Muli i pakënaqur që SHBA futi në një listë me Doktorin dhe Putinin me Lavrovin

26 Shkurt 2022, 21:07Antena TEMA

Lajmi se një nga sanksionet e reja të SHBA ndaj Rusisë ishte shpallja “non grata” e Vladimir Putinit dhe Sergei Lavrovit si ministër i Jashtëm, e mërziti Mulin.

Në një sqarim për demokratët e Foltores, Muli tha:

“Të dashur foltoristë!

Fakti që SHBA në vendimin e saj të fundit futi dhe Putinin dhe Lavronin në listën e personave që u ndalohet hyrja në SHBA, duke barazuar ata me Doktorin, tregon për politikën dritëshkurtër të Uashingtonit dhe ndikimin e Sorosit në Departament të Shtetit.

Ne kemi gjashtë muaj që i kërkojmë fakte për Doktorin dhe ata nuk na i japin.

Na thonë vetëm që është i korruptuar, ka minuar demokracinë dhe sistemin gjyqësor.

Tani në atë listë fusin dhe Putinin me Lavrovin, të cilët i di gjithë bota çfarë kanë bërë.

Tani ose të heqin Doktorin nga ajo listë, ose të heqin Putinin, se të dy bashkë në një listë sikur nuk qëndron.

Ose të paktën të heqin teta Lilin dhe Zenin,  se ata vërtet janë pasardhës të popullit sllav, por nuk janë njësoj si Putini.

Do të ishte mirë që tani që jemi të gjithë bashkë kundër Rusisë dhe Doktorit t’ia hiqnin këto masat.

Nëse nuk ja heqin, atëhere SHBA nuk e ka seriozisht luftën kundër Rusisë, pasi kërkon të na përçajë ne si aleatë të NATO dhe kështu t’i japë shans Putinit të përparojë në planet e veta.

Është koha që SHBA të veprojë tani.

Stop sanksioneve kundër Doktorit”.

1 komente në “Muli i pakënaqur që SHBA futi në një listë me Doktorin dhe Putinin me Lavrovin”

  1. Pokeristi says:

    Z.Baze!
    Ke mjaft forcë shprehëse përcaktësuese dhe përgjithêsuese nëpërmjet humorit dhe sarkazmës.
    Eshtë kanaqësi e veçantë rubrika tuaj “Antena”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje