Muli falënderon Lelon për kreativitetin e parullave

7 Korrik 2022, 21:31Antena TEMA

Pas përfundimit të mitingut, Muli thirri Lelon për ta falënderuar në emër të Doktorit, për kreativitetin që kishte treguar në hartimin e parullave.

Në vend të parë ishte parulla “Bathorja, Lapraka, Kamza, Paskuqani, -Prona është e shenjtë”.

Kjo parullë kishte domethënie të madhe, pasi mbron realisht pronarët më të vendosur dhe më luftarakë të pronave në Shqipëri, jo si ata tironsit bythëpambukë, që kërkojnë pronat e gjyshërve dhe baballarëve.

Këta mbrojnë pronat e tyre të fituara me gjak dhe sakrifica pas vitit 1990, që këta tironsit që nuk dalin në miting dhe duan t’ua marrin.

Në vend të dytë ishte parulla “7 x7 bëjnë 49, jo 42.”

Kjo parullë tregon se sa gabim ka qenë udhëheqja 9 vjeçare nga Lul Basha, i cili nuk di as të numërojë atë që i takon.

Ndërkohë që demokrat i vërtetë është që thotë 7x7 bëjnë 49, por është sa 99.

Në vend të tretë është parulla “Sorosi në Lanë”, një parullë symbol, që shënon fundin e diktaturës së Sorosit në Shqipëri.

Ky është një mesazh i fort dhe për Antony Blinken, që kërkon të fyejë shqiptarët duke u vënë në urdhrat e Sorosit.

Parulla e katërt më e goditur ishte “Shqipëria në rrezik”.

Kjo parullë ka gjetur përkrahje të madhe, pasi ka gënjyer dhe shumë socialistë që kanë menduar se bëhet fjalë për rrezikun nga Doktori.

Në rrjetet sociale ka marrë miratim maksimal.

Parulla e pestë dhe më domethënëse ishte vetë slogani i tribunës “Mos thuaj ç’më duhet mua”.

Ky slogan, ashtu siç e shpjeguan dhe oratorët, kërkon të ndërgjegjësojë njerëzit indiferentë, mikroborgjezë dhe qytetarët neutralë, që kur të vijë Doktori në pushtet, të mos justifikohen që nuk u lajmëruan në kohë që të bëheshin me të.

Për këtë sukses Muli do t’i prozoj Doktorit që në protestën e ardhshme të shtohet dhe një parullë për Iluminatin dhe kundër vaksinave, pasi ndjehej mungesa në shesh e asaj kategorie.

Lini një Përgjigje