Në avionin e linjës “Belle Air”, po udhëtonte një vajzë e re dhe gruaja e Lulëzim Bashës, që boton revistën “Eleganca”. Vajza e re nxori nga xhepi i sediljes së avionit revistën dhe po shikonte kopertinën e saj, ku kishte pozuar Liri Berisha, si Mona Liza.
– Të pëlqen, e pyeti gjithë gëzim gruaja e Lul Bashës.
– Kush, i tha vajza.
– Revista, i tha gruaja e Lul Bashës. Është e imja. E bëj unë…
– Aha, i tha vajza. Jo, po kërkoja ndonjë revistë avioni, po ky vetëm këtë paska. Çfarë e ke këtë pronarin e kësaj kompanie që mban vetëm revistën tënde?
– E kam kushëri, i tha ajo, dhe kur burri im u bë ministër, e ndihmoi që ta hapte këtë kompani dhe të falimentonte një tjetër, që nuk ishte gjë.
– Po këtë gruan ç’e ke që e ke nxjerrë në kopertinë, e pyeti vajza.
– Nuk e njeh, i tha gruaja e Lul Bashës. Është gruaja e kryeministrit. Lexoje intervistën: “40 vitet e mia me Berishën”… E lexon shpejt, e nxiste ajo.
– Ndoshta 40 vitet e saj me Berishën i lexoj shpejt, i tha vajza, por 20 vitet e mia me Berishën, dua 40 vjet t’i tregoj.
Fatos Nano ka filluar rastis shpesh në aeroportin e Vjenës me Shkëlzenin, që nuk dihet pse shkon kaq shpesh në Austri. Herën e fundit që u takuan, Nano ishte në qejf, dhe në raste të tilla shkëlqen në batuta.
– Unë e ti kemi shumë gjëra të përbashkëta, i tha Shkëlzenit.
– Çfarë kemi, i tha Shkëlzeni.
– Të dy e duam Doktorin, të dy e duam Austrinë, të dy i duam paratë, të dy kemi bërë lekë nga pushteti, të dy jemi martuar me gra që kanë mbiemrin tonë dhe të dy i kemi marrë gratë me nga njëzet vjet diferencë.
Disa qytetarë shkodranë të përmbytur në katin e parë të ndërtesës, kishin hipur mbi tarracë dhe po kërkonin ndihmë. Aty afër kaloi Jozefina me grupin e emergjencave.
– A bën me na pshtu zonja kryetare, i thanë qytetarët shkodranë.
– A jeni kundër Tunelit në Elbasan, a pro, u tha Jozefina.
– Kundër moj ta marrsha. Na hapni një tunel këtu poshtë me ik prej shpie se po mbytemi.
– Epo keki socialistë atëherë, aty të rrini, tha dhe iku.
– Heu ç’na e futi, tha qytetari i mbetur majë shtëpisë në mes të ujit. I dëshpëruar i thirri përsëri.
– Zonja Topalli, zonja Topalli. Po eja të sqarohemi njëherë.
Jozefina u kthye prapë.
– A ndërrut mendje a, tha.
– Jo, deshtëm me të pyt kush ashtë tokë më e mirë me mbjell orizin, toka nën ujë apo mbi ujë, se ti ke punu tek instituti i Orizit.
– Ça di unë, por nën ujë më kujtohet që ka kenë ma mirë. Po ju sot gjetët me më pyet si duhet me u mbjellë orizi a, kur është ba krejt Shkodra orizore?
– Po pse, ti sot gjete me na pyet për tunelin që kemi mbetë majë çatisë a, i tha qytetari.
Çiljeta i ka bërë një shantazh të fortë Berishës këtë javë. Në një intervistë në një nga suplementet rozë të kryeqytetit, Çiljeta ka deklaruar se nëse Berisha nuk e bën deputete, ajo do largohet nga Shqipëria me të dashurin e saj.
E para që mësoi për shantazhin ishte Jozefina.
– Ku, ku, ç’na turpëroi kjo vajzë, tha. Thojini moj dreqit se janë zgjedhje lokale këto, nuk janë parlamentare. Më 2013-ën janë ato që bëhesh deputete.
