Emigrantët shqiptaro-amerikanë mbështesin zhvillimin e vendlindjes

21 Gusht 2022, 20:46Sociale TEMA

Emigrantët shqiptaro-amerikanë mbështesin zhvillimin e

Në fshatin Brojë të Kelmendit, skajin më verior të Shqipërisë, banorët e Malësisë u mblodhën të dielën për të nderuar bashkëvendasit e tyre, të emigruar ndër vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë për vendlindjen.


Mes të tjerash, ata nderuan shqiptaro-amerikanin Tom Ruka, i arratisur gjatë viteve të diktaturës për shkak të përndjekjes nga regjimi i kohës.

Me ardhjen e demokracisë, thotë bashkëfshatari i tij, Kolë Gjoni, Toma kontribuoi financiarisht për ndërtimin e rrugës prej 10.5 kilometrash, që lidh fshatin Brojë me Tamarën.

“Rruga e Brojës është bërë komplet prej një fshatarit tone që jeton në Amerikë dhe nuk do të kishte asnjë shtëpi tani atje, po të mos ishte rruga e makinës. Unë kam punu në këtë rrugë qysh ditën e parë dhe deri sa ka përfunduar”.

Mes shqiptaro-amerikanëve, pjesëmarrës në takimin e zhvilluar në fshatin Brojë të Kelmendit, ishte edhe djali i Tom Rukaj, Prela, i cili thotë se kontributi i familjes së tij është shprehje e mallit që emigrantët kanë për vendlindjen.

“Kam rrugëtu tash e parë, kemi vizitu vendin kur ka ardhur baba me rregullu rrugën. Kemi qenë këtu dhe na ka hyrë dashuria për këtë vend të bekuar si asht Shqipëria. Gjithsecili ka merak me shetit, ka merak me pa vendin, ka merak me ngul gurin këtu në vend të vet, me pasë ku me ardhë në pleqni a me pushime”.

Skulptori Vasil Rakaj është nip Broje. Ai prej disa vitesh jeton dhe punon në New Jersey të Amerikës, ku ka realizuar disa skulptura si ajo e Nënë Terezës, vendosur në New York dhe Detroit. Në hyrje të fshatit Brojë tashmë është vendosur vepra e tij e fundit, e cila thotë skulptori Rakaj, i kushtohet kontributit të emigrantëve shqiptaro-amerikan për vendlindjen.

“Malli për atdheun, dashuria për njerëzit, për malet. Zgjodha këtë motiv, sipas kërkesës së komunitetit të Brojës, për të ba një monument, i mbështetur nga komuniteti i Amerikës. E zgjodha këtë motiv me gurin dhe me pemën. Guri prezanton Brojën, prezanton Kelmendin, prezanton Shqipërinë”.

Gjatë periudhës 50 vjeçare të diktaturës, një pjesë e banorëve të Kelmendit u detyruan të largohen për shkak të përndjekjes nga regjimi, ndërsa pas vitit 1990, me fillimet e demokracisë, të tjerë u larguan drejt Amerikës si emigrantë ekonomikë. Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, thotë se tashmë në Amerikë është një komunitet i ndjeshëm nga Malësia e Madhe, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë për vendlindjen.

“Përveç Tomë Rukës ka edhe persona të tjerë, siç ishte Nikoll Preka i Hotit që, në vazhdimësi, edhe me pjesën financiare që e mbulonte nga familja e vet, por edhe komuniteti i Hotit, që është një komunitet mjaft i madh në SHBA, kanë ba vepra të rëndësishme, kanë investu në ujin e pishëm, në vendfuneral, në ndërtimin e kishës, në shkolla dhe, realisht, asht për t’a vlerësu, sepse çdo njeri duhet ta verë një gur në vendin e vet. Pra, përmes diasporës tonë në SHBA janë ba shumë gjana të rëndësishme që kanë vlerë për komunitetin dhe për Bashkinë Malësi e Madhe”

Sezoni veror bashkon në vendlindje pjesën më të madhe të emigrantëve, duke kontribuar për ekonominë e familjeve të tyre në Shqipëri, por edhe ekonominë e vendit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, emigrantët sollën për të afërmit e tyre nëpërmjet kanaleve zyrtare 184 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar remitancat arritën në 761 milionë euro, duke u rritur me 13 për qind në krahasim me vitin 2020 dhe gati 9 për qind në raport me periudhën e para pandemisë.

Lini një Përgjigje