Italia nuk ka humbur terren në Shqipëri

25 Korrik 2022, 17:36Blog Fabrizio Bucci*

Italia nuk ka humbur terren në Shqipëri

I Nderuar Zoti Kryeredaktor,

javën e shkuar, ndërsa lexoja shkrimin e gazetës suaj “Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën?” në të cilin deklarohej se Turqia ia ka kaluar Italisë, mu kujtua shprehja e famshme e Trilussa-s, një poet i njohur popullor roman i viteve të para të ‘900 (sikundër e dini unë jam nga Roma …). Trilussa dikur ka thënë se statistika është ajo shkencë sipas së cilës nëse unë ha një pulë të tërë dhe ti asgjë, mesatarisht kemi ngrënë nga një gjysëm secili. Me shpoti, poeti roman, ka dashur vetëm të thotë se shpesh herë numrat (në “statistikë”…) mund të shprehin atë çka ne duam.

I riktehemi ndërkaq të dhënave statistikore të INSTAT e të përpiqemi t’i lexojmë në mënyrë objektive. Sipas këtyre të dhënave, Italia vijon të ruajë vendi e parë në tregtinë me Shqipërinë edhe në muajt e parë të vitit 2022 me një vlerë të shkëmbimeve të barazvlefshme me 31.4% të vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimeve në Shqipëri, me një rritje të dukshme krahasuar me një vit më parë. Me një diferencë të madhe, në vendin e dytë, renditet Turqia me 8.4% (një të katërtën e Italisë) dhe në vendin e tretë Greqia me 6.8%.

Edhe në zërat e përmendura shprehimisht në shkrimin tuaj, apo në ato që lidhen me importet shqiptare, Italia rezulton të jetë Vendi i parë furnizues i Shqipërisë edhe në gjashtëmujorin I të 2022 me një vlerë të përgjithshme prej 104.079 milion lekë (rreth një e katërta e të gjtha importeve shqiptare). Në vendin e dytë renditet Turqia, me 55.044 mln lekë: pra gjysma e vlerës italiane.

Përsa i përket numrit të sipërmarrjeve të huaja në Shqipëri, ato italiane janë 2.553 (Instat_foreign_businesses). Ato përfaqësojnë përqindjen më të lartë të sipërmarrjeve të huaja që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin e Shqiponjave (42%), të ndjekura me një diferencë të madhe nga ato të Kosovës me 389 (apo 6.5%). Sipërmarrjet italiane zënë rreth gjysmën e fuqisë punëtore të sipërmarrjeve të huaja në Shqipëri (48%) dhe realizojnë vëllimin më të lartë tregtar (21,2% të totalit) krahasuar me sipërmarrjet e Vendeve të tjera që ushtrojnë veprimtarinë këtu.

Dëshiroj, pra, të siguroj të gjithë miqtë shqiptarë dhe të gjithë lexuesit tuaj se Italia jo vetem që nuk ka humbur terren por, përkundrazi, ka fituar. Italia është gjithmonë e më shumë e rrënjosur në realitetin ekonomik shqiptar e do të vijojë të jetë gjithnjë e më shumë. Pikërisht vitin e kaluar krijuam një “Komitet të Përbashkët për Investimet” në nivel ministror, në kuadër të të cilit është realizuar një takim vitin e shkuar në Romë e do të realizohet një tjetër takim në muajin nëntor, kësaj here në Tiranë, me pjesëmarrjen e dhjetra sipërmarrjeve që do të vijnë nga Italia për mundësi të reja investimi. Falë punimeve të këtij Komiteti, nën drejtimin e përbashkët të Kryeministrit Rama dhe të Ministrit të Jashtëm italian, investimet italiane po shënojnë rritje. Vetëm një muaj më parë shoqëria italiane DUFERCO ka blerë një hidrocentral shqiptar me një investim prej disa milion euro.

Në përfundim, duke cituar gjithmonë Trilussa-n: “nëse këmbëngul dhe reziston, atëherë ia del dhe fiton”.

Përshëndetje të përzemërta,

Fabrizio Bucci

*Letër drejtuar Kryeredaktorit të gazetës “Dita”, Adrian Thano, lidhur me shkrimin “Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën?”, botuar në datën 21 korrik 2022

 

2 Komente

  1. S
    Sulejman Pumi

    Me terhoqi vemendjen ky reagim i zotit Bucci. Duke u nisur nga numurat qe jane kokeforte dhe i japin te drejte zotit Bucci (pra Italia nuk ka humbur terren ne Shqiperi), dua te them qe Italia ka fituar terren e do te fitoje per shume aresye: nga shtetet e medha, avokati nr.1 i Shqiperise ne futjen e ardheshme ne BE, struktura ekonomike mjaft e perparuar e Italise, ndofta lider boteror dhe qe lakmohet nga vete shtetet e medha, cilesia e larte e nivelit te sherbimeve, niveli i larte i shkollave, numuri i madh i komunitetit shqiptar te vendosur aty pas renies se sistemit ne Shqiperi. Zoti Bucci keto nuk i permend se dihen. Ajo qe Italia nuk po ben tani ne Shqiperi, eshte investimi ne objekte prodhuese. Mbase e ka lene per te ardhmen, kur te kete perparim ne negociatat e pranimit. Megjithate, nje renditje e Turqise ne vendin e dyte pas Italise, respekton vete mundesite e Shqiperise dhe Turqise. Besoj se kjo renditje do te jete edhe per 10 vitet e ardheshme, ku prakticiteti i marredhenieve me Turqine e mund burokracine Europiane ne cdo drejtim: te ndihmave, te rregullave "mjedisore" qe shume here jane pretekst dhe pengese ne vete Europe, te shpejtesise se realizimit te marreveshjeve, etj. Edhe ne kuadrin e Open Balkan, ku do te jete nje treg virtual me i madh, besoj se Italia do te shtoje interesin tek ne ( Albania, una ponte verso i Balcani) dhe po ashtu interesi i Turqise do jete me i madh. Sa per Greqine, ekonomia e saj eshte mjaft e vogel dhe nuk mund te ndikoje shume ne Shqiperi tani e tutje.

    1. K
      Kotfare

      Se insisti e resisti ragiungi e conquisti

      Lini një Përgjigje