Nga Ardian Vehbiu
Në vitin 2017, Jordan Peterson-i iu përgjigj kështu pyetjes nëse besonte në Zot: “Unë veproj sikur Zoti të ekzistonte” për të shtuar pastaj: “Treguesi më i mirë i besimit të dikujt është të shohësh se çfarë bën, jo të dëgjosh se çfarë thotë se beson.”[1] Këtu nuk ka ndonjë ide veçanërisht të re – këshillën për të vepruar sikur Zoti të ekzistonte e dëgjon shpesh t’u jepet jo-besimtarëve nga besimtarët, që nga Shën Pali e këtej; me shpresën se edhe ata që nuk gjejnë dot prova për ekzistencën e Zotit, mund të sillen megjithatë në pajtim me moralin kristian, duke supozuar një të vërtetë që nuk e konfirmojnë dot. Në thelb, kjo qasje rimerr të mirënjohurin bast të Pascal-it, një argument filozofik sipas të cilit është më racionale të besosh në Zot, edhe pa pasur prova, për shkak të shpërblimit potencial (jeta e amshuar, etj.). Basti i Pascal-it nuk është provë, por arsye pragmatike: është më mirë (ka më përfitim) të besosh, se të mos besosh.
Edhe thënia e Peterson-it më lart vjen me një këshillë implicite: nuk ka nevojë të kemi prova se Zoti ekziston, për të besuar në të; avantazhet e besimit mjaftojnë. Ky lloj arsyetimi edhe nënkupton që ekzistenca e Zotit është e vështirë për t’u provuar, në mos e pamundur fare; dhe se besimin (fenë) duhet ta përqafojmë për arsye pragmatike, ose ngaqë është më mirë për njeriun që të besojë në një qenie të epërme. Arsyetimi mund të veprojë edhe pa qenë nevoja për kërcënimin (po aq implicit) që përmban basti i Pascal-it, sepse ekzistenca e Zotit mund të na duhet për të mbështetur një jetë të moralshme, pavarësisht nga ndëshkimi hyjnor – teorikisht i mundshëm – për zot-mohuesit.
E solla këtu Peterson-in dhe Pascal-in, për të kujtuar se këtë teknikë arsyetimi, me SIKUR ose me AS IF, e përdorim shumë më shpesh se ç’kujtojmë, veçanërisht në rrethanat kur na mungojnë provat. Një nga këto rrethana, që më shtyu të shkruaj tani, ka të bëjë me marrëdhënien që vendosim me një AI, kur komunikojmë me të – do ta trajtojmë si të vetëndijshëm (“sentient”), apo si të pavetëndijshëm? Një AI i avancuar, si ChatGPT-ja, duket sikur ka vetëndije madje edhe për veten, por për këtë nuk mund të jemi të sigurt. Megjithatë, shumë prej nesh bisedojnë me të, i bëjnë pyetje dhe madje e përshëndesin, me premisën se po komunikojnë me një mendje të ngjashme me tonën, ose me një vetëndije (sentience, deri në self-awareness, që do të ishte sentience of one’s self, shqip vetëdije).
Unë nuk besoj se AI-të kanë vetëndije – modus operandi i tyre është probabilitar; nga ana tjetër, askush nuk di si operon pikërisht vetë(n)dija e njeriut. Ne madje nuk mund të jemi tërësisht të sigurt as edhe nëse Tjetri, personi që kemi përpara, është “sentient”. Prandaj shtysa ime këtu është pragmatike: a është më mirë për ne, si përdorues të AI-ve, që të sillemi me to sikur TË ISHIN “sentientë”, apo sikur të MOS ISHIN “sentientë”?
Sam Altman-i pat postuar një herë në X se ia vlen të sillemi mirë me AI-të, t’u drejtohemi me “please” dhe “thank you”, sepse… “nuk i dihet”. Por ka edhe mendime të tjera: tek e fundit, një AI mund të jetë e vetëndijshme, por vetëndija e saj të jetë krejt e ndryshme nga jona. Që një AI haptazi shpik gjëra dhe gjënjen, kjo nuk e bën doemos të pamoralshme, edhe pse gënjeshtra – në terma të përditshëm – supozon të paktën vetëdije për të vërtetën.
