Batalionin e Parë partizan, shkodranët e “pagëzuan” me emrin e djaloshit nga Labëria!

28 Mars 2023, 19:55Blog Nga Kristo MËRTIRI

 

Kujtoj një bisedë të hedhur nxitimthi në bllokun e gazetarit. Bisedë me veteranë e pasardhës të tyre nga Shkodra, e cila kulmoi me ‘97-ën zezonë kur ca antishqiptarë donin të mbillnin përcarjen Veri-Jug. Një tabor me mercenarë të rekrutuar nga SHIK-u i Gazidedes,  të përdorur djallëzisht mbi revoltat rebele antipiramidale në Lushnjë, Vlorë etj., nuk mund të përfaqësojë kurrsesi popullin patriot e atdhedashës të Veriut të Shqipërisë. Historikisht kështu !

-Fjala vjen, a e di ti miku ynë se gjatë Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, i pari Batalion Partizan në qarkun e Shkodrës mori emrin e djaloshit trim nga Labëria, Perlat Rexhepi ? Mos ishte vallë rastësi e rëndomtë a hajgare kafeneje në pazarin e mocëm të qytetit tonë ? Se Shkodrës e rrethinave të saj në fushë e malësi, nuk u kanë munguar kurrë heronjtë e vërtetë të shqiptarisë, të Lirisë e Demokracisë. Ai djaloshi vlonjat derdhi gjakun e “fali jetën si me le”, pas 4 orë luftimesh kundër 600 milicëve e karabinierëve fashistë dhe jo kundër kultivuesve e përdoruesve të hashashit !

Më mirë flet “Kënga e tre heronjve të Shkodrës”, këngë që do  këndohet në breza. Kolë Jakova mendjehollë, na la dhuratë vargjet jo dosido…Te ajo shtëpia kala e rrethuar në pabesi, sot e gjithë ditën na duket se shikojmë djaloshin lab tek del si flakadan përmes flakëve nëpër trup (mbetur i vetëm, pasi shtëpisë armiqtë i vunë zjarrin) dhe ku armët e pushtuesit u zbrazën mbi 23 vjecarin idealist. 4 orë luftime, duke patur si municion vetëm 10 bomba dore, 3 revolverë, një pushkë e 50 fishekë ! Si të mos thuhen dy fjalë për këtë emër Heroi të Lirisë ?...

Ishte koha kur nuk kishte kohë për shumë ligjërime apo vaje të nënave  labe mandilezeza në Vajzë të Vlorës. Por Shkodra pas një viti e pagëzoi me emrin e tij Batalionin e Parë Partizan të Qarkut. Sivjet mbush 80 vjet ! Kanë rrjedhur e rrjedhin mjaft ujëra të turbullt. Por gjaku i të rënëve nuk mund të bëhet kurrë ujë. Është një traditë e shkëlqyer tashmë. Megjithëse gjatë Tranzicionit tonë rrumpallë u hodh edhe baltë nga të përbalturit antikombëtarë e zuzarë partiakë të pandreqshëm. Kjo skotë me karakter e personalitet të fëlliqur, bënë dhe bëjnë namin për ta përmbysur historinë e LANC dhe arritën të pushtojnë edhe llogore partiake e parlamentare, duke coroditur e shushatur njerëzit e ndershëm. Vajti davaja ligërshane deri te Dita e Clirimit (!). Po të flasësh për këto faqe heroizmi popullor të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare, bllokmenët e sotëm oligarkë të vërviten me të shara e mballoma balliste e zogiste, ose më e pakta të quajnë  “nostalgjik”, “arkaik”, “jashtë kohe”, “të parinovueshëm” etj. etj.

Vlerat e antinazifashizmit janë të patjetërsueshme. Ato i bëjnë nder e aspak qeder vetë qytetërimit Evropian e Perëndimor. Jo rastësisht, emri i Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi” u bë shumë shpejt i dashur nëpër Shkodër, por edhe në Plavë e Guci të Malit të Zi, në Malësinë e Gjakovës e në Bujan ku u bashkuan me tropojanë e kosovarë në mbrojtje të Konferencës së mirënjohur. Pa folur më gjatë për rrugën Kukës-Prizren; Shkodër-Koplik; në Vorfë apo në shpartallimin e operacionit nazist “Pik” etj. Se Dëshmorët e Lirisë vetëm bashkojnë dhe nuk futin pyka anadollake e kulpërake.

