Deputeti Laert Duraj kalon propozimin në Komision: Hec-et do jepen vetëm me koncesion, jo me firmë ministri!

2 Prill 2024, 18:27Politika TEMA
Deputeti Laert Duraj kalon propozimin në Komision: Hec-et do jepen

Asnjë hidrocentral, pavarësisht madhësisë së tij, nuk do të miratohet më me firmë të ministrit të Energjisë, por do të jepen vetëm me koncesion. Ky është ndryshimi thelbësor i projektligjit për koncesionet i propozuar nga deputeti i PS-së Laert Duraj. Por për Erjon Braçe, nuk duhet të lejohet më ndërtimi i asnjë hidrocentrali në vend, pasi po dëmtohet bujqësia. 

Të gjitha hidrocentralet që do të ndërtohen në vend, pavarësisht madhësisë së tyre do të jepen me koncesion. Deri më tani hidrocentralet deri në 2 megavat, pas aplikimit që bëhet në Ministri të Energjisë, miratohen me firmë të ministrit, dhe nuk i nënshtrohen garës siç ndodh për projektet që janë objekt i ligjit të koncesioneve. Ky propozim i bërë nga deputeti i PS-së Laert Duraj, që ndryshon ligjin për Koncesionet dhe PPP-të, mori dritën jeshile në Komisionet parlamentare.


Ndryshe nga sa parashikon ligji aktual, Duraj sqaroi se nuk do të pranohet asnjë ofertë e pakërkuar për ndërtimin e HEC-eve në vend. Deri më tani nga ofertat që vinin si propozim i pa kërkuar, pra projekt i iniciuar nga privati dhe jo nga shteti janë të përjashtuara prej vitit 2019 vetëm projektet rrugore.

Por për deputetin socialist Erion Braçe, nuk duhet të lejohet më ndërtimi i asnjë hidrocentrali në vend.


“Ne do të përballemi shumë shpejt me problemin e ujit. Ky vend ka boll hidrocentrale dhe vepra energjetike të vogla që shfrytëzojnë çdo rrëke uji, që duhet për të mbajtur bujqësinë gjallë. Këto HEC-e të dalin fare nga ligji i koncesioneve, vendi s’ka më nevojë, më mirë të fokusohemi tek energjia diellore, dhe mos të bëjmë një dëm kolosal si ky me ujin. Të vendoset kufi dhe uji të përdoret për bujqësinë”, tha Erion Braçe.
E pranishme në diskutimet që u bënë në komisionin e Ekonomisë, opozita thotë se duhet të fokusohemi tek energjia diellore.

Ndërsa në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj e konsideroj projektligjin si iniciativë të qeverisë dhe jo e deputetit Duraj, dhe sipas tij ligji në tërësi i koncesioneve nuk garanton transparencë dhe llogaridhënie.

Ndërkohë po në komisionin e Ligjeve, u specifikua se çdo deputet që ndërmerr nisma ligjore, duhet të firmos deklaratën që nuk është në konflikt interesi./Shqiptarja.com/

2 Komente

  1. l
    lani

    si e shkaterruan Shqiperine maskarenjt e poshter edhe te babzitur

    1. p
      pilo Lala

      Tani qe ka dale energjia fotovoltaike, nuk ka nevoje Shqiperia per H/C. Edhe Skavica nuk duhet te behet, eshte humbje territori. Tani ka burime te tjera energjie, dielli, era, energji e paster. Sali Berisha firmosi mbi 100 hidrocentrale te vegjel ne vitin 2009. Statistika tregojne se Majlinda Bregu ka marre hidrocentral, Albana Vokshi ka marre 9 hidrocentrale, nje keshilltare e Saliut, nga Pogradeci ka marre 12 hidrocentrale, ndau burrin, tani ai fle poshte ures, i mori edhe shtepine. Kur do hetohen keto?

    Lini një Përgjigje