Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi një leksion për veprimtarinë e akademikut Zeqirja Ballata

18 Prill 2026, 13:12Kulturë TEMA
Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së

 Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi një leksion shkencor kushtuar veprimtarisë dhe kontributit të akademikut Zeqirja Ballata, figurë e shquar e muzikës dhe mendimit muzikologjik shqiptar.

Aktiviteti u hap nga zëvendësdekania e Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve, prof. asoc. Silvana Skënderi e cila vlerësoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen dhe për krijimin e vazhdueshëm të hapësirave për diskutime dhe veprimtari shkencore në fushën e arteve.

Pjesa kryesore e aktivitetit ishte paraqitja e kumtesës Lectio Magistralis kushtuar akademikut Zeqirja Ballata, nga kompozitori Jetmir Zaganjori ku ai solli një trajtim analitik të jetës, veprës dhe kontributit të tij në muzikologjinë dhe krijimtarinë muzikore shqiptare.

Kjo temë është dhe pjesë e studimeve doktorale të kompozitorit Zaganjori (Monografi: Kompozitori Zeqirja Ballata – Jeta dhe trashëgimia muzikore, vendi i tij në muzikën bashkëkohore shqiptare).

Zaganjori e cilësoi Ballatën si një figurë qendrore të mendimit muzikor në Kosovë, i cili ka ndërthurur rolin e kompozitorit me atë të muzikologut, duke ndërtuar ura lidhëse ndërmjet traditës muzikore dhe zhvillimeve bashkëkohore evropiane.

Zaganjori nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kontekstit historik dhe kulturor të Kosovës në formësimin e kësaj figure, duke e paraqitur zhvillimin e jetës muzikore si një proces kompleks, të ndikuar nga rrethana politike dhe shoqërore. Ai theksoi kalimin nga tradita gojore dhe folklorike drejt institucionalizimit të jetës muzikore pas Luftës së Dytë Botërore, proces që ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e brezit të kompozitorëve, ku bën pjesë edhe Zeqirja Ballata.

Më tej, u vu në dukje evoluimi i muzikës në Kosovë nga praktikat tradicionale drejt strukturave institucionale dhe ndikimeve të muzikës bashkëkohore evropiane, duke krijuar një terren të ri për zhvillimin e gjuhës muzikore dhe të krijimtarisë artistike.

Në aktivitet mori pjesë edhe familjari i akademikut, Ragip Ballata, i cili përcolli përshëndetjet e familjes dhe theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për vlerësimin e figurës dhe trashëgimisë së tij.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.

Aktiviteti u mbyll me interpretime muzikore: Silvana Skënderi interpretoi në piano veprën “Jehonë nga Bjeshkët e Nemuna”, ndërsa, në një interpretim të përbashkët në piano dhe fizarmonikë nga Silvana Skënderi dhe Elton Balla, u soll vepra “Canticum Scodrense”, duke i dhënë aktivitetit një mbyllje artistike të denjë, në harmoni me frymën e leksionit shkencor kushtuar figurës së akademikut Zeqirja Ballata. A.K./TemA

Lini një Përgjigje