Ndryshojnë rregullat për tenderët – Institucionet me më pak se 15 punonjës, vetëm procedura me vlerë të vogël

23 Mars 2024, 21:10Ekonomia TEMA
Ndryshojnë rregullat për tenderët – Institucionet me

Çdo institucion që ka më pak se 15 punonjës do të mund të zhvillojë tenderë vetëm me vlerë të vogël. Ndërkohë që, për tenderët që tejkalojnë kufirin e prokurimeve me vlerë të vogël, autoriteti apo enti kontraktor duhet t’i drejtohet organit epror, në rast se ka një të tillë. Nëse jo, kërkesa për zhvillimin e tenderit, me qëllim sigurimin e punëve, mallrave apo shërbimeve duhet t’i drejtohet organit qendror blerës.

Gjithçka përcaktohet në ndryshimet ligjore që tashmë kanë hyrë në fuqi, teksa Agjencia e Prokurimit Publik thotë se ky parashikim ka për qëllim t’u vijë në ndihmë atyre institucioneve që kanë në strukturën e tyre organizative një numër të vogël punonjësish dhe nuk kanë mundësi të ngrenë strukturat e nevojshme për zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Po ashtu, APP iu kujton këtyre institucioneve që krijojnë elementin e regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, duhet të deklarojnë tek fusha “justifikimi për regjistrin” numrin e punonjësve në strukturën organike.

Ligji i ri ka sjellë edhe një sërë ndryshimesh të tjera në kryerjen e procedurave të prokurimit publik, jo vetëm për institucionet, por edhe për operatorët ekonomikë.

Sipas APP-së, qëllimi i këtij ligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke synuar përafrimin e mëtejshëm me Direktivat e Bashkimit Evropian.

Lini një Përgjigje