Muli denoncon Edi Ramën se nuk i ka blerë vetë votat e PD-së

26 Maj 2025, 17:54Antena TEMA

Muli u shqetësua sot nga lajmi se SPAK-u ka sekuestruar telefona në Bashkinë e Pukës.

– Duhet ta bëjmë problem, i tha Lelos.

Të gjitha krimet zgjedhore na kanë mbetur në dorë vetëm neve të PD-së dhe këtyre të PSD-së.

Duan të bëjnë pis fitoren tonë të thellë në Shkodër.

– E shikoj, tha Lelo. Është shumë shqetësuese.

Nuk di se çfarë mund të ketë në telefon ai i Bashkisë.

– Kam frikë se na e kanë blerë këta të PSD-së dhe ka qenë duke bërë ndonjë pazar, tha Muli, se nga ne s’ka kush para t’i japë atij.

– Po ky është problem, tha Lelo.

Do provohet që ne kemi shitur vota, dhe akoma më keq, nuk ia kemi shitur Ramës.

Kjo do na rëndojë para syve të demokratëve.

– Demokratët njohin veç një të vërtetë dhe ajo është e vërteta që thotë Sali Berisha.

Nuk dinë ata gjë tjetër veç asaj të vërtete, ndaj ti mos u shqetëso.

Problemi është ta marrim vesh çfarë ka komunikuar.

– Është njësoj si kjo puna e Tiranës, tha Lelo.

Që po kërkojmë të hapen kutitë se na ka vjedhur Gon Shehaj.

Të gjithë armiqtë tanë në fushatë na kanë dalë që s’kanë lidhje me Ramën.

Në Kukës na ka vjedhur ai deputeti jonë.

Në Shkodër ia kemi shitur PSD-së.

Në Tiranë ia kemi shitur Gon Shehajt.

Ky është komploti më i madh që na ka bërë Rama.

Na ka futur në kurth të shesim vota, por jo tek ai.

– Po kjo është poshtërsia më e madhe, tha Muli.

Duhet ta denoncojmë si njeri pervers, që mirë të detyron të shesësh votën, por nuk denjon të ta blejë as vetë, vë hysmeqarët e tij.

Këtë të vërtetë duhet t’ia themi popullit.

– Ja themi mo, ja themi, tha Lelo, por puna është çfarë thonë ata…

1 Komente

  1. L
    Ladi

    Je brilant

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje