Sot, në Ditën e Lirisë së Medias, Bilushi i Metës bëri një deklaratë ku demaskoi gazetarët që i kanë shërbyer regjimit të Edi Ramës dhe kanë njollosur figurën e presidentit.
Në letër thuhet:
“Të dashur gazetarë!
Presidenti ka vendosur të denoncojë me emër gjithë prapaskenat që i janë bërë atij për t’u diskretituar si president nga gazetarë të maskuar si pro opozitës, por që i kanë shërbyer Edi Ramës.
Po e fillojmë me Qim Pekën.
Ky gazetar, i cili punon në pallatin e familjes Meta, me lekët e familjes Berisha, i ka shërbyer Edi Ramës.
Në emisionin e fundit me presidentin, ai sajoi një skenar për të destabilizuar presidentin.
Ai nxori titra sikur presidenti tha që ambasadorja amerikane ishte e lumtur me ato që dëgjoi nga Meta dhe pastaj ja nisi foton me titra Ambasadës amerikane.
Ambasada u revoltua nga gënjeshtra që sajoi Qimi për llogari të Edi Ramës dhe sulmoi presidentin me tuiter dhe sms.
Pas kësaj pastaj presidenti u nxeh dhe humbi toruan, duke ndodhur ajo që ndodhi.
Ky është skenar i Edi Ramës, realizuar me dorë të Qim Pekës.
Edhe dy kolegët e tjerë në studio, Koka dhe Abilekaj, ishin pjesë e këtij skenari.
Ata e provokuan presidentin rreth raporteve me SHBA, e destabilizuan atë, pastaj me një sms të Edi Ramës, e mbyllën emisionin dhe ne nuk patëm kohë të sqaroheshim.
Më tej, Artur Zheji është shërbëtor i Edi Ramës.
Me shkrimet e tij gjoja kundër Ramës, ai e ka banalizuar aq shumë qëndrimin pro presidentit, sa tani atë e paguan Rama të shkruajë, se kështu ngjallet alergji për presidentin.
Sonila Meço, po ashtu po bën lojën e Edi Ramës.
Ajo del për t’u kujtuar njerëzve intervistën tek vila e presidentit në Lalëz, me qëllim që ta demonizojnë atë.
Është tërësisht në lojën e Ramës.
Në fund dua të them se kam dyshime dhe për mikun tim Babaaaramo.
Më kërkoi 200 litra naftë para intervistës me Ramën dhe më tha do ta telendis.
Pastaj më raportoi që intervista mbaroi me sukses, se Rama kishte ikur nga emisioni, pasi nuk përballonte debatin për pikturat me atë.
Kjo ishte shitje e hapur, se dihet që Rama më shumë se ai merr vesh nga pikturat, por ai e bënte të justifikonte 200 litërshin e naftës.
Këta gazetarë të dashur miq, që hiqen sikur janë të opozitës, janë me Edi Ramën, ndaj po gjej sot rastin t’i denoncoj në Ditën e Lirisë së Shtypit, si njerëz që e kanë marrë më qafë shtypin e lirë.
Dhe të mendoni se nuk na kanë kushtuar aq lirë sa themi”.