Sa herë dëgjoj mikun tim të mirë, Reshat Arbana, kur reciton mrekullisht “Hakërrimat” gjithnjë aktuale, pyes : A ka tjetër penë më demaskuese e fshikulluese sesa ajo e poetit të rebeluar, Ali Asllani ?! Bashkëfshatarë me Perlatin, të cilit i këndoi me zjarr zemre. Ish sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Ismail Qemalit. Ish Kryetari i Parë i Bashkisë së Vlorës. Dhe mbylli sytë përgjithmonë në varfëri, në krahët e ndershmërisë së tij proverbiale. Sepse “Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve !”.

Vargjet-kamzhik të Aliut janë aktuale dhe sot. C’të bëjë njerëzia që verbohet përballë luksit të tyre të shfrenuar e të tërbuar ? Drejtësia (vecanërisht SPAK-u e Prokuroria) ka ende frikë të ngjitet në majat e Politikës laragane të djeshme e të sotme. Dhe njerëzia mërmërin bashkë me aktorin e madh : “Hani, pini dhe rrëmbeni,/ mbushni xhepa, mbushni arka,/ të pabrek’ ju gjeti dreka,/ milioner ju gjeti darka !”.

E vërteta historike nuk mund të interpretohet sipas bindjeve politike apo sipas orekseve partiake për të siguruar ca thasë me vota kallpe. Po kështu, demokraci të vërtetë pa harmoni shoqërore të pastër, nuk mund të ketë. Hajdutët me spaleta zyrtare e politike (djathtas e majtas) i bëjnë gropën mëmëdheut. Në fund të fundit, përgatisin e hapin udhë për diktatura të reja.

T’u ngresh përkujtimore, buste e dekorata shërbëtorëve të poshtër të nazifashizmit dhe njëkohësisht të dëmtosh a shembësh lapidarë e monumente të LANC, emra të ndritur heronjsh e dëshmorësh, nuk është vetëm kthim i historisë kokëposhtë. Dhe as fitore ndaj “nostalgjikëve komunistë”. Shkurt, është përdhosje e krenarisë dhe e dinjitetit kombëtar !

Krenari e dinjitet që shkodranët e shpalosën bukur fiks 80 vite më parë edhe me pagëzimin e paharruar të Batalionit të Parë Partizan, me emrin e labit Perlat Rexhepi. Po fundi i fashistëve italianë në Shqipëri, ku u finalizua ? Në Recin e pathyeshëm të Shkodrës ! Sepse, sic raportonte Prefekti i kohës, “shumica e popullsisë së Recit është bashkuar me forcat partizane”. P.sh. 9 muaj më parë, gjatë luftimeve në shtëpinë e Bejto Faslisë në Doc, u vra në sytë e luftëtarëve vajza e tij e shtrenjtë. Kjo familje me rrënjë të forta atdhetarie, nuk dorëzoi asnjë partizan në duart e pushtuesit. Ose në Domn ku ra Tomë Kola. Komandant e komisar ishin bijtë e Martinaj dhe Vuthaj, Rexhep Haka e Sadik Bekteshi, që i vunë gjoksin stuhisë dhe dëborës frymëmarrëse nëpër Bjeshkët e Nëmuna…

Politizimet shterpa nuk i mjegullojnë dot 137 dëshmorët shkodranë të Atdheut. Më saktë se poeti bashkëfshatar i Perlatit, zor se e thonë të tjerë : “Ju do thoni si të doni,/ po e drejta dërmon hekur !”. Ajo i bën nder Shqipërisë : Tani tinë dhe unë, e dimë për Perlatin/ Djep kishte Beunë, varr ka Rozafatin…

