Ligji i lobimit si epifenomen i kapjes së shtetit

5 Shkurt 2026, 15:28Blog TEMA
Ligji i lobimit si epifenomen i kapjes së shtetit

Nga Florian Çullhaj


Max Weber na jep një lexim të thellë për mënyrën se si pushteti politik dhe privilegji ekonomik mund të bashkohen në një mekanizëm të qëndrueshëm shfrytëzimi. Ai e shpjegon këtë jo si rast të izoluar, por si një mekanizëm i tërë, ku shteti shndërrohet në mjet për të mbrojtur dhe riprodhuar avantazhet e grupeve më të pushtetshme. Kjo marrëdhënie është baza e konceptulizimit të Weber-it, i cili e quan ‘kapitalizëm politik’. Një fenomen i cili lidhet ngushtë me idenë e patrimonializmit modern, ku struktura ligjore të shtetit fshehin marrëdhëniet e ndikimit dhe përfitimit.

Në këtë kuptim, ligji për lobimin në Shqipëri nuk duhet të shihet thjesht si një instrument transparence administrative, por si një model që potencialisht normalizon pikërisht atë që Weber kritikonte. Weber argumenton se shpërblimi material dhe privilegjet nuk janë vetëm epifenomene të lojës politike, por janë thelbësorë për stabilitetin e pushtetit. Ai thekson se ndjekësit politikë dhe administrata nuk motivohen thjesht nga bindjet ideologjike, por,  kryesisht nga ‘plaçka’, përfitimi material që rrjedh nga kontrolli i pushtetit. Kur ky shpërblim institucionalizohet nëpërmjet një ligji që e legalizon dhe e rregullon lojën e influencës, rreziqet mahisen.

Ligji i lobimit e formalizon aksesin e privilegjuar në proceset vendimmarrëse, për ata që kanë aftësi për të paguar për konsulencë, rrjetëzim apo shërbime influencimi. Sipas projektligjit, aktorë të caktuar duhet të regjistrohen dhe të deklarojnë aktivitetet e tyre, fakt i cili në një sistem politik ideal do të rriste transparencën. Por, në realitetin shqiptar, ku struktura e pushtetit dhe burimet financiare, shpesh informale janë dominuese për një grup të vogël aktorësh ekonomikë dhe politikë, ky ligj mund të bëhet maskë legjitime për akses të privilegjuar.

Në një vend me një elitë të vogël ekonomike dhe me lidhje klienteliste, të privilegjuara me  politikën, ligji për lobimin rrezikon të konsolidojë fenomenin e ‘kapitalizmit politik’. Ku aktorë me burime financiare të mëdha do të kenë qasje të hapur tek vendimmarrësit dhe, në mënyrë paradoksale, do të përdorin kanale ‘transparente’ për të siguruar avantazhe ekskluzive për interesat e tyre. Me fjalë të tjera, privilegji ekonomik do të kthehet në kapital politik, ndërsa kapitali politik do të ushqehet përmes privilegjeve të siguruara nga ligji për lobimin.

Weber paralajmëronte se në një sistem të tillë shteti bëhet një ndihmës/facilitator i shfrytëzimit të pakicës mbi shumicën, dhe kjo është moralisht e padrejtë sepse politikisht jemi të gjithë të barabartë, për aq sa kemi një votë, pavarsisht të ardhurave. Shteti, do vazhdojë të ruajë monopolin e ushtrimit të dhunës fizike dhe legjitimitetin e rregullave, por këto rregulla, si në rastin konkret do të shërbejnë për të formalizuar privilegjet e pakicë me pushtet monetar. Për shembull, kur ligji do të lejojë që një kompani e madhe të punësojë lobistë të regjistruar dhe kur kjo kompani do të fitojë kontrata publike apo përfitime fiskale, kjo nuk është më vetëm një marrëveshje private, kjo është një formë ligjore e shfrytëzimit ekonomik të privilegjit politik.

