Teatri Shëtitës “Çajupi” nis stinën teatrore me komedinë brilante “Dasma e hatashme”. Pas Ballshit ku u shfaq për publikun, komedia me regji nga Kiço Londo këtë shtator do të jetë tre mbrëmje me radhë në Tiranë.
Në datat 4, 5 dhe 6 shtator në mbrëmje në teatrin veror të liqenit artificial ju pret dasma më e suksesshme e vitit në Tiranë. Dasma do të jetë në qiell të hapur. Vepra e autorit Robin Hawdon ka në role aktorët Julian Deda, Fatma Haxhialiu, Ermira Hysaj, Marjana Kondi, Denisa Demaj dhe Engjëll Hoxha.
Në dasmën e Jul Dedës që luan Tom në rol, ajo që duket nuk është asgjë në krahasim me atë që ndodh dhe fshihet nga mbrapa dasmës. Të hënën, të martën dhe të mërkurën ora 20:00 publiku në teatrin veror të liqenit artificial do të shijojë kaosin marramendës, që u ndodh dasmorëve.
Një tekst mahnitës, kostume fine, aktorë të mrekullueshëm në këtë komedi. Ngjarjet në veprën teatrore “Dasma e hatashme” me të cilën Teatri Shëtitës “Çajupi” nis stinën e re teatrore përshkruhen nga një kaos, nga mungesa e qetësisë, nga zgjedhjet gabim, nga çorientimi psiqik dhe fizik i personazheve dhe vetëm ndërhyrja e fortë e dashurisë bën që situata të kthehet në normalitet.
“Dasma e hatashme” një komedi tipike britanike, që përfshin një numër të pafund përplasjesh me shpejtësinë e dritës. Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë. Dhëndri dhe shoku që është dhe kumbari (duke mos ditur kush është vajza) e kalojnë aktin e parë duke u përpjekur të fshehin situatën nga nusja dhe të përdorin shërbyesen e dhomave. Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores.
Shoku i ngushtë, nusja dhe nëna e nuses fillojnë të bashkojnë të gjitha pjesët. Gjithçka funksionon në fund, por jo pa dhimbje. Përveçse është një komedi e bukur, e shpejtë, me karaktere të fuqishme, me dialog brilant, vepra ka edhe një linjë të dashurisë romantike. Vepra është përkthyer nga Artur Lena.
Komedia është shfaqur më parë në Tiranë, por dhe në qytetet si Librazhd, Përrenjas, Korçë dhe Pogradec, etj, ku publiku ka mbushur sallat. Teatri Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo ka sjellë deri tani prodhime të ndryshme teatrore, një sukses me veprat që janë shfaqur për publikun. Në vijim të tyre vjen dhe komedia brilante “Dasma e hatashme”.
“Dasma e hatashme” është mirëpritur shumë nga publiku, por regjisori Kiço Londo më herët ka treguar se rezultati i punës për këtë komedi u pa më parë që në premierën në qytetin e Elbasanit.
Robin Hawdon (lindur më 28 mars 1939) është një dramaturg i njohur anglez. Veprat e tij janë vënë në skena të ndryshme teatrore. Ai gjithashtu ka karrierë dhe si aktor e regjisor. Hawdon drejtoi shfaqje të ndryshme në Londër.
Lini një Përgjigje