Ata që pretendonin fitore “me duar në xhepa”, si Isa Mustafa, mbetën me duar në xhepa. Dhe me xhepa thatë.
Njerëz të Komunës së Prishtinës ishin vizitorë thuajse të çdoditshëm të lagjes sime pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, veçmas gjatë fushatës për balotazh. Dukshëm të shqetësuar, ata nuk kursenin së premtuari gjithçka – vetëm që vota t’i jepej Isa Mustafës.
Na thanë se do të shtojnë kapacitetin e furnizimit me ujë të ndërtesës sonë, na premtuan se do ta heqin njëfarë restoranti të mbirë si kërpudhë mu tek themelet e ndërtesës dhe, po ashtu, u zotuan se do të rregullojnë fasadën e ndërtesës. Duhej vetëm ta votonim Isën. Oferta e tyre po vinte pas sa e sa vitesh, sa e sa kërkesash që ishin bërë në adresë të Komunës, për t’i zgjidhur pikërisht këto probleme, të cilat tash dukej të ishin të zgjidhshme fare lehtë – me një votë për Isën kryetar. Ata nuk shfaqeshin arrogantë si shefi i tyre, i cili nuk gjente kohë as për t’u përballur me kundërkandidatë në debate. Ata nuk ndiheshin komodë, si para 3 nëntorit. Sejmenët e Isës duket ia kishin ndier erën humbjes dhe jo vetëm ata, por as kryetari vetë s’po i besonte formulës magjike se Prishtinën do ta fitonte “me duar në xhepa”.
Shqetësimi rritej edhe për faktin se humbja e Isës në Prishtinë do të thoshte më shumë se një humbje e zakonshme, duke pasur parasysh se, si lider kryesor opozitar, ai kishte zgjedhur ta “fitonte” vetë edhe një herë kryeqytetin. Nuk e di si votuan të dielën banorët e ndërtesës sime, por ajo që tashmë dihet është se Isa Mustafa u mposht keq nga Shpend Ahmeti.
Në humbjen e Isa Mustafës është shkrirë jo vetëm gjashtëvjetëshi i fundit i qeverisjes së tij, por edhe shtatë vjet të tjera të paraardhësve të tij, qeverisja e të cilëve Prishtinën e shpërfytyroi dhe e ktheu në një qytet pa identitet.
Në humbjen e Isa Mustafës është shkrirë gjithë arroganca e pushtetit të LDK’së në kryeqytet, arroganca e zyrtarëve të LDK’së, të cilët Prishtinën e shihnin si pronë të veten që nuk do ta lëshonin kurrë nga dora. Thua se e kishin sjellë me vete nga Llapi a Gollaku. Në humbjen e Isa Mustafës është shkrirë gjithë keqqeverisja, nepotizmi e paligjshmëria. Prishtina është trashëgimia e qeverisjes së keqe të LDK’së, por është edhe shembull se qytetarët dinë t’i thonë boll kësaj lloj qeverisjeje.
Humbja e Isa Mustafës në Prishtinë është njësoj sikurse të humb Hashim Thaçi në Skënderaj a Ramush Haradinaj në Deçan. Është humbje epike. Por, përveç Isa Mustafës, me duar në xhepa nuk mundën të fitojnë as kolegë të tij nga parti të tjera. PDK pësoi debakël në dy komuna që i konsideronte të sigurta, Mitrovicë të Jugut e Ferizaj. PDK humbi në Ferizajn e Bajrush Xhemajlit, të cilin Agim Aliu nuk ia doli ta mbajë më gjatë se një vit e gjysmë. Kurse, në Mitrovicën e Kadri Veselit dhe të njerëzve të fortë të Drenicës u mposht nga një biznesmen që tregon përralla me kërpudha. AAK, ndërkaq, iu rikthye mbylljes në kullat e Deçanit e Junikut, duke humbur rrastë në Pejë, Gjakovë, Suharekë e Rahovec. Sa për ngushëllim mund t’i shërbejë Obiliqi i pluhurosur. “Me vije keq me vije” do të duhej t’i thotë dikush Pal Lekajt në Gjakovë, të cilit si ngushëllim mund t’i shërbejë kënga e Motrave Bushi.
Humbësit kanë mbetur me duar në xhepa dhe me xhepa thatë. Sepse, pushteti nënkupton edhe para e privilegje. Pushteti i bën shpesh njerëzit arrogantë e të paskrupullt.
“Përtej kalkulimeve partiake e politike, është koha e fundit që qytetarët, me votën e tyre, t’i japin fund qeverisjes së LDK’së në kryeqytet. Ndërrimi i pushtetit do të jetë i shëndetshëm për të gjithë dhe Prishtina më nuk do të shihej si një feud a bastion i një partie, që mendon se e ka në pronësi të përjetshme”.
Isa Mustafa në pronësi mund t’i ketë vetëm premtimet e pambajtura, si ai për 45 ditëshin e punimeve në fund të rrugës së Veternikut. Për fundin e rrugës së tij të qeverisjes në Prishtinë duhet të vendosin qytetarët. Ndryshe, përralla për Prishtinën metropolitane vazhdon dhe rruga do të jetë e gjatë”, pata shkruar në një kolumne para tre muajsh. Tash, tre muaj më pas, Isa Mustafa detyrohet të ikë nga zyra, duke paguar faturën e qeverisjes komode të LDK’së për 13 vjet me radhë. Sepse, leksioni më i mirë i këtyre zgjedhjeve është se nëse nuk ndryshon qasja në qeverisje, votuesit ndryshojnë. Votuesit ndëshkojnë, madje edhe aty ku nuk e pret.
