Kush i porosiste vrasjet? Ekzekutimet i bënte ‘agjensia’ e Laert Haxhiut me ‘shokët’ e tij

28 Shtator 2023, 10:43Kronika TEMA
Kush i porosiste vrasjet? Ekzekutimet i bënte ‘agjensia’ e

Artan Tafani, i arrestuar disa ditë më parë si autor i grabitjes së një pike këmbimi valutor në Astir të Tiranës, ka zbardhur disa vrasje të bujshme.

Dëshmia e tij ka çuar në zbardhjen në total të 16 ngjarjeve kriminale. Bëhet fjalë për 6 vrasje të ndodhura në kohë dhe në vende të ndryshme, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 raste të vjedhjes me dhunë dhe 3 raste të sigurimit të kushteve për vrasje.

Po sipas të njëjtave burime, këto ngjarje kriminale janë bërë për llogari të grupit të Laert Haxhiut.

Arrestimi i Tafanit ishte mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe dyshimeve të përfshirjes së tij në grupin e Haxhiut. Ai mbahej nën vëzhgim për disa kohë deri sa uniformat blu ndërhynë duke e arrestuar. Tafani është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Në mesin e emrave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhërarreste janë Bledar Berberi, Mariglen Topuzi dhe Firdeus Berberi.

Të 4 këta persona janë në fakt pas hekurave. Laert Haxhiu ndodhet i burgosur në Greqi. I konsideruar si person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, ai u kap në Janinë në Maj të këtij viti.

Haxhiu po lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro.

Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona. 

Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.

Në makinë me Haxhiun ndodhej Juxhin Bajrami dhe Firdeus Berberi.

Firdeus Berberi, 22 vjeç ishte i kërkuar nga policia shqiptare për plagosje të rëndë me dashje. Ai akuzohet si një nga dy autorët e plagosjes me armë zjarri të Johan Muçllarit, ngjarje e ndodhur në Prill të 2022-it në Pogradec. 2 muaj pas kësaj ngjarjeje, policia arrestoi njërin prej tyre, Griseld Maxharin, ndërsa Firdeus Berberi u shpall në kërkim. Prej asaj kohe, ai vijonte të ishte në kërkim.

Mariglen Topuzi ndodhet aktualisht në qeli. Ai është arrestuar pas ngjarjes që ndodhi në Gusht të 2020-s, ku qëlloi me breshëri automatiku drejt hotel “Volorekës” në Pogradec. Pjesa më e madhe e plumbave u qëllua drejt dhomës ku flinte djali 20-vjeçar i pronarit të hotelit, Jetmir Muçllari. 

Por si pasojë e të shtënave mbetën të terrorizuar pushuesit e hotelit të cilët thanë se breshëritë e kallashnikovit zgjatën për disa minuta duke vënë në rrezik jetën fëmijëve të tyre. Më parë, Topuzi është dënuar me 10 muaj burg për djegien e makinës së djalit të pronarit të hotelit. Mariglen Topuzi është arrestuar edhe më parë pas një operacioni antidrogë. Ai u kap bashkë me Tom Hilën me një ngarkesë prej 600 kilogramë kanabis që dyshohej se do të çohej drejt Greqisë.

Edhe Bledar Berberi ndodhet në qeli, i arrestuar po ashtu më herët për krime të tjera.

1 Komente

  1. p
    pilo Lala

    Bravo Policia, bravo SPAK. Vazhdoni edhe pak me Gerdecin, 21 Janarin, CEZ-DIA,jane krime shteterore

    Lini një Përgjigje