Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hap thirrjen për aplikime për përkthime të veprave shqipe

30 Mars 2024, 09:39Kulturë TEMA
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hap thirrjen për aplikime

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur thirrjen për aplikime për përkthime të veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

 

Kjo thirrje është pjesë e përhershme e politikave të QKLL-së për të promovuar letërsinë shqipe në kultura të tjera. Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale dhe bashkëkohore shqipe në prozë, poezi dhe eseistikë.

 

Ky fond kontribuon në rritjen e interesit të botuesve të huaj për letërsinë shqipe. Kërkesa duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi dhe botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në process të sigurimit të së drejtës së autorit.

 

Botuesi duhet të paraqesë kontratën me përkthyesin (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose angleze dhe botuesi duhet të paraqesë një pjesë nga libri origjinal dhe përkthimin e tij, sipas specifikimeve në formular.

 

Pas miratimit të mbështetjes financiare, QKLL-ja do të nënshkruajë një kontratë me botuesin;

Financimi i plotë / i pjesshëm i përkthimit të siguruar nga QKLL, do të transferohet në llogarinë e botuesit.

 

Fituesit do të bëhen publikë gjatë muajit maj, në faqen e QKLL dhe do të njoftohen edhe me email.

 

Nëse dokumentacioni nuk dërgohet i plotë dhe brenda afatit, aplikimi nuk do të merret në shqyrtim për fazën përzgjedhëse. A.K./TemA

Lini një Përgjigje