Transferimi i Redon Xhixhës te Qarabag, nxjerr nga "hallet" Tiranën

24 Janar 2023, 20:01Sport TEMA

Transferimi i Redon Xhixhës te Qarabag, nxjerr nga "hallet"

Redon Xhixha nuk është më një lojtar i Tiranës. Sulmuesi bardheblu është larguar drejt Azerbaixhanit për të firmosur kontratën me Qarabag. 

Autori i 11 golave, shënuesi më i mirë i kampionatit aktual, nuk ka dalë në stërvitje me bardheblutë, që kanë mbyllur tashmë zyrtarisht transferimin. 

Xhixha do të vazhdojë kështu në gjurmët e Ansi Agollit, një ish-bardheblu që ka bërë historinë me klubin azer.

Redon Xhixha ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me Qarabag, duke paguar në arkat e Tiranës shumën e 550 mijë euro. 

Një shumë e pëlqyeshme, në kushtet në të cilat ndodhet klubi kryeqytetas, i detyruar të shesë për të shlyer detyrimet financiare ndaj lojtarëve e stafit teknik. 

Natyrisht, pritet tashmë transferta për të menduar për zhbllokimin e merkatos. Vështirë se kjo do të ndodhë në ndeshjen kundër Erzenit, të mërkurën. Kështu, edhe këtë herë, Shehi duhet të bëjë pa Lushkjen e Abazajn, të afruar në janar, por të pafederuar.

24-vjeçari ishte i sakrifikuari i parë i Tiranës, në tentativë për të zhbllokuar ngërcin. Sulmuesin kryesor mund ta pasojë edhe mbrojtësi Marsel Ismailgeci. 

Kjo do të ishte një goditje e rëndë për teknikun që e sheh organikën të shkurtër. Nga skuadra janë larguar gjithashtu edhe Vesel Limaj, Hyseni e Kallaku.

 

Lini një Përgjigje