FOTO: Bibliotekat më të bukura në botë

22 Shtator 2022, 15:00Lifestyle TEMA

FOTO: Bibliotekat më të bukura në botë

Shekullore, klasike apo edhe moderne, por të gjitha kanë një element të përbashkët: hapësira të pafundme të mbushura me libra. Po rendisim më poshtë bibliotekat më monumentale në botë, të njohura jo vetëm për pasuritë që zotërojnë, por edhe si vende që po shndërrohen në atraksione turistike.

1.  Biblioteka Trinity, Dublin, Irlandë

E madhërishme si një katedrale, kjo bibliotekë është një burim i vërtetë i pashtershëm dijeje. Në të gjenden rreth pesë milionë tekste dhe një koleksion i rëndësishëm dorëshkrimesh antike. Gjithashtu, aty ruhen të gjitha vëllimet e botuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë nga viti 1801 e tutje. Frekuentohet çdo ditë nga studentë dhe studiues, por edhe nga turistë, të cilëve u lejohet ta admirojnë në heshtje të plotë. 

2.  Stadtbibliothek Stuttgart, Gjermani

Biblioteka mahnitëse e qytetit të Stuttgart-it dallohet për stilin e saj supermodern. Projektuar nga arkitekti koreano-jugor, Eun Young Yi, u hap për publikun, më 24 tetor 2011 dhe ofron më shumë se gjysmë milioni libra. Ambienti i brendshëm dominohet nga ngjyra gri e çelur, që thyhet vetëm nga nuancat e kopertinave të librave.

3.  Biblioteka e Universitetit Tu Delft, Holandë

Është biblioteka më e madhe tekniko-shkencore në Holandë. Ndërtesa ka një strukturë shumë të veçantë. Çati e saj me bar ka një efekt izolues dhe zbut ndryshimet e tepërta të temperaturës, duke krijuar ftohje natyrale në verë, falë kondensimit të ngadaltë të ujit të shiut. Në qendër të bibliotekës ndodhet një kon gjigant, nga ku mund të shikohen raftet e mëdha me libra. 

4.  Biblioteka Wiblingen Abbey, Bavari, Gjermani

Kudo mermerë, ngjyra dhe flori, siç dikton stili Rokoko. Dhomat e kësaj biblioteke, janë një parajsë e vërtetë me ngjyra të forta. Në sallën qendrore, lexuesit mund të admirojnë statujat dhe dekorimet fantastike përreth.

5.  Biblioteka Mbretërore, Kopenhagë, Danimarkë

Pllakat e zeza të mermerit që mbulojnë ndërtesën, janë arsyeja pse Biblioteka Mbretërore njihet si Diamanti i Zi. Kjo kryevepër arkitekturore moderne ndodhet në zonën e portit. Tashmë, përveç pasurisë së librave që ajo përmban, është shndërruar edhe në një atraksion turistik.

6.  Biblioteka Admont Abbey, Austri

E vendosur në rajonin Styria, rreth tre orë larg nga Vjena, Biblioteka Admont Abbey gjendet në një manastir të lashtë benediktin të ndërtuar në shekullin e 18-të. Ajo u projektua nga arkitekti Joseph Hueber dhe tani konsiderohet si një nga më uniket në botë, falë kupolave ​​të saj me afreske, rafteve të bardha dhe të argjendta, si dhe skulpturave të shumta. 

7.  Biblioteka Publike e Nju-Jorkut

Është një nga destinacionet më të vizituara nga turistët, por natyrisht edhe nga studentët apo studiuesit. Biblioteka është një nga më të mëdhatë në Shtetet e Bashkuara. Të njohura janë edhe ambientet e brendshme apo detajet e ndryshme të kësaj godine si: skulpturat e luanëve, afresket në Sala delle Rose, llambadarët madhështorë dhe tavolinat e bukura prej druri.  

8.  Biblioteka George Peabody, Baltimore

E themeluar nga filantropi i famshëm nga i cili ka marrë emrin, biblioteka ndodhet në kampusin në lagjen Mount Vernon, Baltimore. E projektuar nga arkitekti Edmund Lind dhe e ndërtuar në vitin 1860, ajo ka një dhomë mbresëlënëse leximi, të zbukuruar me kolona dhe ballkone. Biblioteka strehon mbi 300 000 vëllime dhe një koleksion të rëndësishëm hartash.  

9.  Real Gabinete Portugues de Leitura, Rio de Janeiro, Brazil

Salla Mbretërore e Leximit portugez, në Bibliotekën Real Gabinete Portugues de Leitura është një perlë e vërtetë. Me një panoramë të jashtëzakonshme, por edhe me ambiente të brendshme madhështore, ajo u vlerësua në vitin 2014 si biblioteka e katërt më e bukur në botë. E ndërtuar midis fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, Salla Mbretërore e Leximit mban koleksionin më të madh të letërsisë portugeze. 

10. Biblioteka Palafoxiana, Puebla, Meksikë

Themeluar nga peshkopi spanjoll, Juan de Palafox y Mendoza, në vitin 1646, Palafoxiana është biblioteka më e vjetër publike në Amerikë. Biblioteka është e hapur për të gjithë dhe ia vlen të vizitohet, për të vëzhguar raftet prej druri të mbushura me libra, si dhe altarin e Virgjëreshës.  

11. Biblioteka Vasconcelos, Meksikë

Përveç përmasave të mëdha, kjo bibliotekë njihet edhe për arkitekturën e guximshme që e karakterizon, me hapësira të ndritshme leximi dhe me rafte që shkojnë të larta deri në tavan, të mbushura me libra nga çdo gjuhë e botës.

 

Lini një Përgjigje