Bylisi merr tre pikë të arta ndaj Vllaznisë. Laçi mposht lehtësisht Kastriotin

25 Janar 2023, 14:50Sport TEMA

Bylisi merr tre pikë të arta ndaj Vllaznisë. Laçi mposht

Pas 3 fitoreve radhazi mes kampionatit dhe kupës, Vllaznia bie në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit pikërisht atëherë kur nuk pritej. Ekipi shkodran u mposht 1-0, duke humbur mundësinë të afrohet me dy skuadrat kryesuese.

Në krahun tjetër janë tri pikë me shumë vlerë për ballshiotët, që ngjitet në vendin e shtatë, duke iu larguar zonës së ftohtë të renditjes. Nuk kishte debutim më të mirë edhe për trajnerin e ri Naxhi Shensoj, që rikthehet me fitore pas një dekade në stolin e Bylisit.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit që ushtruan presion, por më pas miqtë nga Shkodra u futën në lojë duke krijuar disa raste. Megjithatë, pjesa e parë përfundon pa gola.

Në minutën e 53-të, Josa bën lëvizjen e parë, teksa largon Kainan dhe fut në lojë Balajn. Ndeshja pati edhe një incident, teksa Smajli goditet me shishe në kokë nga tifozët vendas.

Për të ardhur në minutën e 58-të, ku Damçevski i pason një top me kokë Felipe Sozës dhe ky i fundit e shfrytëzon më së miri mundësinë duke zhbllokuar sfidën. Kuqeblutë kundërpërgjigjen për të shmangur humbjen, por nuk arrijnë të marrin të paktën një pikë, kjo edhe për meritë të portierit të Bylisit.

Ndeshja tjetër mes Laçit dhe Kastriotit përfundoi 4-1, me kurbinasit që futen në garë për një vend në Evropë, ndërsa krutanët zbresin në vendin e tetë.

Lini një Përgjigje