Qeveria ul kuotat për nxënësit e shkollave profesionale, “harron” premtimin

16 Dhjetor 2010, 12:44Sociale TEMA

Nga Altin Musai

Mangësitë në buxhetin e shtetit duket se kanë çuar qeverinë në uljen me një të katërtën e bursave për nxënësit, shumicat e të cilave shkonin në arsimin e mesëm profesional, një domosdoshmëri për arsimin shqiptar, sipas raporteve ndërkombëtare. Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të miratuar dje nga 1950 bursa është ulur në 1500 për nxënësit e shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri shkollor 2010 – 2011, të japë 1 500 (një mijë e pesëqind) bursa, për  nxënësit, dhe 1 920 (një mijë e nëntëqind e njëzet) bursa, për studentët, për hyrjet e reja  në vitin e parë në sistemin arsimor publik për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të vendimit.” – përcakton vendimi i qeverisë, duke ulur me 450, ose me një të katërtën bursat për nxënësit, shumica e të cilave shkojnë për arsimin profesional.

Ndërkaq, me këtë rast është shtyrë edhe afati për shqyrtimin e kërkesave deri në datën 15 janar nga 15 dhjetor që ishte deri tani. “Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin  e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2010” – përcaktohet në vendimin e qeverisë.

Por, kjo prek drejtpërdrejtë arsimin profesional, teksa në bazë të vendimit të qeverisë, shumica dërrmuese e këtyre bursave për nxënësit shkon për arsimin e mesëm profesional që është përcaktuar prioritet nga qeveria. Në fakt, ky lloj arsimimi, që është cilësuar si arsimi më i nevojshëm për tregun e punës shqiptare, sipas një sërë raporteve ndërkombëtare, është lënë pas dore dhe këto bursa u panë si një mundësi e mirë stimulimi.

Vetë ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj kishte deklaruar në fillim të këtij viti që është e nevojshme që të kemi një stimul ekonomik për t’i shërbyer tërthorazi tregut të punës. “Nxenesit e vitit te pare do te kene bursa ne disa dege, qeveria ka vendosur perpara dy javesh. Per disa dege nuk ka asnje kriter, midis tyre eshte dhe dega e ndertimit, per dege te tjera ka kritere, po numri i bursave eshte shume i madh, dhe pjesa me e madhe e nxenesve do te kene bursa” – kishte deklaruar ai.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës deklaroi se studentët me aftësi të kufizuara dhe ata nga shtresat sociale do të kenë përparësi, edhe pse u janë prerë një e katërta e fondeve. “Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera të parashikuara me VKM, nga buxheti vjetor i miratuar për MASH. Ato administrohen nga DAR/ZA në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore (Kryetari dhe Këshilli i zgjedhur), duke i dhënë përparësi nxënësve dhe studentëve me aftësi të kufizuara dhe atyre nga shtresat sociale në nevojë.” – deklaroi ministria.

1 komente në “Qeveria ul kuotat për nxënësit e shkollave profesionale, “harron” premtimin”

  1. Epirioti says:

    Gazetare te dashur e idiote! Filloni te mesoni dicka mbi Rilindjen e arte te Shqiperise qe te keni mundesi qe te perhapni keto ide ne brezin e ri. “Me pushke e pene per memedhen” dhe “Feja e shqiptarit eshte shqiptaria” jane dy citate qe duhet te mbushin shkollat shqiptare ne Shqiperi, Greqi, Maqedoni, Kosove, Mal te Zi e kudo gjetke. Me ben cudi qe lajmi eshte vetem lajm, aspak analize, aspak opozite, debat, e mos prisni vetem komentet e njerezve se nuk kane peshe ne ngritjen tuaj profesionale. Mero formo staf gazetaresh profesionist, rebel, e pa komplekse ndaj “VIP”-ve te politikes e biznesit. Heres tjeter kur te te bllokoje ekonomikisht Sala ose Edi Rama neser pasneser do kesh perkrahje qofte edhe ekonomikisht nga njerezit qe do te binden ne misionin tend

Comments are closed.

Lini një Përgjigje