhe Antikrisht!” – Gjonit 1:7.

Në kërkimin e Antikrishtit, ne duhet të kërkojmë që në fillimet e hershme të Kishës së Krishterë dhe teologëve të saj të parë. Një i tillë ishte Polikarpi, një pasues i apostullit Gjon  dhe një peshkop i hershëm i krishterë, që u martirizua duke u djegur mbi një shtyllë dhe duke u goditur me thikë në vitin 155 Pas Krishtit nga romakët.

Ai ishte një nga të parët që përdori termin Antikrishti jashtë Biblës, ndërsa u drejtohej dishepujve të tij duke u thënë atyre se të gjithë ata që predikonin doktrina të rreme dhe e mohonin Zotin ishin Antikrisht. Sërish ne vërejmë se ai nuk fliste për një person por për shumë.

Pra koncepti i Antikrishtit u zhvendos nga një qenie e vetme thelbësisht e keqe në një grup keqbërësish dhe profetësh të rremë. Po kështu, teologë, murgj, asketë dhe peshkopë të ndryshëm të krishterë, besonin se ngjarjet thelbësore historike gjatë jetës së tyre, do të paralajmëronin ardhjen e Antikrishtit.

Këtu duhet të rikujtojmë se gjatë gjithë historisë, bota ka përjetuar disa ngjarje të mëdha që e ndryshuan atë dhe morën shumë jetë njerëzish. Do të ishte mjaft e arsyeshme që një i krishterë i përkushtuar, të besonte se ngjarje të tilla ishin paralajmërim i Ditëve të Fundit.

Një shembull i famshëm është rënia e Perandorisë Romake Perëndimore, një pikë kthese kryesore në histori. Teologu i shquar i krishterë, Tertuliani, e konsideroi këtë ngjarje si hapjen e rrugës për Antikrishtin. Por bashkëkohësi i tij, një nga teologët më të rëndësishëm të Krishterimit të hershëm, Hipoliti i Romës, mendonte se Antikrishti ishte një figurë që vinte nga një prej Fiseve të Izraelit, Fisi i Danit.

Ai thoshte se ky person ose entitet do të rindërtonte tempullin e tretë hebre në Malin e Tempullit në Jeruzalem, dhe do të sundonte prej andej. Por  disa asketë dhe teologë të tjerë të rëndësishëm e theksuan konceptin e Antikrishtit si një domosdoshmëri brenda profecisë biblike. Shën Jeronimi tha:“Në qoftë se Perandoria Romake nuk duhet të shkretohet më parë dhe Antikrishti do të vazhdojë aktivitetin e tij, Krishti nuk do të vijë”.

Një nga veprat kryesore rreth Antikrishtit u shkrua disa shekuj më vonë, në Mesjetën e hershme. Ishte një abat i një manastiri, benediktin francez Abacia e Montier-er-DerAdso që shkroi veprën “De ortu et Tempore Antichristi”. Ajo ishte “biografi” unike e Antikrishtit, e cila ishte edhe një shpjegim (interpretim kritik) i teksteve origjinale apokaliptike

Vepra e tij u bë shkrimi më me ndikim në lidhje me Antikrishtin në të gjithë botën mesjetare, dhe u kopjua shumë herë. Por me fillimin e Mesjetës, ndërsa Kisha e Krishterë fitoi më shumë fuqi, prestigj dhe ndikim në politikën botërore, Antikrishti u bë një koncept që përdorej lirshëm për qëllime intrigash, shpifjesh dhe propagande.

Për shembull Arnulf, Peshkopi i Reimsit në Francë, ishte shumë i pakënaqur nga sjellja e Papës Gjonit XV, duke e akuzuar këtë të fundit si Antikrishtin e Biblës. Papët u akuzuan si të tillë nga reformatorët e Kishës si Martin Luterit. Ky i fundit delaronte shpesh se Papati në vetvete ishte Antikrishti, pasi ishte “një institucion i kundërt me Krishtin”.

Antikrishti shfaqet jo vetëm në Krishterim, por edhe në fetë e tjera kryesore. “Mesia i rremë” njihet në arabisht ai Al-Masih-ad-Dajjal (الدجال ), është edhe një koncept i rëndësishëm në besimin islam, shumë i ngjashëm me Antikrishtit e krishterimit.

Gjithsesi ai nuk përmendet në librin e shenjtë Islam, Kuran, por më tepër në Hadithet, një burim i ligjit fetar dhe moral midis besimtarëve myslimanë. Në këto shkrime, Profeti i Rremë thuhet se shfaqet në lindje, duke i mashtruar besimtarët përmes mrekullive dhe shërimeve ashtu si Jezusi, por i ndihmuar fshehurazi nga demonët.

