Në ambientet e Këshillit të Qarkut Korçë ka nisur dje konkursi “Gjuha Ime”, një aktivitet që zhvillohet në kuadër të muajit të alfabetit shqip për të kremtuar kështu një pjesë të rëndëishme të trashëgimisë sonë materiale: gjuhën shqipe.
Në këtë garë marrin pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare nga i gjithë qarku, të cilët do të testojnë njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare duke pasur mundësi të këmbejnë dhe përvoja dhe të pasurojnë boshllëqet, ato ku nuk dinë, me dijeninë e shokëve dhe eksperiencën e të tjerëve.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrika Tollkuçi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një mënyrë për të nxitur dashurinë dhe kujdesin ndaj gjuhës shqipe që në moshë të hershme.
“Përmes një qasje konkrete dhe multidisiplinore projekti synon të nxis pjesëmarrjen aktive të nxënësve dhe mësuesve që promovojnë gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore, historinë kombëtare dhe ndjenjën e përkatësisë. Në këtë kuadër u vendos që fokusi i projektit te jeta tek arsimi para universitar”, u shpreh Tollkuçi.
Nxënësit pjesëmarrës u shprehën të emocionuar për mundësinë që u jepet të mësojnë përmes lojës dhe garës, një mundësi që vjen rrallë në bangat e shkollës ku duket se gjithmonë e më shumë arsimit po priret drejt individualitetit dhe jo lojës në skuadër, apo punës në ekip.
Finalja e konkursit do të mbahet të premten, ku do të shpallet ekipi fitues. Konkursi do të shoqërohet edhe me performanca artistike nga grupet mbështetëse të shkollave, përmes këngës, vallëzimit dhe instrumenteve muzikore, duke e kthyer garën në një festë të vërtetë të gjuhës shqipe, që shqiptarët po e harrojnë në favor të asaj angleze. A.K./TemA
Lini një Përgjigje