Një kritikë tjetër weberiane lidhet me burokracinë moderne. Weber analizon se edhe kur shfrytëzimi bëhet më ‘ligjor’ dhe më teknokratik, ai nuk zhduket, por bëhet më i padukshëm. Ligji për lobimin synon të formalizojë një praktikë që ekziston prej vitesh në mënyrë informale dhe jo transparente. Në vend që ta shpërndajë ndikimin politik, ligji e kanalizon atë në forma të regjistruara që krijojnë iluzionin e kontrollit dhe barazisë. Por në fakt, aktorët e privilegjuar ekonomikë që tashmë kanë qasje të drejtëpërdrejtë tek politika do të vazhdojnë ta kenë këtë qasje, vetëm se tani me ligj dhe nën maskën e ‘transparencës’.

Kjo është pikërisht ajo që Weber-i paralajmëronte, kur pushteti politik dhe privilegji ekonomik bashkohen jo në mënyrë kontingjente, por përmes një strukture që duket legjitime. Në vend që ligji të shërbejë si mjet për rritjen e barazisë dhe për përfshirjen e interesave të shumicës, ai do të shërbejë për të formalizuar përfitimet e një pakice të privilegjuar, duke krijuar një sistem ku kapitali ekonomik dhe kapitali politik janë të pandashëm dhe tashmë ripërtërihen përmes mekanizmave ligjorë.

Si përfundim, nga një perspektivë weberiane, ligji për lobimin nuk duhet të kuptohet thjesht si reformë administrative. Ai është një test i cili shpalos qartë se si një shoqëri e vogël, me një histori përqëndrimi pushteti dhe pa kundërpesha reale të tij, e trajton marrëdhënien midis kapitalit dhe politikës. Pa reforma institucionale të thella, ky ligj rrezikon të kthehet jo në një instrument për demokratizimin e ndikimit, por një mekanizëm i zbutur i shfrytëzimit ekonomik të privilegjit politik./Mapo

2 Komente

  1. "
    "..."