6 Komente

  1. T
    Tropoja

    Po emra te heronjeve nga Kosova e jo vetem nga Shqiperia ka kudo si ne jug apo veri.Konferenca Bujanit ne Tropoje ka dhe ne rrethe te tjera.Ashtu si Asim Vokshi,Qemal Stafa Ismsili hassn etj jane mix pavaresisht jane nga jugu veriu Kosova.Kjo s'ka lidhje me 97".Emrat te njohur kane shkolla çeta partizane,institucione dhe para 1997.Kjo s'ka lidhje fare me ate vite te mbrapshte tjeter gje qe ish oficeret e sigurimit krijuan firmat piramidale dhe sollen perçarjen ne popull sepse ndryshe nuk e merrnin pushtetin.Dhe jo rastesisht keto piramida e me pas komitete shpetimi gjasme..linden ne jug sepse ishte me i pasur paraja aty ishte e jo ne veri.Arsyeja tjeter dihet jugu ka patur komuniste me shume se veriu gjithmone dhe pavaresisht se per 50 vite gjithe udheheqesit drejtuesit hetuesit gjykatesit dhe kryetaret e kooperativave e fermave ishin nga jugu ose me sakte jug perendimi i Shqiperise,nuk arriten te perçajne popullin ta bejne veriun kunder jugut.Tjeter gje ndodhi ne 97" o burra po na sulmon veriu pse ndodhi qe u be nje president nga veriu.Keta jane komunistet perçaje e sundo.

    1. A
      Agimi

      ...Po ka mbetur autori te '44, ti ke mbetur tek '97-a e Saliut, o kokèmish ! Autori i shkrimit èshtè disa minare mè lartè nga ju tè dy...

    2. H
      Hordhia e ndyre e Sali Rrumpallës

      Perlat Toska i vogël, Dridhe mal e kodër, Tunde mbarë nji Shkodër, Oso Kukë taman, Perlat Toskë vlonjaku, Aty ku t'ra gjaku, Lulëzon zambaku, Lule për mejdan. †************************** Ishte fatkeqësi per tere popullin qe gjakun e tere atyre trimave partizanë, qe dhanë jetën ne lufte kunder fashizmit, diktatura Enveriane e perdhosi duke ndertuar nje shtet qe vrau dhe persekutoi ata që mendonin ndryshe. Por kjo nuk do të thotë qe Lufta Antifashiste të mos jetë nje nga epokat e ndritura të popullit tone, kur ne u rreshtuam ne kampin antifashist fitimtar. Sikur Balli Kombetar dhe Legaliteti të kishin marre vërtetë armet kunder fashizmit, sot ndoshta do ishim si Greqia, Kroacia, dhe Spanja. Ndoshta. Siç rrodhen ngjarjet, nuk kemi per ta mare vesh kurre se çfare fati do kishim. Por bashkepunetoret e fashizmit sot kane bythe dhe flasin. Diktatura komuniste nuk e justifikon dot shitjen e tyre tek fashizmi. Të jesh antikomunist nuk do të thotë të behesh fashist. Fashistet dhe komunistet jane shumë afer me njeri tjetrin, kështu qe me mire ta qepin gojen.

      1. M
        Mergimtari Londer

        Ah mo Kristo Mertiri, te ka ngelur gozhda ne 44. Po pse mo Kristo ngateron shapin me sheqerin. A ishin ata partizanet qe I vune flaken (dogjen e vrane) cdu dilte perpara me "komandantet legjendare, Mehmeti, Hysniu,Badhuku,Spiro,Nushi e plot te tjere te udhehequr nga Hoxha dhe te komanduar nga jugosdhavet e Titos. Me ke luftonin, me nacionalistet, me zogistet, me badhistet, me ate pjese qe nuk pranonte bindjet komuniste, por ishin per nje bashkim te kombit shqiptar. Ishin po at komunste qe e genjyen popullin ne kohen e luftes, se do hame me luge floriri. Po at qe mashtruan anglezet dhe amerikanet. Po ata qe vrane kundershtaret e tyre politic. Po ata qe vrane roberit e luftes. Po ata qe vrane shqiptaret ne krahinen e kosoves. Po ata qe lane ne meshire te fatit refugjatet nga cameria. Po ata qe deshen ta benin vendin republike te jugosllavise. Po ata qe shkateruan pronen private, fene dhe sodhen ruset dhe kinezet. Po ata qe sodhen racionin dhe todhonin. Po ata qe ne 91 moren (nderuan xhakete) pushtetin duke krijuar ate shkaterim ne 97. Po ata qe mashtruan me mijra shqiptare te depozitonin parate e pakta qe fituan ne emigracion, ne ato firma. Dhe me vone te ndertonin vilat ne bregdet e pasuri te shumta maramendese. Po ata qe sot ne emer te demogracis nuk largohen nga pushteti. Po ata qe vrasin naten dhe te qajne ditën si dikur ne kohen e luftes, qe ti dhe akoma shume si ti mbureni akoma. Duhet te kerkohet falje per ate kohe qe na sodhi kete kohe. Kohe qe nuk punohet por kerkohet paraja qyl, pa integritet kudo ku shkojme. Ku akoma vriten shqiptaret me njeri tjetrin. Zoti na dhente force te kalojme kete semundje te vjeter, qe nuk duhet të na kishte zene.