Ndërkohë, ajo çfarë presin qytetarët e Prishtinës dhe të komunave të tjera është që të zgjedhurit t’i mbajnë premtimet. Shpend Ahmeti duhet t’i ngopë prishtinasit me ujë, Agim Bahtiri mitrovicasit me punë e Lutfi Haziri gjilanasit me investime… Zgjedhjet vijnë shpejt e votuesit dinë të ndëshkojnë edhe më keq. Aq keq, sa kulla e pushtetit shembet më shpejt se më 1 dhjetor, duke i befasuar edhe skeptikët më të mëdhenj. Një erë e re ka nisur të fryjë – erë që mund të shndërrohet në shtrëngatë dhe t’i përlajë të gjithë ata që presin t’i fitojnë zgjedhjet me duar në xhepa.
LDK ne Prishtine dhe PD ne Tirane do ti haje krimbi serb qe po i drejton.
Shqiptaret duhet te bashkohen ne nje shtet, keto dy parti jane kunder, pse……kuptohet. Populli nuk ha bar.
Ilir nese lexon Wiki-leaks i vetmi qe ankohej per ndikimin e Shqiperise ne Kosove ishte Hashim Thaci
LDK e Prshtines dhe PD-ja e Berishes jane dy klane Mafioze ne jeten politike te Kosoves dhe Shqiperise…
Po pra se organizata PS-LSI eshte per bamiresi ne fakt..
Keta do ia kalojne edhe Saliut po prit edhe 6 muaj..
Jam e gezuar qe triumfoi vota e qytetarit te Kosoves.Qofte e shenjteruar perhere;sepse nuk ka popuj qe zgjedhin gabim.
GO SHPENDI GO
Ne Kosove atmosfera zgjedhore eshte me qytetare se ne Shqiperi. Ne fushate te gjithe kandidatet jane te gatshem te perballen me njeri-tjetrin ne debate televizive duke shpalosur idete dhe kundershtite e tyre ne sy. Ne Prishtine u zhvilluan 2-3 perballje te tilla para fushates se 3 Nentorit.
Isa Mustafa me snobizmin e tij i anashkaloi keto debate, nderkohe qe qytetaret e Prishtines e kishin me te lehte te zgjidhnin nje njeri te studiuar dhe me integritet, pasi perpos fushates teper te fuqishme te marketingut, Shpendi fitoi debatet televizive ndaj kundershtareve direkt.
Degjoja njerez ne Prishtine qe kishin votuar historikisht LDK-ne qe flisnin me simpati jo vetem per Shpend Ahmetin, por dhe per Korab Sejdiun qe kandidoi nen siglen e AKR-se (ishte parashikuar fillimisht te kandidonte per LDK-ne, por s’i hapi rruge Isa Mustafa).
Po ashtu me simpati u pa edhe kandidati i Partise se Forte Visar Arifaj. Edhe pse fushata e tij ishte mbi talljen dhe ironine e drejtimit te deritashem te komunes se Prishtines, ai shpalosi te vertetat e medha aq sa shkeputi 2% te votave dhe nje karrige ne Keshillin e Komunes.
Agim Ceku ishte deshtimi me i madh i ketyre zgjedhjeve e nuk arrij te kuptoj se si PDK mundi te ofronte nje kandidature kaq te dobet per Prishtinen. Per me teper, Agim Cekut i ruhet vendi i Ministrit te FSK-se edhe pse deshmoi qe ishte deshtim i plote dhe nje politikan me popullaritet minimal ne Kosove. PDK ka nevoje per riformim dhe te rinjte duhet te thirren ne frontin e pare te luftes politike. Te rinj si Memli Krasniqi, Vlora Citaku etj duhet te jene njerezit qe u duhet dhene stafeta e partise.
Shum shkrim i sakte Prishtina ka kapacitete te jashtezakonshme per tu zhvilluar me nje buxhete jo edhe aqe te vogel mare per koke banori buxheti i Prishtines esht me i madhe se i Tiranes Prishtina ka afersisht 200.000 banore rezidente dhe mbi 200.000 jo rezidente qe jetojn punojn gjdo dite ne Prishtine ndersa buxheti i Prishtines esht mbi 80 milion euro krahasuar me Tiranen e cilaka mbi 700.000 banore dhe nje buxhet prej 90 milion euro. Megjithe ate Prishtina ka ngexene shum aspekte sa i perket investimeve kapitale ndersa ato private jan diqka tjeter dhe ka mjafte investim megjithate jo edhe aqe sa ka realishte kapacitet Prishina kur dihet fakti se Prishtina ka shum kapitalista shum biznesmena me shum se te gjitha vendet e rajonit dhe ndoshta edhe Ballkanit esht evident fakti se vetem Beogradi munde te kete me shum Miliarder dhe Milioner se Prishtina dhe duke mare parasysh kete fakte munde te themi se Prishtina ka ngecenper shkak te keq qeverisjes perndryshe duhet te ishte Dubai i Ballkanit me kapacitete qe ka
E lexon ndonje kete mucmollen?