Në fillim të vitit Doktori mblodhi stafin e tij të ngushtë dhe përcaktuan prioritet e qeverisë, me të cilat do të hynin në fushatën elektorale. Secili këshilltar i tij ofroi disa skenarë mbi të cilët mund të mbështetej fushata për arritjet e qeverisë. Por ndërsa mbledhja ende nuk kish mbaruar, Doktori u kish hedhur një sy propozimeve dhe po rrudhte buzët.
– Dua arritje që të jemi të parët në Ballkan, Evropë ose botë, tha. Nuk dua arritje dosido.
Këshilltarët panë njëri- tjetrin në sy.
– Kam unë, tha i pari Petraqi. Ne jemi vendi me ritmin e rritjes ekonomike më të lartin në Evropë. Çdo vit na lëviz me 60 deri 70 për qind.
– Ashtuu, po, ja, kjo është një arritje e madhe, i tha Doktori… d.m.th unë mund të them se sivjet do ta kemi rritjen ekonomike 70 për qind më të lartë se vjet?
– Po, tha Petraqi pa ju dridhur zëri. Këshilltarët e tjerë kthyen kokën… Petraqi uli pak zërin.
– Sipas Bankës Botërore vjet e kemi pasur rritjen ekonomike 0 dhe pritet që sivjet ta kemi 0.7 për qind, tha. Kjo është një rritëm rritje 70 për qind.
Këshilltarët u çliruan nga kurioziteti dhe lëshuan një ufff.
Doktori ruajti qetësinë.
– Nuk ka rëndësi, tha. Nuk i shpjegojmë këto të tjerat. Kjo përqindja vlen. Mbaj shënim ti, i tha zëdhënëses. 70 për qind ritmi i rritjes ekonomike.
Ngriti sërish kokën dhe vështrimi ju kryqëzua me Pollon.
– Nga teknologjia çfarë mund të themi Genc, e pyeti.
Genci u skuq edhe më deri tek veshët, pastaj uli sytë mbi letër sikur po llogariste diçka dhe tha:
– Ne jemi një nga vendet e para në Evropë në përdorimin e Facebook, kurse vetë qeveria është ndër më të avancuarat në gjithë Shqipërinë.
Doktori përplasi dorën gjithë gëzim mbi tavolinë.
– Kjo është, tha. Bravo. E shikon apo jo, kemi bërë një punë të madhe me këtë Shqipërinë në moshën dixhitale. Bravo d.m.th. Shiko, gjithmonë e kam ditë se shqiptarët do t’ia kalonin Evropës në internet. Genc, më jep dhe ndonjë të dhënë kur ka hyrë kjo teknologji e Facebook.
– E ka shpikur Zuckerberg. Sivjet u shpall dhe njeriu i vitit nga Times…
– E kam ditur Genc. Shiko do tu them një sekret. Kam tridhjetë vjet që e pres këtë njeri. Në vitin 1981 kur isha në Paris dëgjova për herë të parë për të dhe shpikjen e tij. Prisja që një ditë kjo gjë të mësohej dhe në vendin tim, po të them të drejtën kisha shumë pak shpresë. Sot siç thotë dhe Genci jemi ndër të parët në Evropë. Shiko, ky është një hap i madh. Asnjë qeveri nuk ka bërë kaq përpara në reformat e Facebook-ut. Genc, më jep ca detaje t’i përdor për fjalim?
Genci vazhdonte të ishte i skuqur deri në rrënjë të flokëve.
– Këtë të Parisit mos e përdor publikisht, i tha. Përdore vetëm në biseda private.
– Pse Genc, pse mos ta përdor? Shiko, unë e përdora atë të iPad-it dhe ka ngjitur shumë. Kam marrë mijëra mesazhe që më thonë se ke qenë shumë largpamës që ke paramenduar qysh në vitet tetëdhjetë shpikjen e iPad-it.
– Po, po Doktor, s’ka problem, por ky Zuckerberg ka lindur pasi ke ardhur ti nga Parisi. Ka lindur afërsisht nga mesi i viteve 80-të dhe këtë nuk e ndryshojmë dot se ja di gjithë bota ditëlindjen…
– Ashtu…, po mirë atëherë, të them se qysh në mandatin e parë të PD-së më 22 mars 1992 ne kishim një objektiv për Facebook-un…?
– Jo Doktor sa ai nga viti 2004 ka nisur ta shpikë..
– Ashtu? Po ti na shpëtove atëherë. Ne mund të themi se e kemi pasë në programin e vitit 2005. Mirë shumë, e gjetëm. Kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverie. Shiko, ne kemi parashiku në program një biznes që përfshin qindra- milionë njerëz. Jo, kemi qenë qeveri me vizion. Genc, lidhu me këtë Zuckerberg-un dhe porosit nja 100 mijë Facebook për gjithë shqiptarët. T’ua dhurojmë falas… Do ketë efekt në zgjedhje lokale.
– Nejse, mos të nxitohemi se falas është Doktor. Siç të thashë, shqiptarët kanë hapë Facebook për frymë më shumë se çdo shtet i Evropës.
– Ashtu? Po mirë atëherë. Ja këtë mund të themi, kjo nuk është pak. Ne mund të ftojmë këtë Zuckerberg-un dhe të bëjmë një konferencë për Shqipërinë në moshën dixhitale dhe ai të vlerësojë arritjet e qeverisë. Ne e pagujmë, s’ka problem..
– Nuk besoj se vjen Doktor se ai e ka buxhetin e kompanisë dy herë më të madh se buxheti i qeverisë sonë. Por po i them njëherë.
– Genc, bisedo një herë. I thuaj të japim me koncesion tunelin e Elbasanit, na jep nga një Facebook për çdo shqiptar….qeshi pak me vete…dhe ndonjë për secilin anëtar të qeverisë, i tha.
– Kanë të gjithë anëtarët e qeverisë, tha Ceca papritur.
– Ashtu, tha Doktori. Po ti nga e di?
– Më kanë bërë friends të gjithë, tha Ceca, ca më ftojnë të luaj poker, ca të ndërtoj fermë në fshat, kurse Lul Basha ka tri muaj që më fton të luajmë me ndërtim qytetesh. Po ngelet gjithmonë pa rrugë dhe i jap ca rrugë borxh…
Doktori u hutua nga gjithë fjalori i Cecës.
– Nejse, s’po kuptoj gjë, tha, po mirë është që në qeveri të mos bëhet gjë pa leje. Dhe ti zotëri, ju kthye Lulit, mos harxho lekët e popullit për të bërë eksperimente se si ndërtohet një qytet. Kemi programin tonë, kemi objektivat tona, vetëm sipas atyre ndërtohet.
– Po përpiqem zoti kryeministër, por ato që thotë Ceca janë thjeshtë lojë. D.m.th ushtrohem nga pak për urbanistikën dhe lejet e ndërtimit. Vetëm Ceca më ndihmon se këta të tjerët ose lozin poker, ose ndërtojnë ferma në fshat.
Doktorit iu bë krejt rrëmujë gjithë kjo histori.
– Atëherë po e mbyllim, tha. Suksesi i qeverisë në Facebook duhet të jetë lajtmotivi ynë për këtë muaj. Duhet t’ua bëjmë të ditur shqiptarëve se kemi pasë sukses në projektin “Shqipëria në moshën dixhitale”. Me kaq e deklaroj të mbyllur. Urdhëroj zotin Lezha të përgatisë me urgjencë një kënd në zyrën e kryeministrit dhe të vendoset edhe aty Facebook.