– Mirë, tha Flamuri, këtë ia them unë, po sikur të presë deri më 2013-ën, çfarë t’i themi?
– Atëhere duhet me bisedu me atë burrin. I duhet thënë: S’mun me i pasë krejt femrat një profil. Nëse futet Çiljeta, dikush prej sërës saj duhet me dalë, o Albana, o Mesila, naj tjetër!
Ditën që Presidenti Topi organizoi pritje me gazetarë, Berisha, i cili u kap në befasi, urdhëroi Petrit Becin të bënte urgjent një pritje në RTVSH për gazetarët e qeverisë. Ylli i pritjes u bë papritur Vjollca Vokshi, spikerja e njohur e kohës së Berishës- president, që është arratisur nga Shqipëria në vitin ‘97 dhe jeton në Republikën e Venezuelës ku qeveris Hugo Çavez.
– Vjollca, si të kam, i tha Berisha sa hyri brenda. Si po kalon andej?
– Mirë Doktor, i tha ajo. Atje është qetë. Media është serioze dhe nuk shkruan gjëra kot dhe pa leje. Këtu qenka bërë bishti më i rëndë se sqepari.
– Vjollca, po e rregullojmë, i tha Berisha. Avash- avash po e rregullojmë. Artjan, prezantoi Vjollcës pasardhësit e saj!
Artjan Tepelena filloi t’i prezantonte stafin.
– Ky është Petrit Beci, i tha. Nuk e mban mend. Kur ike ti, ky nuk njihej. Më pas punoi në TV Klan dhe Top Channel, pastaj erdhi këtu.
Vjollca kapi Artjanin nga mënga.
– Komunist qenka ky, tha. Nga ata të Klanit?
– Pusho, i tha Artjani, se dëgjon Doktori.
– Pastaj të prezantoj Esmeraldën, tha. Këtë kemi spikere kryesore. Kjo është punësuar në vitet 2000 kur ishte Meta kryeministër. Tani mbulon udhëtimet jashtë shtetit të Ministrit Basha.
Vjollca e kapi prapë nga krahu Artjanin.
– Qyqja, komunistet që më kanë zëvëndësu mua paskeni akoma në punë?
– Pusho se dëgjon Doktori, tha Artjani.
Pastaj i prezantoi gjithë stafin e Informacionit.
– Janë të gjithë të rinj Vjollca, i tha, kanë ardhë në TVSH pas teje…
Vjollca uli kokën dhe nuk foli më. Artjani që donte të binte në sy që ishte i vetmi i brezit të saj aty, i tha publikisht.
– Vjollca, na jep fjalën, do kthehesh apo jo?
– Jo faleminderit, i tha Vjollca. Do ik në Venezuelë se kam punët e mia. Po jam e gatshme t’u ndihmoj të merrni përvojë po të doni. Ejani se Venezuela i ka mediat më të mira se TVSH.
Ambasadori Nesho kishte dëgjuar fjalimin e Lul Bashës në Kuvend, për rreziqet që i kërcënohet pushtetit nga talibanët e Dukatit dhe faktin që NATO do angazhohet kundër tyre dhe filloi të thurë plane. Vendosi që me OJQ-në e vet, të bënte një tryezë me titull: “NATO në Shqipëri dhe sfidat e reja kundër shtetit të Dukatit”. Për t’i bërë qejfin Lul Bashës e mori në telefon dhe i tha:
– I madh je treguar zoti Ministër! Më ke pëlqyer shumë. Ua ke bërë mirë atyre dukatasve se ata dhe në kohë të luftës me Ballin kanë qenë. Gjithë jetën kundër i kemi pasur.
Basha, i cili u shkri i gjithi nga servilizmi i ambasadorit Nesho, ia ktheu.
– Ballistë, ballistë, po nuk më njohin mirë mua. Më ngatërrojnë me Enver Hoxhën ngaqë u ngjaj kur ka qenë i ri. Ai u mori tokën dhe ja dha shtetit dhe u la një fije shpresë. Por ta dinë mirë se po ia dhashë Zenit dhe Rafit, as njëqind breza s’kanë për ta parë më me sy atë tokë.