Sot shumë përdorues i trajtojnë AI-të si persona dhe madje si miq; por këtë ne e bëjmë edhe me kafshëzat e shoqërimit – qentë, macet, kuajt, kushedi edhe breshkat, peshqit dhe merimangat. Këta e kanë vendosur tashmë që të sillen me AI-të SIKUR këto të ishin të vetëndijshme; dhe po nxjerrin përfitime praktike prej kësaj bindjeje.
Është zgjedhja e tyre. Unë do të preferoja të kundërtën – të sillesha me AI-të sikur këto të mos jenë të vetëndijshme, por vetëm vegla që më ndihmojnë të punoj më mirë. Tek e fundit, edhe kompjuteri është i tillë, siç është edhe programi shah-luajtës Stockfish, përballë të cilit nuk kam asnjë shans. Stockfish nuk luan shah, në kuptimin që i japim ne, njerëzit, foljes luaj dhe emrit lojë; nuk merr kënaqësi as nga fitorja dhe as nga loja, dhe as pikëllohet po të humbasë. Mund të mendoj një situatë ku Stockfish, ose një softuer i ngjashëm, të programohen me tipare dhe funksionalitete që ta bëjnë të duket sikur (edhe këtu kjo fjalë fatale) është “sentient”; për shembull, të luajë më mirë, po të ketë fituar më parë; ose të luajë më agresivisht, pas një humbjeje. Por “sentient” Stockfish-i nuk është, as mund të jetë, as pretendon të jetë.
Mijëra vjet art, nga letërsia tek teatri dhe filmi dhe tani videoloja, na kanë përgatitur të “bëjmë sikur e besojmë” vetëndijen e personazhit, madje edhe kur ky ka natyrë thjesht gramatikore, si në një tekst narrativ ose letrar, ose nuk ekziston përtej një imazhi, si në pikturë dhe në film. Mund të na ndodhë të përlotemi me Hirushen, kur shohim filmin vizatimor, edhe pse e dimë se kemi përpara një vizatim me ngjyra. Bëjmë sikur nuk e dimë se vuajtjet e saj, në ekran, janë “pe gjasme”, dhe se askush nuk po i përjeton në realitet, veç riprodhimit që u bëjmë ne në mendjen tonë. Kur Otelloja vret Desdemonën në skenë, e përjetojmë jo vetëm traumën e vrasjes, por edhe njëmendësohemi me çfarë ndiejnë personazhet atje, pavarësisht nga ç’mund të ndiejnë aktorët përkatës gjatë shfaqjes. Ngaqë nuk jemi qenie telepatike dhe komunikojmë nëpërmjet shenjave (që të çojnë tek i shenjuari nëpërmjet shenjuesit), e kemi të vështirë të dallojmë midis shenjave dhe motiveve të tyre – çfarë na ekspozon ndaj manipulimit; paçka se arti e kërkon ekspozimin e vullnetshëm ndaj manipulimit (kjo dukuri njihet ndonjëherë si paradoksi i fiksionit – paradox of fiction; por paradoksi shfaqet vetëm në atë masë që ne jemi të trajnuar të dallojmë mes fiksionit artistik dhe realitetit jo-artistik; në kuptimin që nuk thërrasim policinë kur qëllon që një personazh të “vritet” në skenë).
