nga Sejmen Gjikoli
Më bëri për vehte kjo këngë, më e reja e Juli Çenkos, jo vetëm se vjen e kënduar nga një gjirokastrite e shquar kënge por edhe se vjen përmes orgjinalitetit të versionit të saj.
Aq e vërtetë është kjo sa në nisje, si për aperturë, ka marrjen e vargut të parë të këngës "Ç'u mbush oda plot bandillë" të legjendës polifonike gjirokastrite, Xhevat Avdalli.
Dhe si për të shtuar argument të autenticitetit, emri i këngëtarit të famshëm shënohet edhe në titra si autor i vijës melodike, kuptohet shoqëruar nga emri i këngëtares po edhe orkestruesit të këngës.
Mrekullohesh gjithashtu kur dëgjon që të gjitha veglat e orkestrës punojnë live, veçanërisht një klarinetë tipike jugore që të mbush tërësisht me tinguj të ëmbël si vetë melosi i këngës.
Shoqëruar nga djem e vajza me kostumet tradicionale në valle kënga merr edhe më shumë bukuri e freski dhe të bën të ngrihesh edhe ti në valle.
Pa harruar zërat polifonike realizuar me një mjeshtëri të hatashme nga një prej zërave më të arrirë të kohës, fushëbardhasin Sefer Muho.
E gjithë kjo mrekulli folklorike e shoqëruar nga një Klip fantastik me pamje vërtet magjike nga qyteti i gurtë, Gjirokastra.
Kjo e bën këngën edhe më të bukur po edhe më atraktive e nga më të bukurat e këngëve të muzikuara jugore.
Shumë urime, Juli Çenko, e rrugëtim të mbarë këngës tënde më të re!
Lini një Përgjigje