Profetizohet se Jezusi (Isai) do të ringjallet përsëri, duke e mundur Antikrishtin në portat e Al-Ludd (Lodi i ditëve të sotme, një qytet në periferi të Tel Avivit në Izrael).Shumica e përshkrimeve të Antikrishtit gjatë gjithë epokave, nuk ishin mbi ndonjë krijese djallëzore dhe dashakeqe.

Përkundrazi, ai përshkruhej si një njeri dashamirës, që mashtronte fshehurazi ndjekësit e vërtetë të Krishtit. Koncepti i Antikrishtit është përdorur shumë gjatë gjithë kohës moderne, shpesh si temë ose si personazh në libra, muzikë dhe filma.

Antikrishti mbetet një nga gurët e themelit në besimin fetar të krishterë, një koncept thelbësor i lidhur drejtpërdrejt me profecinë e Ardhjes së Dytë të Jezusit. Përgjatë epokave, ky emër fitoi një lloj roli universal, duke përshkruar me të gjithçka të keqe, të ligë dhe antikristiane. Pavarësisht nëse besoni tek ai apo jo, nëse jeni apo jo fetar, sërish mund t’iu intrigojë të pyesni veten:a ka diçka të vërtetë tek historia e tij apo jo? / Ancient Origins – Bota.al

3 komente në “Antikrishti: Mashtruesi, tradhtari dhe lajmëtari i fundit të botës”

  1. Barsaleta

    Utopia, tragjedia dhe e vërteta.

    Pasi Zoti i nxori nga parajsa tokësore (kopshti i Edenit) se hëngrën mollën e ndaluar, Adami dhe Eva po diskutonin.
    Eva: O Adi..
    Adami: Ç’Adi moj grua! Adam.
    Eva: E mor, edhe ti si bën! Kjo s’ka rëndësi! Por, ç’ishte kjo tragjedi që na gjeti?!
    Adami: Avash! Nuk ishte ashtu, mua mu duk sikur Zoti u tall me ne! Po të ishte tragjedi, do kishim vdekur.
    Eva: Po ne të vdekur jemi tashmë. Nuk jemi të përjetshëm, një ditë do vdesim, ç’rëndësi ka kur. Tragjedi është! Pra, Zoti na vrau! A mund t’i vrasësh kështu krijesat e tua, edhe sikur të supozojmë se gabuam?! Jo. Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore.
    (Në këtë moment, aty shfaqet gjarpri që i doli te pema).
    Adami: Po ti, ç’do këtu? Nuk të dënoi Zoti?
    Gjarpri: Mua nuk më dënon dot njeri, jam i pavdekshëm. Pse nuk më ndaloi dot Zoti të futesha në kopsht? A ka gjithshka në kontroll ai?
    Eva: Pse jemi të vdekshëm tani? Vetëm se hëngrëm mollën e ndaluar?
    Gjarpri: Ju të vdekshëm ishit që kur u krijuat, kur hëngrët mollën thjesht mësuat të vërtetën. Para se të hanit mollën, ishit njësoj si kafshët aty në kopsht, nuk dinit as dallimin midis të mirës dhe së keqes. Si mund të jetonit ashtu? Do bënit gomarllëqe dhe do iu dukeshin si gjëra normale. Ju kishit nevojë të dinit, prandaj hëngrët mollën.
    Eva: Po pse pastaj kishim edhe turp saqë u mbuluam me gjethe fiku? Po Zoti, pse na bëri tunika lëkure kur na nxori nga kopshti?
    Gjarpri: Sepse aty u ndërgjegjësuat për gjendjen tuaj dhe atë çfarë ndodhi. Hëngrët mollën e dijes. Nuk mund të rrinit lakuriq si kafshët. Zoti iu bëri tunika sepse njeriu është qënie me nevoja, dhe ju kishit nevojë të visheshit. Keni dhe nevoja të tjera.
    Adami: Pse na krijoi kështu Zoti? Pse mos të ishim si ai dhe të jetonim në qiell?
    Gjarpri: Sepse kështu jeni lehtësisht të kërcënueshëm. Mjafton që t’iu lësh pa ngrënë dhe vdisni. Mund të rrëzoheni e të vriteni. Mund të hani e të mbyteni etj. Nëse jeni të kërcënueshëm, Zoti mund të bëjë çfarë të dojë me ju, iu vë pengesa sa të dojë e si të dojë, dhe e vetmja gjë që iu ngelet është ta adhuroni, t’i luteni e t’i kërkoni falje, përndryshe ndëshkoheni. Nëse nuk je i kërcënueshëm, asnjë nuk mund të ketë pushtet ndaj teje.
    Eva: Po ti, pse na i the të gjitha këto, ç’interes ke? Pse zvarritesh ashtu duke u dredhur në tokë nëpër pluhur?
    Gjarpri: Mua më intereson vetëm e vërteta, dhe duhej ta dinit atë, të dinit dallimin mes të mirës dhe së keqes. Unë edhe zvarrë tërhiqem, dhe pluhur mund të ha por parimet nuk i shkel, mund edhe të dredhoj nga halli, por edhe ashtu do ta them të vërtetën. Ju duhej të ishit të lirë të zgjidhnit.
    Eva: Të zgjidhnim? Çfarë? Fatin tonë?
    Gjarpri: Jo, fati juaj dihej që do ishte jashtë kopshtit. Ai që krijon gjithshka, i di edhe nevojat e krijesave të veta.
    Eva: Atëherë, çfarë të zgjidhnim? Kush kishte të drejtë, Zoti apo gjarpri? Apo kush do kishte pushtet ndaj nesh?
    Gjarpri: Mua s’ka ç’më duhet pushteti ndaj qënieve të vdekshme. Unë po të doja iu kërcënoja, do ju thoja që hani mollën se përndryshe iu kafshova dhe helmova me helmin tim. Nuk e bëra.
    Adami: Pse, sepse ishe i sigurt që ne do e hanim mollën?
    Gjarpri: Sigurisht, ishte thjesht çështje kohe. Por, ju duhet ta hanit mollën që ditën e parë sepse farsa nuk duhet të zgjaste asnjë ditë, ishte thjesht një utopi, një gënjeshtër e madhe, diçka ideale por që mund të jetë vetëm imagjinare. Ëndrra zgjat shumë pak, sidoqoftë ajo!
    Adami: Pse zgjodhe të na shfaqesh te kopshti në këtë formë të shpifur zvarraniku?
    Gjarpri: A do e hanit njësoj mollën ju?
    Adami: Po.
    Gjarpri: Ç’rëndësi ka forma, rëndësi ka përmbajta, e vërteta. Forma është thjesht një simbolikë që ia përshtata përmbatjes. Ajo mu duk më e përshtatshmja.
    Adami: Mirë te kopshti, po tani, pse u shfaqe si gjarpër?
    Gjarpri: Sepse e vërteta nuk ndryshon.
    (Në këtë moment, Adami zgjohet nga gjumi)
    Adami: O Eva, pashë një ëndërr të keqe me një qënie që vinte nga qielli lart dhe një gjarpër që flet.
    Eva: U më raftë pika! Gjarpri nuk flet! Sa herë të kam thënë mos ha shumë fiq para se të flesh se të rëndojnë në bark e nuk e bën gjumin rehat!

