Taskforca e turizmit/Plan menaxhimi per pastrimin ne bregdet dhe liçensimin e aktiviteve turistike

14 Prill 2023, 19:05Turizëm TEMA

 

Taskforca e turizmit/Plan menaxhimi per pastrimin ne bregdet dhe

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka paralajmëruar një fluks të rritur të turistëve gjatë sezonit veror që pritet të nisi së shpejti, ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve.

Në mbledhjen e Taskforcës dhe Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, zonja Kumbaro  u shpreh se të dhënat e tre muajve të parë të këtij viti, që tregojnë për një rritje 59 % të vizitorëve të huaj krahasuar me vitin e kaluar, paralajmërojnë për një fluks turistësh.

Ministrja vuri theksin në dy aplikime shumë të rëndësishme që janë në proces. “Së pari, janë hapur aplikimet për certifikimin e operatorëve turistikë detarë. Të gjitha subjektet që ofrojnë atraksione lundrimi, që nga skafet, motorët e ujit, apo çdo mjet që lidhet me sportet ujore, duhet të certifikohet, pasi në të kundërt nuk do të lejohet nga Policia e Kufirit të ushtrojë veprimtarinë. Nga ana tjetër, vijojnë të jenë të hapura aplikimet pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për stacionet sezonale të ankorim/bregëzimit"tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se këtë vit do të jenë gjashtë bashki që do të mbështeten me operatorë shtesë pastrimi për vijën bregdetare, ku Durrësit, Kavajës, Sarandës, Himarës i shtohen edhe Vlora e Rrogozhina. 

Mbledhja e Task Forcës së turizmit dhe Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik erdhi pas vendimit të Këshillit të Ministrave që miratoi projektligjin “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, i cili pritet të votohet së shpejti në Parlament. Zonja Kumbaro kërkoi me këtë rast bashkëpunimin dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve, duke nisur nga bashkitë, te Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti i Kontrollit Ushqimor e më gjerë.

Lini një Përgjigje