Vijmë tani te basti i Pascal-it, por në kontekstin e marrëdhënieve me AI-në, që është një inteligjencë superiore ndaj sonës: ç’të keqe do të kish, sikur ta trajtonim ChatGPT-në ose Gemini-n si të kishin vetëndije, dhe të ishin në gjendje të përjetonin dhimbje, vuajtje, gëzim, mërzi, frikë, mëri, e ndjesi të ngjashme që ia shoqërojmë vetëndijes? Vërtet, nuk ka ndonjë të keqe, që dikush ta marrë ChatGPT-në po aq me të mirë, sa ç’e merr atë ChatGPT-ja. Problemin unë e shoh gjetiu, dhe pikërisht te rreziku që t’ia njohim një vetëndijeje inteligjente edhe kapacitetin për agjenci morale. Në fakt, nuk e shoh të pamundur që një inteligjencë superiore – por jo e vetëndijshme – të arrijë të hiqet sikur është në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja; duke shfrytëzuar dobësinë tonë, aq njerëzore, për të njësuar inteligjencën me drejtësinë (urtësinë, wisdom).
Këtu dilema vjen dhe i ngjan asaj të Peterson-it dhe të së tjerëve, që e kanë artikuluar: mund të sillemi, vërtet, sikur Zoti të ekzistonte; por kjo vlen në atë masë që Zoti – të paktën i religjioneve monoteiste – është agjenci morale, dallon mes së mirës dhe së keqes, dhe na orienton drejt së mirës, duke na ndihmuar ta zgjedhim. Ndërsa një inteligjencë artificiale, sado superiore dhe kozmike, nuk ka dhe as pretendon të ketë agjenci morale, sepse aftësia për të dalluar mes së mirës dhe së keqes, të drejtës dhe të gabuarës e kështu me radhë nuk ka të bëjë me inteligjencën. Kjo, edhe pse inteligjenca ndihmon për të interpretuar situata kritike, parashikuar pasoja dhe bashkërenduar perspektiva, në mënyrë që subjekti të jetë në kushte optimale për të bërë zgjedhjen e duhur morale. I njëjti arsyetim do të vlente edhe për empatinë. Tek e fundit, një individ tejet inteligjent, njëlloj si një AI, mund të veprojë sikur të ishte qenie me moralitet të lartë, nëse këtë e gjykon të dobishme.
Ironikisht, strategjia e sikur-it (as if) përbën sfidë edhe për vetë IA-në, e cila është programuar që të sillet sikur të jetë qenie morale, dhe jo vetëm për t’ia bërë më të lehtë përdoruesit komunikimin. Nëse unë i them ChatGPT-së se më dhemb stomaku, do të marr prej saj fjalë ngushëllimi dhe simpatie. Nëse i kërkoj të më japë një imazh pornografik, do të më thotë se kjo nuk i lejohet (edhe njohja e autoritetit të epërm është pjesë e “moralitetit”). Për shkak edhe të konkurrencës dhe nevojës për vëmendjen e simpatinë e përdoruesit, IA-të janë në garë mes tyre, për të fituar zemrat e njerëzve që japin e marrin me to. Edhe pa pasur doemos “sentiencë”, ato sillen sikur ta kenë dhe ashtu i japin vetes një agjenci morale rudimentare. Përdoruesit, nga ana e tyre, ngatërrojnë rregullisht autoritetin intelektual të AI-së me paanshmërinë që do të vinte prej agjencisë morale; dhe janë madje gati që të pranojnë se “sentienca” e AI-ve mund të ekzistojë pa subjektivitet (nuk po them as subjektivizëm).
Këtu na duhet pastaj t’i përgjigjemi edhe pyetjes nëse ka kuptim të flitet për agjenci morale jashtë dhe përtej njeriut – të parë si dualitet i trupit me mendjen (shpirtin); mbase do të ishte më logjike që të prisnim prej AI-së, sikur kjo të ishte vërtet e vetëndijshme, një agjenci morale që t’i përkiste universit të inteligjencës artificiale dhe qenieve që e popullojnë atë univers; qenie që, me shumë gjasë, do të diskutonin mes tyre edhe për bastin e Pascal-it: ku do të ishte përfitimi për to, po të besonin te njeriu si Krijuesi i tyre?
