Tri Format e Mendimit, Arben Imami: Nuk kemi fat tjetër veçse të bëjmë politikë të mirë

10 Nëntor 2022, 14:46Sociale TEMA

Tri Format e Mendimit, Arben Imami: Nuk kemi fat tjetër veçse

Librit “Tri format e mendimit” nga Arben Imami vjen si një ftesë për të menduar rreth utopisë, arsyes, mitit, religjionit, dijes, së vërtetës, marksizmit, politikës, post-modernizmit, hegjemonisë, funksionit dhe thelbit. Ky libër, theksoi autori, është një luftë për arsyen, pro arsyes dhe kufizimit të arsyes, kundrejt një mendimi jo vetëm filozofik, por edhe në shoqëri e politikë.

Nuk ka fat tjetër veç të bërit politikë të mirë e jo të keqe, tha Imami

Askush nuk e di fatin e librit të tij, pat thënë Foucault. As ai nuk e dinte ç’udhë do të ndiqte vepra e tij e parë, autoriale, kur nisi ta shkruajë më 2008-n.

“Është një libër ku më çoi kërkimi dhe pyetjet e njëpasnjëshme”, tha Arben Imami, për miqtë e të pranishmit në “Rogner”, gjatë përurimit të librit “Tri format e Mendimit”, botuar nga UET PRESS.

Me një pasion të hershëm për filozofinë dhe realizues i një kolane me emrat më përfaqësues të mendimit filozofik, politikani sjell për lexuesin veprën e tij, që prek dhe shtjellon tri forma të mendimit filozofik; mitologjia, racionaliteti dhe religjioni.

Imami ndau detajet nga procesi i gjatë i të shkruarit të librit, i nisur nga pyetja se ç’është mendimi utopik e për të rreshtuar një seri pyetjesh të tjera gjatë rrugës.

“Për çdo njeri që është futur në rrugën e mendimit, edhe të filozofisë së parë, filosofia prima, në fakt është futur nga filozofia politike. Nga dëshira për të hetuar kushtet themelore të jetesës në shoqëri. Ajo që kam parë në gjithë jetën time, megjithëse kam mbajtur distancë të respektueshme nga kjo filozofi, për të cilën flasim, është se principet bazë, pandehmat themelore janë të njëjta”, u shpreh Imami.

Ai tha më tej se gjysmën e jetës e ka kaluar nën diktaturën komuniste dhe ishte pikërisht një utopist si Marksi që e ngacmoi për t’iu futur një procesi të gjatë kërkimi. Por, pohoi ai, veprimtaria e ngjeshur gjatë viteve, nuk i kishte lënë kohë t’i dedikohej më parë.

“Çmenduria nuk është argument i mjaftueshëm. Përse njerëzit mendojnë në mënyrë utopike? Ç’është mendimi utopik? Kjo ka qenë pyetja e parë e nga kjo pyetje m’u rreshtuan një seri pyetjesh dhe ky libër nuk është shkruar, duke e ditur si do të jetë”.

Rrekjet për t’i dhënë përgjigje se ç’është utopia dhe mendimi utopik e çuan tek filozofi gjerman Eric Voegelin, i cili ishte i mendimit se si Hegel ashtu edhe Marksi janë në fakt gnostikë.

Nga këtu nisi një përpjekje e gjatë dhe e vështirë, që autori me shaka e krahasoi me hapjen e kanaleve, në aksionet gjatë regjimit komunist. Gjatë kërkimeve, gnosticizmin si formë mendimi nuk ia kënaqte as ai i krishterë i shekullit II apo III, as ai mysliman e as ai judaik.

Përgjigjen e gjeti te Gilles Quispeill, i cili thoshte se gnosticizmi nuk është as religjioz

as filozofik, ai është një formë më vete e mendimit.

Ishte ende në gjysmë të asaj rruge , që e hodhi nga religjioni tek mitologjia. Më 2013-n, rrëfen ai, shkroi një ese të gjatë për Epikurin, sipas tij i pari filozof utopik. Por ishte më 2018-n, kur shkroi një material mbi Orfizmin, që kuptoi se, ky ishte fenomeni i parë gnostik, i parakrishterë. “Gnosis është formë mendimi, shfaqjet e tij janë kulturore. Me kë lidhet?  Me mitologjinë.  Përse?  Sepse është mendim pseudo-empirik”, sqaroi Imami, ndërsa bëri një introduktë të detajuar drejt librit të tij. 

