Sot do të festonte ditëlindjen Milan Kundera

1 Prill 2024, 15:06Kulturë TEMA
Sot do të festonte ditëlindjen Milan Kundera

Si sot në vitin 1929 në Çeki të perandorisë komuniste të lindjes erdhi në jetë Milan Kundera. Kundera vetë shpesh bënte shaka që kishte lindur në ditën e gënjeshtrave. I dukej ironike pasi ai ishte një romancier. Por që e donte tepër muzikën...E deshi dhe gjuhën frënge, aq sa pasi u zhvendos në Francë nguli këmbë që gjithë vepra e tij të kategorizohej si letërsi franceze.

 

Profesioni i tij në njëfarë mënyre ishte të thoshte gënjeshtra, të rrëfente histori të bukura, të joshte dhe të gënjente njerëzit. Kjo dhe e bënte të qeshte. Gënjeshtra. Kundera ka shkruar shumë libra me ese(Testamentet e tradhtuara, Një takim), Kundera ka shkruar shumë romane (Lehtësia e padurueshme e qenies, Shakaja) por asnjëherë nuk i është afruar poezisë. Publicistikës dhe politikës po. Disa nga librat e tij më të mirë hapen me anekdota politike (Libri i të qeshurit dhe harresës) ose ka shkruar mirëfilli për politikë (Një perëndim i rrëmbyer).

Arsyeja, si e thashë më herët, është se Kundera nuk është shkrimtar, është romancier. Për të nuk ka rëndësi përmbajtja sa forma, subjekti sa kompozimi, realizimi i idesë sa ideja. Kundera është një romancier i kursyer në fjalë por krenar që është i tillë në traditën e romanit të madh. Orhan Pamuk thotë se për Kunderën nuk ka rëndësi forca apo shkëlqimi i pikëpamjeve të tij sa zemërimi, ose, më mirë mënyra e të shprehurit të tyre nepërmjet zemërimit. Kundera e vë veten në të njëjtin rang me Servantesin dhe Kafkën. Dhe ka të drejtë.

"Lehtësia" është një kryevepër e letërsisë botërore por jo më shumë se "Pavdekësia" apo "Ngadalësia". Që nga viti i kaluar letërsia botërore ka një gjeni më pak. Historia e letërsisë fitoi një figurë të re në panteonin e saj, në panteonin e artistëve të jashtëzakonshëm. A.K./TemA

Lini një Përgjigje