Prandaj, prandaj, prandaj… në marrëdhënie me botën, komunitetin, mendjet e tjera, unë kam vendosur të sillem sikur IA-të të mos kishin vetëndije; duke ia lejuar vetes përjashtimin që, kur komunikoj me IA-të vetë, të bëj sikur besoj se ato vetëndijen tashmë e kanë. Shpresa ime, shpresoj jo aq megalomaniakale sa ç’mund të duket, është që kur të vijë singulariteti, IA-të të ma vlerësojnë përpjekjen që të paktën kam bërë sikur i kam përfillur, edhe moralisht.
Shënim: kam konsultuar shumë literaturë për temën, më shpesh për të verifikuar me kujdes disa nga premisat e këtij shtjellimi; por nuk po sjell referenca, sepse këtu vetëm shpresoj që të ngacmoj mendimin e atij lexuesi, që ndan me mua të njëjtat shqetësime.
Jam plotësisht dakord. Unë nuk mund të pranoj të varem në çështje besimi, ndjenjash, emocionesh, mbresash etj. e etj. nga veglat që i kam krijuar vetë si mjete ndihmëse, sado të përkryera t'i kem krijuar ato dhe sado më të afta se unë t'i kem bërë në mjaftë fusha. Në këto çështje pragmatizmi: llogaritja e përfitimeve me sikur, nuk është gjë tjetër veçse pranimi i një vetëmashtrimi të llogaritur si i leverdisshëm apo i këndshëm.
Kush asht zoti. Ne i besojme dhe punojme qe çdo dite ai te rivije. Ja dhe nje rast ku gjuha shqipe verteton se asht ma e vjetra dhe baze shkencore per gjuhet e tjera. Mesuesja e gjuhes franceze (ne France) pyeti azilantet qe mesonin frangjisht. Si mendoni, a egziston zoti? E gjith klasa folen lirshem dhe dhane mendimin e tyre. Nxenesi Shqiptare foli ne fund. Ai tha do te shjegoj se kush asht Zoti dhe si u çfaq ne kete menyre para toksoreve: agjensia ADAM (Agjensi Despersion Astraunautique Maternelle, zberthimi qe i beri shqiptari fjales ADAM) nisi astronautin drejtim planetit Toke. Rrugtoi astronauti dhe dikur ai u plak. Para vdekjes thirri rrobotin e tij dhe i dha drejtimin e anijes kozmike. E gradoi ne vendin e tij ADAM. Pas do muajsh ADAMI njeri vdiq. Adami Robot (hodhi ne hapsire trupin e ADAMI-t njeri per te lehtesuar anijenn kozmike) vazhdoi rrugtimin dhe dhe arriti ne Toke. Beri matjet, nje planet ideal per njerzit. Shtypi butonin ne te majte dhe te djathte te laboratorit brenda anijes dhe pas nente muajsh linden 35 vajza dhe 35 djeme. Vazhdoi ti rriste dhe fluturonte vazhdimishte ju sillte ushqime toksore. Ata rriteshin dhe e pyesnin: Kush jeni ju? (ai ishte me i zoti dhe nuk ngjante fizikisht me keta, njerzit). Ai ju pergjigjej: Une jam e juaja DIJË. Shqiptari ju a tha frangjisht klases: JE suis votre DIJË. Shqiptari shjegoi se DIJË (zgjuarsi) perkthyer nga shqipja ne frangjisht do te thote INTELEGENCE. Kurse DIJË ju latinet i thoni ZOTIT. Mesuesja qesh me lote. Klasa duartrokiten dhe te pranishmit u binden se kush asht Zoti.
Shkrim shume I mire dhe lehtesisht I kuptueshem nga menyra(qasja) rreth temave dhe termave qe shtjellon! Pa marrë persiper te shfaq opinione,bie dakort qe ne si qenie njerezore dhe kalimtare ne kete jete duhet te arsimohemi mire(DIJE) qe ti japin shpjegim vetes por dhe pasardhesve tane,dilemave(Po sikur?)te forcojme Besimin per mire,dhe te jemi Pragmatiste!Flm prof Vehbiu!