Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas miratimit të një rezolute nga Parlamenti Evropian, duke hedhur poshtë interpretimet e eksponentëve politikë dhe aktivistëve që e cilësuan atë si një triumf kundër planeve qeveritare për zhvillim.
Përmes një qëndrimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh se interpretimet e bëra nga ata që i quajti “disa tam-tamxhinj me emër” janë të pasakta dhe se “u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Evropian na qenkej fitorja e tyre e parë”.
Sipas kreut të ekzekutivit, mbrojtja e mjedisit mbetet një qëllim i përcaktuar i kabinetit të tij, pavarësisht debateve publike apo tubimeve të zhvilluara. Ai shtoi se mbrojtja dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë është prioritet i padiskutueshëm i qeverisë.
“Sa për “fitoren e parë” flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, që e duan mjedisin si gjethe fiku për të nxitur një protestë e cila s’ka më asnjë lidhje me mjedisin. Sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me rezolutën”, shkruan Rama, duke saktësuar se ky qëndrim buron nga dokumentacioni teknik zyrtar.
Lidhur me kërkesat për rishikimin e ndryshimeve të fundit ligjore për zonat e mbrojtura, Kryeministri bëri të ditur se ky aspekt do të trajtohet brenda kornizës zyrtare të integrimit evropian. Europarlamentarët do të informohen se ligji është pjesë e agjendës së negociatave. Sipas tij, çështja do t’i nënshtrohet një procesi analitik me Komisionin Evropian për të identifikuar çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e BE-së, përpara se të ndërhyhet sipas kalendarit të dakordësuar.
Në mbyllje të reagimit të tij, Rama adresoi sërish kritikët dhe personazhet publike të përfshirë në këtë kauzë mjedisore dhe politike.
“Thënë sa më lart, sugjerimi për rishikimin e konceptit “fitore” është edhe një ndihmë humanitare për sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, të cilët pas përfshirjes plot epsh në nxitjen e histerisë digjitale, mundet kësisoj të jenë disi më të gatitur për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i paralajmëruar i revolucionit imagjinar të flamingove”, përfundoi kryeministri.
Postimi i plotë i kryeministrit, Edi Rama
Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë bulevardi kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!
Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta – pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave.
E kanë pasur dhe e kanë në xhep fitoren flamingot e të gjithë shqiptarët që duan mjedisin dhe zhvillimin, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste në krye të detyrës, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë është prioritet i padiskuteshëm, ndërsa provat e prekshme të tre mandateve tona për këtë janë kokëforta.
Sa për “fitoren e parë” flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, që e duan mjedisin si gjethe fiku për të nxitur një protestë e cila s’ka më asnjë lidhje me mjedisin. Sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me rezolutën. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet (nëse dhe ku nuk përputhet) me kriteret e standartet e BE-së dhe pastaj do të ndërhyjmë, sipas kalendarit të dakordësuar.
Thënë sa më lart, sugjerimi për rishikimin e konceptit “fitore” është edhe një ndihmë humanitare për sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, të cilët pas përshirjes plot epsh në nxitjen e histerisë digjitale, mundet kësisoj të jenë disi më të gatitur për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i paralajmëruar i revolucionit imagjinar të flamingove
Në se flamingot do haeshin nuk do të kishin lënë asnjë të gjallë... Këta që po i mbrojnë kanë vrarë pelikanë, shqiponja e skanë lënë gjë të gjallë në pyje....Kur u bënë kaq të ndjeshëm këta plera se në këtë vënd janë vrarë njerëz dhe nuk u çua njeri....