“Superleku” ndryshon hartën e eksporteve – Shqipëria humbet terren në tregjet italiane dhe gjermane

30 Nëntor 2023, 22:10Ekonomia TEMA
“Superleku” ndryshon hartën e eksporteve – Shqipëria

Eksportet e produkteve” Made in Albania”  kanë vijuar rënien nga muaji në muaj, ku në Tetor arritën vlerën 37 miliardë lekë, duke u ulur me -4,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por përpos rënies në vlerë, ajo që vihet re është se ka ndryshuar edhe harta e tregjeve.

Të dhënat progresive të eksporteve sipas grup mallrave dhe partnerëve kryesorë për muajin Tetor 2023 të publikuar nga INSTAT, vënë në dukje se eksportet nga Shqipëria kanë humbur terren në tregjet e Italisë, ku vihet re një rënie me 16.8 miliardë lekë krahasuar me Tetor 2022 dhe po ashtu rreth 8.7 miliardë lekë minus me Gjermaninë.

Ndërsa rritje të vlerës së mallrave të eksportuara vërehet me Kosovën dhe Greqinë, respektivisht me 3.8 miliardë lekë dhe 3.3 miliardë lekë.

Por cilat janë shkaqet e humbjes së terrenit me Italinë dhe Gjermaninë? Peshën kryesore në grup mallrat e eksportuara dhe po ashtu rënien, e zë grupi tekstile dhe këpucë.

Mbiçmimi i lekut nga muaji mars dhe në vijim, ka vënë në vështirësi industrinë me material porositësi, të cilët shprehen se humbjet mujore arrijnë në rreth 9 milionë euro. Kjo situatë ka afektuar në tkurrjen e sektorit dhe shkurtimin e vendeve të punës, si dha ka pasur ndikim në kontratat me Italinë dhe Gjermaninë të cilat janë dy tregjet kryesore të këtij sektori.

Së fundmi eksportuesit kanë zhvilluar një tjetër konferencë ku kanë kërkuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë që të marrin masa për stabilizimin e situatës, me argumentin se po shkurtohen afro 50 vende pune në ditë dhe se kompanitë po synojnë të ikin nga Shqipëria për shkak të humbjeve të konsiderueshme nga rënia euros. Por, deri më tani nuk ka pasur asnjë masë konkrete për lehtësimin e tyre. (Elisabeta Dosku)

Lini një Përgjigje