Peleshi takon presidenten e PE: Shqipëria e vendosur të përshpejtojë rrugën drejt BE-së

26 Janar 2026, 13:05Politika TEMA
Peleshi takon presidenten e PE: Shqipëria e vendosur të

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua sot në Bruksel me Presidenten e Parlamenti Europian, Roberta Metsola.

Vizita e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe përpjekjeve për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit Peleshi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të PE-së ndaj Shqipërisë, duke theksuar se perspektiva europiane e vendit është e qartë, e qëndrueshme dhe e pakthyeshme. Ai nënvizoi se integrimi në BE nuk është thjesht slogan politik, por një proces transformues për institucionet, qeverisjen dhe jetën e qytetarëve, i mbështetur nga konsensus politik dhe parlamentar, si edhe nga mbështetje e gjerë popullore.

Në fokus të diskutimit ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Peleshi theksoi se Shqipëria po ecën me ritmin më të shpejtë drejt familjes europiane, me reforma të mbështetura në rezultate konkrete dhe tregues të matshëm.

Presidentja Metsola vlerësoi progresin e Shqipërisë, bashkëpunimin e ngushtë mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit, si dhe angazhimin institucional për përshpejtimin e integrimit. Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë u cilësua si një sinjal i fortë i angazhimit të BE-së ndaj Shqipërisë.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi përkushtimin për reforma demokratike dhe gjithëpërfshirëse, duke e konsideruar Parlamentin Europian një partner kyç në rrugën e integrimit europian.

Lini një Përgjigje