Gjatë pritjes tradicionale që zonja Berisha bën me biznesmenët që paguajnë rregullisht për fondacionin e saj, Harri Lena i afrohet për të dalë në fotografi dhe përpiqet të futet në bisedë me të.
– Zonjë, i tha, për çfarë sëmundjesh shkojnë paratë tona?
– Për fëmijët me probleme të autizmit, I tha zonja Berisha.
– Po çfarë është kjo sëmundje, e pyeti Harri.
– S’di si të ta shpjegoj, i tha. Nuk është se fëmijët janë të sëmurë, por u vjen goja me vonesë dhe nuk flasin, nuk komunikojnë, meditojnë me vete.
– Shumë mirë, tha Harri.
– Po ka raste që nuk shërohen, pyeti përsëri për të mos ndërprerë bisedën sa të bënte një fotografi ndihmësi i tij.
– Ka, i tha zonja Berisha. Por janë raste të rralla.
– Po çfarë bëhet me ato raste, vazhdonte pyetjet Harri.
– Kam folë me Saliun, i tha zonja. Ata që nuk shërohen dot, do t’i bëjë deputetë, se aktualisht është i vetmi vend pune ku nuk ke nevojë të flasësh.
Motrat Vokshi vendosën të hidhen në sulm kundër Edi Ramës. Të shqetësuara për sulmet ndaj bizneseve të tyre, dhe të fyera shumë që opozita fajësonte ato për pasuri të hedhura në emër të partnerëve, vendosën t’ia kthejnë me të njejtën monedhë. Më e prekura prej tyre, Albana, vendosi t’i kërkojë Edi Ramës të bëjë publike gjithë pasuritë e partnereve të tij, të cilat sipas Albanës janë shumë.
Edi Shalsi, që monitoron gjithë konferencat për shtyp të motrave Vokshi, sapo e dëgjoi, i dërgoi sms Ramës. “Kjo kërkon të deklarosh pasuritë e gjithë të dashurave që ke pasur”.
– S’ka problem, ia ktheu Rama, se shumica nuk janë në Shqipëri, por s’besoj se e le doktori ta përsërisë këtë deklaratë.
– Pse, pyeti i çuditur Shalsi.
– Me këtë kriter duhet të deklarojë pasurinë gjysma e kryesisë së PD.
Jozefina Topalli ishte përgatitur gjatë para emisionit “Opinion” që të thoshte diçka kundër Lul Bashës. Bëri disa herë prova para pasqyrës për tekstin që do thoshte dhe shkoi e sigurt në emision. Sapo dikush e pyeti për arritjet e qeverisë, ajo filloi menjëherë të numëronte… “Aldo Baren e keni në burg, Lul Bashën e keni në burg… më fal Lul Berishën”.
Gafa u përhap menjëherë me sms në gjithë njerëzit e PD. Berisha, i xhindosur pas emisionit, e merr në telefon.
– Po mirë moj zonjë, aq shumë të ka verbuar urrejtja për Bashën sa nuk e kontrollon dot veten as para kamerave?
– Ç’ka me ba doktor. Kisha frikë se më keq ishte me thanë Lul Berisha, se atij krejt i thonë që ta ka doktori si çunin tand.
Flamur Noka mbërriti në fshatin e tij, ku rrallë ngjitet ndonjë makinë, me Range Rovers-in e tij, model Vogue. Në fshat u përhap menjëherë fjala që ka mbërritur Feimi me një makinë sa dy dhoma e një kuzhinë.
Një plak, që e mbante mend fëmijë kur shkonte me dhi në mal tha: “M’kujtohet kur na erdhi njëri dhëndërr në fshat. Kish veshur kostum ushtaraku në vend të kostumit të dhëndrrit. Një nga gratë e fshatit i thuri në vend nji kangë:
O Mahmut, o lum dada/
Edhe muti paska grada!
Comments are closed.
Keto jane krijime te rralla letrare , por qe paraqesin realitetin aktual , pa sforcime dhe pa dilema . I lumte atij , qe i ka krijuar . Illo
Krijime te bukura,reale per te qeshur e per te qare.