Imami sqaroi tezën e librit, si një fjali të vetme, e cila shtjellohet dhe shpjegohet jo vetëm në aspektin sistematik dhe epistemologjik, por edhe atë historik. “U nisa nga një bazë që e kemi të sigurt, me konsensus  të gjerë, që mendimi racional është një mendim empirik-racional, që niset nga disa të vërteta bazë e që prej këtyre interferon, nxjerr konkluzione dhe ide të reja”, tha Imami.

Sipas pedagogut të Filozofisë, Klementin Mile, libri “Tri Format e Mendimit”, i Arben Imamit manifeston interpretimin konservator.

“Mbi 500 libra dhe artikuj të referuar, me kujdesin e jashtëzakonshëm për t'i hedhur hapat një nga një, secilin të argumentuar, për të arritur vetëm në faqet e fundit te përfundimet e këtij rrugëtimi kërkimor dhe reflektiv të mundimshëm, dëshmojnë për modestinë konservatore përkundër arrogancës postmoderne në mendim, pasi e rëndësishme nuk është të hedhim teza e ide spekulative që provokojnë - dhe ngaqë provokojnë, shesin-, por teza e ide që nuk na shpien në rrugë të gabuar”, tha Mile.

Ai shtoi se ky libër është për ata që duan të mendojnë. Është një ftesë për të menduar rreth utopisë, arsyes, mitit, religjionit, dijes, së vërtetës, marksizmit, politikës, post-modernizmit, hegjemonisë, funksionit dhe thelbit.

“Por mbi të gjitha ky libër na fton të mendojmë për mendimin. Siç shkruan autori, “Teza dhe përfundimi i këtij libri mund të përmblidhet në një fjali të vetme: Miti, religjioni dhe racionaliteti, janë veprimtari epistemike që ngrihen mbi bazën e tri formave përkatëse të mendimit, ku esenciale dhe përcaktuese është natyra përkatëse e besimit: besimi pseudo-empirik mitologjik, besimi ekstra-empirik religjioz dhe besimi empiriko-racional i justifikuar, që prodhojnë kuptimin dhe njohjen e botës”.

Vetë autori e cilësoi librin e tij si një luftë për arsyen pro arsyes, kufizimit të arsyes e moskufizimit të saj, “kundrejt këtij lloj mendimi, që është jo vetëm filozofik por edhe në shoqëri dhe politikë. Imami e nisi këtë rrugëtim filozofik nga shoqëria e politik, për të vijuar në filozofi, e siç tha vetë ai, nga andej u kthye sërish në politikë e shoqëri. “Nuk kemi fat  tjetër përveçse të bëjmë politikë të mirë e jo të keqe”, përfundoi Imami, i cili u përfshi në politikën që me Lëvizjen e Dhjetorit, themelimin e Partisë Demokratike, për të mbajtur një sërë postesh ministrore, si në qeveritë e majta, ashtu edhe ato të djathta.

Por siç zbuloi ai vetë, filozofia mbetet dashuria e tij e parë, ndërsa pohoi se që në rininë e tij kishte lexuar të gjitha veprat filozofike që qarkullonin, për kohën.

Më vonë ai, iu dedikua seriozisht pasionit duke sjellë Kolanën e Filozofisë dhe të Shkencave Politike”, me gati 55 libra të botuar deri tani dhe 45 të tjera në plan për botim, në bashkëpunim me UET PRESS dhe Universitetin Europian të Tiranës, i cili synon të hapë së shpejti degën e Filozofisë, e cila do t’i bashkëngjitet Humaniteteve të tjera, në këtë universitet.

4 Komente

  1. S
    Sara

    goxha "mendimtar" keni zgjedhur per te promovuar librin

    1. L
      Leksi

      Je medioker .Filozofia nuk eshte per kaptinen tende ashtu sic ke qene aktor po njesoj je dhe per te tjerat.

      1. k
        k

        Ky degjeneratë i korruptuar i bandës non grata,do japë leksione per mirë qeverisje ??? Shqiperia nuk mund të bëhet kurrë.Turp kozmik i antivlerës që shet atë që nuk e zotëron. Studioni Platonin (Republika),Monteskje(shpirit i ligjeve) të koptoni si duhet të udhëhiqet shteti dhe si duhet të jenë politikanët,mos u beni viktima të këtyre mashtruesve që shesin "idhuj të rremë" (Miti i kavernës)Platoni.

        1. i
          imam ballalldija

          edhe ky gomari ka shkruar libra!!!!!!! me mire te shkruaj per servilizmin e tij,kalimin nga nje parti te tjetra,si u be gjeneral i jugut ne maj te tankut

          Lini një Përgjigje