Muli i shqetësuar pse nuk i përgjigjet Rama Doktorit 

12 Korrik 2022, 19:58Antena TEMA

Muli më në fund e humbi durimin.

U bënë ditë që Doktori e ka shpallur Ramën armik dhe ai nuk ka bërë asnjë reagim.

Thirri urgjent Lelën të gjenin një zgjidhje për këtë çështje.

-Na duhet që Rama t’i përgjigjet Doktorit, i tha Muli.

Tani ai mblodhi gjithë ata njerëz në shesh dhe është kryetar.

Duhet respektuar ai burri. Rama nuk po i përgjigjet.

-Ta mendojmë një fabul, tha Lelo.

Por nuk është aq e lehtë, pasi ai e ka menduar këtë punë, nuk e bën rastësisht.

-Po as Spiropali nuk na është përgjigjur, tha Muli.

-Aq më keq, tha Lelo. D.m.th kanë rënë dakord për këtë gjë. 

-Po si mund t'ia bëjmë që të reagojnë?

-Të ndërtojmë një fabulë, them unë.

Do të bëj disa skenarë dhe zgjidh vetë.

Një prej tyre që më vjen ndërmend tani, është sikur të hapim fjalë që Doktori është sëmurë dhe i rrezikohet jeta.

Atëherë media t’i drejtohet kryeministrit se çfarë mund të bëjë qeveria për këtë çështje.

Ai do detyrohet të thotë nuk merrem me “non gratat”.

Kjo i bie që le të vdesë. Atëherë nisin protestat.

Nëse thotë do ta ndihmojmë, atëherë do të jetë fitore, se quhet që e përfilli.

-Çfarë thua mo? Si do bëjmë Doktorin të vdekur ne, vetëm se si flet Rama.

Je në vete ti? Kush do t’ia thotë atij burrit këtë njëherë?

Kujt ja mban t’ia thotë. Hiqe nga mendja.

-Dakord, por mendova diçka të fortë, që të tronditim.

Tjetra mendoj është sikur të hapim fjalë, që Doktori nuk do bëhet kryeministër.

Gjithë këtë luftë e bën që të mundë Edi Ramën dhe të bëjë kryeministër dikë tjetër.

Vetëm se na duhet emri. Pas kësaj Rama do detyrohet të merret me atë.

-Jo mor burrë, si nuk do bëhet ai kryeministër. Do bëhet patjetër.

Po hapëm fjalë që do bëhet një tjetër, këtu bëhet partia copë- copë, se janë të gjithë kandidatë.

-Po mendova që të tërheqim vëmendjen, tha Lelo.

Atëherë nuk na ngelet ndonjë fabul tjetër.

Vetëm Doktori ti thotë Edi Ramës “mos më fol se nuk të flas kurrë me gojë”.

Kështu dhe ky është në rregull, dhe Edi Rama është në rregull.

-Kjo mirë mo burrë, po puna është se ai do që t’i flasë me gojë.

Por hajde se sa pa gjë, mirë është dhe kjo.

Lini një Përgjigje