        1. F
          Flutura

          Amerika beri gabimin fatal, qe e njohu Qeverrine e E. Hoxhes. Amerika duhej te investohej ne Shqiperi per nje Shtet Demokratik, ku ne parlament te ishte Partia Komuniste, Balli, legaliteti apo Social Demokratet. Kriminelet e luftes nga te gjitha palet te ndeshkoheshin edhe te ecej perpara. Ka 32 vjet "revansh" ndaj komunizmit. E ve ne thonjeza sepse eshte vetem me fjale...

          1. K
            Kristaq Berxholi

            Te kujtosh sot historine partizane eshte nder e lavdi. Eshte nder per ata qe rane ne lulen e rinse te tyre, per nje jete me te mire, per te dale nga ai llumi i mizerjes e mjerimit, nga ajo erresire shekullore ku malesori nuk dinte te shkruante nje germe te vetme, nje germe per fjalen nene e babe. Te dilte nga ajo erresire kur kafen ja jepnin nen gjunje per ta poshteruar, qe sot mjaft nga ata qe shkruajne e flasin genjejne e shpifin kunder heroizmit partizan, duke dashur te kthejne mesjeten e djeshme. Eshte nder e lavdi, eshte nje krenari te nderosh te renet, ti kujtosh ata per luften e bere. Sot, shume behen patriote dhe trima, por shume te rralle jane ata qe marrin penen e ulen e shkruajne per ato faqe legjende. E pikerishte eshte Kristua yne i nderuar e respektuar qe i ndrit pena kur shkruan. Eshte pikerisht ky qe i kujton ata trima qe ne mendje te tyre kishin parimin per Shqiperine e lirine japim jeten. Askush nuk I permend me pene lavdine e tyre. Mburen sot ca ballista e zogiste, ca badakçinj e lapangjoze qe rrinin mbrapa brekeve te gjermanit e sot na tregojne tallava se na paskan luftuar per kete vend. Kush i vrau djemte e Shkodres? Ja ata qe sot na tregojne se kane henger pula atje e ketu. Pse shkonin mbas gjermanit e mbas lufte, prapa serbit e englezit duke pritur çekun e bardhe. Te lumte pena i dashur Kristo. Te ndrite ajo mendje qe kujton Perlatin dhe te renet e tjere te ketij vendi me lavdi. Kenga e sotme, HANI DERRA PINI DERRA , eshte po aq e lavdishme per tu kujtuar atyre qe duan te ngrene nga varri e te rivrasin te rrenet, se ata rrojne ne zemrat e ketij vendi. Sot, me shume se dje kur njerrez te marre u sulen me Shik e me topa kunder gjysmes se Shqiperise meme, duhen kujtuar te rrenet partizane. Ishin ata qe dje putheshin me gjermanin e te tjeret. Ah mo KRISTUA YNE. PENA PUSHKE TU BEFTE. KUJTOJE LAVDINE, HEROIZMIN DHE ATA HERONJ QE SOLLEN DITET E MIRA PER KETE VEND. Te pershendes dhe te uroj me Shpirt te ndrite pena e mendja, jete te gjate e shendet.

            Lini një Përgjigje