    Politika është shprehje e përqendruar e ekonomisë, ka thënë dikush, jo Weberi. Pra, gjendja ekonomike përcakton edhe qëndrimin politik. Pra, politika varet nga ekonomia, nga sistemi ekonomik. Thyerjen e sistemit ekonomik, Weberi nuk na e rekomandon. Ndarjen e pushteteve në ekonomik dhe politik Weberi e bën me qëllim, që tu mbushë mendje juve të prrceptoni dhe shkruani kështu. Madje, përmend edhe shfrytëzimin e shumicës nga pakica; po pakica, kush është? mos vallë një grup politikanësh, që lozin rregbi dhe mundohen ti rrëmbejnë topin njëri tjetrit, me të njëjtat rregulla, me të njëjtët arbitra, ku njëra palë e ka të korruptuar se kanë të psguajnë, në të njëjtën fushë? Politikanët, s'janë veç një grup njerëzish, që përfaqësojnë: një palë pakicën, dhe një pjesë shumicën; përfaqësuar në parti politike, që siç thamë përfaqësojnë hallet e sejcilës palë. Pra, objektivisht, jo Weberjanisht, një që përfaqëson njërin pol shoqëror, që zotëron kapital ekonomik, sa nuk di se ç'ka dhe kjo, është pakica; dhe një tjetër që duhet të përfaqësojë rajanë, të punësuarit në këtë panair kapitali ekonomik. Ky, ngatërrimi që i bën Weberi, të bashkimit të kapitalit ekonomik me atë politik, eshtë brenda të njëjtëve lojtarë dhe ndrrimi i portave nuk përbën ndonjë lobim dhe as shtypje përasa i përket përkatësisë të pushtetit politik, madje nuk është as fenomen i kohëve moderne, ka ekzistuar që kur shoqëria u nda në klasa dhe njeriu komunar lejoi dikë në komunë të ketë më shumë dhe të krijojë pasunarin e parë. Të gjithë zotëruesit e kapitalit ekonomik, janë me atë që zotëron pushtetin dhe në kushtet e sistemit ekonomiko-shoqëror kapitalist ekzistues, për "pakicën", - që quan ti, por që sipas rregullave të lojës quhet "shumicë" se vjen me vota në pushtet, - pak rëndësi ka kush vjen në pushtet; ndaj është shpikur rotacioni i pushteteve, që një herë një krah, dhe një herë krahu tjetër të ketë mirësinë e dashamirësisë kapitaliste për të kënaqur majtas e djathtas, mjaft të mos thyhet sistemi ekonomiko shoqëror, që "kapitali ekonomik", përmes "kapitalit politik", e ruajnë me "filozofë" dhe mendimtar si si që citon, art, letërsi, masmedia, univrsitete ku mësohet ekonomia loberale e falimentuar 200 vjet më parë, por që është mbrojtëse e sistemit të tanishëm, që nuk po gjen dum e rrugdajle, etj si dhe me ushtri e bomba atomike, që, ndryshe, pas tij, gur mbi gur të mos mbesë. U arrit deri atje sa kapitali politik i kapitalit ekonomik aktual të blejë këtu, afër 100 vjet më parë, vetë sistemin politik kundërshtar në botë. E për të bërë politikë, ç'është e vërteta, duhet një kapital ekonomik goxha i madh, jo e kundërta; kështu ka ndodhur edhe me Weberin. Bindja ideologjike rrjedh nga qenja materiale dhe formimi kulturor, por ta mer mendja që jo politikë, por as fe nuk mund të bësh po nuk ke të mbushur barkun, e pra si e sa e mbush barkun - këtu është fillimi botkuptimor, natyrisht, ku bën pjesë edhe ideologjia. Prona private mbi mjetet e prodhimit, në fund të fundit, janë shkaku i këtij mjerimi shtypës, jo blerja që na paraqet Weberi, që përmend ti, i ekonomisë nga politika. ----------Në vende si ne, nuk ka rendësi, në fund të fundit, se kush vjen në pushtet, populli thjesht pret të jetojë më mirë, pa thikën në palcë e ka në kuptimin të shfrytëzimit ekonomik të pakicës, (të asaj të vërtetës, jo të asaj që thotë Weberi), si nga njëra ashtu edhe nga pala tjetër. Pushteti i popullit është veç një farsë edhe pse vjen me votë. Ai nuk mund të jetë i tillë, përderisa sa egziston shfrytëzimi i njeriut nga njeriu dhe përvetësimi privat i mbivlerës. Shkollë që të popagandojë Marksin, Engëlsin, etj nuk ka, larg socializmit real, se ishte "diktatur", a thua se ky "demokratiku" nuk është njëlloj: "diktaturë", as nuk bëhen leksione të veçsnta në shkollat e larta që përgatisin filozofë, mbi këto çështje, po të flasësh për to bën bladfemi, e petsekutohesh, siç ndodhi pak kohë më parë, që u anatemua si marksiste, kur e shkreta në thelb nuk qe e tillë; e pra, këta politikanë nuk i pranon sistemi, mësojnë keq miletin, "ti", e atemon, për të qënë brenda, pa njohur thelbin e filozofisë të tyre, ama për Weberin posi... i mësojmë të rinjtë me të... nuk përbën rrezik ai,... merret me dokrra që i di gjithkush dhe i kanë përmendur edhe të tjerët, e që në thelb, nuk thotë asgjë të re, e nuk jep asnjë mëndje se si mund të vijë shumica e vërtet, veç asaj të, kur ti presim rrugën bashkimit të kapitalit ekonomik me kapitalin politik. Prisni dhe shpresoni, kur kapitali ekonomik dhe politik të bëhet bamirësi juaj. Një grup politik i ka 83 mandate, a mund t'ia japi pushtetin e vërtetë shumicës së vërtetë, që dhe i ka votuar? Ajo nuk ka fuqi të merret me një shoqatë gjykatash, që mund t'a marrë pushtetin nesër, jo më të bëhet fjalë për fillim të ndryshimeve ekonomiko-shoqërore, qoftë edhe në mënyrë social-demokrate. Thërrimet të mbajnë gjallë, por nuk të ushqejnë.

    Përgjigjjuni
    1. W
      WEBER

      Pa pasur nevoje te permendet Weber ne 20 raste, nuk duhet shume mend per te kuptuar se ligji i lobingut eshte ligjerimi i ndikimit te hapur te oligarkise ( atyre qe disponojne parane e madhe ) ne vendimmarrjet shteterore ose, me qarte kapja me ligj e shtetit nga nje pakice e privilegjuar ( kryesisht hajdute te paskrupullt ). Ky eshte kapitalizmi real. Pastaj, perrallat per demokraci, barazi para ligjit, te drejte vote, tubimi e shkerdhimi jane reklama per te mashtruar tufen pafundesisht te madhe te budallenjve.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje