Bilushi i Metës shpjegon komplotin e Xhejms Bejkerit kundër Shqipërisë

22 Qershor 2021, 20:06Antena TEMA

Mungesa e Doktorit në albumin fotografik me rastin e vizitës së sekretarit të Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipëri, në qershor 1991, revoltoi dhe Bilushin e Metës.

Ai kërkoi mes fotografive të gjente Doktorin, por nuk e gjeti.

Atëhere i dërgoi sms Doktorit.

-A ke foto me Xhejms Bejkerin kur ka ardhur në Shqipëri, se ta kanë hequr këta të Ambasadës?

-Patjetër, tha ai, dhe filloi të gërmojë.

U mobilizua gjithë familja të kontrollonte fotot, kur më në fund e gjeti.

-E gjeta, merre, i tha.

Pastaj Bilushi mori Kaç Islamin.

-Po ti a ke qenë tek kjo pritja e Bejkerit më 1991, se ke qenë kryetar Parlamenti, i tha?

-Po e kam takuar, por s’di a kam foto, tha Kaçi.

Pas kësaj Bilushi vendosi të ndajë me mbështetësit e tij disa opinione rreth SHBA:

“Të dashur miq!

Tani po zbulohet komploti i madh komunist i SHBA kundër Shqipërisë.

Ne antikomunistët që i kishim pritur amerikanët të zbarkonin që nga viti 1945, kur ata zbarkuan në vitin 1991, në fakt nuk erdhën për ne, por për komunistët.

Jo rastësisht në tribunë me Bejkerin ishte Ylli Bufi, Muhamet Kapllani, Zef Mazi dhe Llambi Gegprifti.

Ylli Bufi ishte kryeministër i Qeverisë së koalicionit PS-PD.

Në atë ditë PS kishte një javë që kishte ndryshuar emrin nga Parti e Punës në Parti Socialiste.

Llambi Gegprifiti ishte kryetar i Komitetit të Tiranës dhe duket që Bejker i ka premtuar që pas tridhjetë vjetësh do ta bëjmë vajzën drejtoreshë, pasi Sorosi i kishte thënë që në vend tënd si kryetar bashkie, do të vendosim Erion Veliajn.

Muhamet Kapllani ishte ministër i Jashtëm dhe i pat premtuar që pas 30 vjetësh të bëhet Olta Xhaçka ministre e Jashtme, se është stërmbesë e Servet Pëllumbit, pasi t’i japim një herë shansin djalit të Sul Bushatit, por ai duket mistrec.

Qershia mbi tortë është Zef Mazi, i cili në atë kohë ishte përkthyes dhe Bejkeri i paska thënë në vesh që pas 30 vjetësh do të bëjmë kryenegociator me BE.

Zefi ka pranuar ma shume dëshirë.

Pastaj në një takim kokë më kokë me Ylli Bufin, ky i fundit i ka kërkuar si nder që mbesën e Beqirit, një ish- shoku jonë që e dënoi partia për ca gabime, ta bëjmë ministre pas 30 vjetësh.

-Porosia kryesore qe kam nga Sorosi është të bëjmë nipin e Spiros kryeministër, i paska thënë Bejker.

-Dakord, kishte thënë me gjysmë zëri Ylli Bufi, por është ca rrugaç. Ishalla piqet deri atëherë.

Bejkeri ra dakord dhe u largua i kënaqur, kurse 100 mijë shqiptarët në shesh thërrisnin “Zenin, Zenin,” “Gitën, Gitën”, por ai nuk e kuptonte.

Pra populli i kërkonte që pas 30 vjetësh të sundonte Zeni dhe Gita, ai la shënim të qeverisnin këta bijtë e komunistëve.

Po të shikosh kohën, i bie tamam kur Sorosi i bëri gjëmën bankave në Londër dhe i ka fut ndonjë shuk të madh parash Bejkerit për ta bërë këtë plan.

Po inatin e kemi me ate Rajersonin qe e kishim mik dhe s’na tregoi. Dhe ai komunist paska qenë.

Tani akoma vuajmë pasojat e kësaj vizite”.

2 komente në “Bilushi i Metës shpjegon komplotin e Xhejms Bejkerit kundër Shqipërisë”

  1. Pokeristi says:

    Mero!
    Gjithmone rubrika antena mbetet fantastike.Humor,ironi,sarkazem,objektivitet,fantazi,llogjike racjonale.
    Je per t’u pasur zili dhe nga humoristet profesjoniste.

  2. Niku says:

    Na e ke harruar Gimin e puros o Mero. Do i ngelet hatri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje