E pazakontë në Lezhë: Uji pushton rrugët, i vdekuri dërgohet në banesën e fundit me zetor

23 Nëntor 2022, 12:22Sociale TEMA

E pazakontë në Lezhë: Uji pushton rrugët, i vdekuri
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Lezhë për shkak të përmbytjeve.

Një grua e moshuar ka ndërruar jetë, por për shkak të motit të keq, familjarët nuk kanë mundur ta përcjellin në banesën e fundit ditën e djeshme.

Kjo pasi rruga që lidh fshatin Torovicë me fshatin Malecaj në Njësinë Administrative Balldren është e bllokuar nga uji dhe nuk mund të kalohet me mjete të vogla.

Në këto kushte, familjaret kërkuan ndihmën e emergjencave për të përcjellë në varreza të ndjerën.

“Uji ka arritur në 70 cm dhe lëvizja është e pamundur. Në këto kushte ju bëmë kërkesë Emergjencave Civile të Bashkisë dhe menjëherë janë vënë në lëvizjë. Kanë ardhur mjetet e Ushtrisë dhe po ndërhyjnë për të kryer operacionin. Këtu situata është shumë e vështire nga përmbytjet, ku siç e shikoni e gjithë fusha është kthyer në liqen dhe shumë fëmije janë të izoluar”, thotë Ndue Gila familjar i së ndjerës.

Përballë kësaj situate, u desh ndërhyrja e mjeteve të Ushtrisë dhe traktorëve për të transportuar të ndjerën dhe familjaret e saj, për në rrugën kryesore që lidh Torovicën me Lezhën.

Është dashur që trupi i të ndjerës të futet në një mjet bujqësor dhe më pas të kalohet në mes të rrugës në arkivol dhe makinën e funeralit për t’u përcjellë në banesën e fundit.

Operacioni u drejtua nga prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, i cili thotë se situata në tërësi është përmirësuar, por nuk mungojnë problematikat.

“Gjatë ditës së sotme, ka një përmirësim të situatës dhe rënie të nivelit të ujërave. Kemi vetëm 4 shtëpi me prezencë uji dhe 1300 hektarë tokë të përmbytura në Zadrimë dhe Torovicë. Të gjithë strukturat janë më terren, duke iu përgjigjur çdo problematike që kanë banoret e prekur nga përmbytja. Këtu në Torovicë jemi njoftuar për një rast vdekjeje dhe brenda një ore kemi sjellë forcat e Ushtrisë, të cilat po bëjnë transportimin e së ndjerës dhe familjarëve”, tha Prendi.

1 Komente

  1. J
    Jorgo

    ka pas shkru nje roman shume te bukur Kole Jakova - "Fshati midis ujerave"

    Lini një Përgjigje