  2. Duke qënë se feja është një mashtrim i madh, ata e dinë që do vinte dita që ky pushtet getar i ngritur mbi gënjeshtra do bjerë, sepse gënjeshtra nuk është e përhershme. Këta që do thonë të vërtetën mbi këtë i quajnë Antikrisht. Mqs të krishterët thonë se Krishti ishte i biri i Perëndisë, pra që ishte e vërteta, pse myslimanët nui e njohin si të tillë? Ja pra farsa sheshit, secili religjion me variantin e vet të gënjeshtrës. Përrallat i tregon feja dhe jo ata që nuk besojnë. Ne thjesht themi të vërtetën. Ju të gazetarisë nui keni guxim ta thoni dhe mbani atë vëndin e punës duke iu servilosur pushteteve.
    Kaq e thjeshtë është.

  3. ec aty says:

    Interesant eshte fakti se ky i ashtuquajtur “antikrisht”, nen emrtime te tjera, ka ekzistuar ne psikiken njerezore dhe ne traditen fetare te njerezimit, shume me perpara se ne histori te shfaqej Jezu Mesia dhe feja e tij jezuizmi apo kristianizmi.
    Po ashtu shume interesant eshte fakti se nje nga figurat me te dashura dhe te vleresuara ne filozofine boterore ngjan shume me “antikrishtin’. Eshte pikerisht Prometheu, ai qe ju kundervu zotave dhe u rrembeu zjarrin e ja u dha njerezve! Ne njerezit normale, kemi vleresuar dhe do vleresojme gjithmone filozofikisht kete PROMETHEUN, qe u vetsakrifikua per njerezit, qe kundershtoi “zotat” qe mbanin nen pushtetin e vet gjithcka dhe ju dha njerezve nje burim aq te rendesishem te jetes. Prandaj njeriu i ka ngritur shtatore Prometheut dhe jo “zotit”, sepse ai i solli burimin e jetes, te cilin zoti e mbante dhe e perdorte si mjet sundimi dhe peruljeje. Ndersa sundimtaret tokesore i ndertojne shtatore “zotit” sepse e kane mjet te tyre per sundim, nderkohe qe vetem besimtaret fetare (njerezit e semure mendore) vazhdojne filozofikisht ti ngrene shtatore “zotave”, qe sundojne dhe vendosin per ta!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje