Sandri gjobitet në ankandin e “Fondit të Familjes”
Ankandi i fundit për “Fondin e Familjes” krijoi probleme. Përveç faktit që në ankand u shit një ikonë fallco e ikonografit të Mesjetës së Vonë, Kostandin Shpataraku, pati ngritje fiktive çmimesh dhe për piktura të tjera banale, me të cilat biznesmenët paguajnë “gjobën” ndaj “Fondit të Familjes”.
Sandri kishte organizuar gjithçka. Kunati i Gimes nga drejtoria e VIP në tatime kishte nisur ftesat për çdo biznesmen VIP për t’i kujtuar taksat e tij tre mujore ndaj “Fondit të Familjes”. Kjo është puna më e lehtë që bën drejtori i VIP-ve, pasi gruaja e tij, d.m.th motra e Gimçes, që përveç punës së palodhur që bën si Sekretare e Ministrisë së Shëndetësisë, punon vullnetarisht dhe për nevojat e “Fondit të Familjes”, pasdite kur gjen kohë, duke i rekomanduar burrit kujt t’i nisë fletën e gjobës për “Fondin” nga bizneset e mëdha. Deri këtu Sandri e kishte bërë mirë punën e tij. U ra dakord të mblidheshin 250 mijë euro. Pas çdo pikture që dilte në shitje, do të ndërhynte Sandri që të rriste çmimin dhe kështu do të mblidhej shuma.
Kështu filloi ankandi. Dilte një pikturë në ankand, dilte blerësi i parë, Sandri dyfishonte çmimin dhe pastaj blerësi i radhës paguante gjobën. Gimçja në një copë letër mbante shënimet për shumën e mbledhura. Por, në mes të ankandit, gjithçka gati u prish. Një pikturë pa asnjë vlerë, nga ato që mund të shiten 200 euro, nisi ankandin me 500 euro. U hodh dikush e çoi 1000 euro. Sandri, i cili ishte tallur gjatë deri atë kohë me biznesmenët e trembur, vendosi të bënte bllof.
– 9 mijë euro, tha.
U vendos një heshtje varri. Asnjë nuk po jepte çmim tjetër. Befas Sandri e kuptoi që piktura i ngeli atij dhe bashkë me të dhe fatura 9 mijë euro. Pa një herë nga Gimja. Ai i shkeli syrin ta merrte. Ashtu u bë.
– Çfarë janë këta shkërdhata, tha, pse mua ma ngecën këta?! Hajt se ua q… ropt unë tani.
I bëri shenjë njeriut të ankandit të nxirrte Shpatarakun. E nxori. E prezantoi si ikonografistin më të famshëm të Shqipërisë mbi David Selenicën dhe Onufrin.
Sapo hapi gojën drejtuesi i ankandit, pas çmimit të parë Sandri dha menjëherë një çmim dy herë më të lartë. Kjo ishte shenjë se çmimi duhej të rritej. Pas kësaj nisi gara. Zotni Ramadani pyeti se çfarë ishte ky zotni Shpataraku.
– Nuk e njoh mirë, po Fevziu të tregon, i tha Sandri.
– Ka qenë piktor i madh, i tha Fevziu. Im gjysh nga nëna ka pasë disa piktura të tij në shtëpi. Im gjysh nga daja, ka pas tre, kurse im gjysh nga halla kishte një dhomë plot me këto.
– Allahile, tha Ramadani, pse ortodoks i ke pas krejt gjyshat?
– Jo mo burrë, por e kanë pasë dash shumë këtë Shpatarakun. Dhe Onufrin e kemi pasë, dhe Selenicën, po ky ka qenë më i mirë.
– Ani bre, po e blej 75 mijë euro, veç e vogël po më duket, as gjysëm metri katror.
– Merre se ka ngjyra të mira, shkon me mobiljet, i tha Fevziu.
Pasi e bleu, Ramadani kërkoi ta shihte nga afër.
– A bën me e pa, i tha Shimës, se du me e llogaritë ku me e vendosë.
– S’ka problem, i tha Shima. Me thuaj sa vend ke, se të japim një tamam për vendin që ke dhe ngjyrën e mobiljeve. Ka bërë plot ky Shpataraku. Ta japim si të duash.
– Ani bre, ç’ka je ka thue? A nuk bleva diçka unë, apo është krejt kot kjo?
– Jo, nuk është kot, thjesht po u mor vesh këtu që ke pagu 75 mijë euro ke të drejtë me thënë që ke një pikturë të Shpatarakut. Ke licencë d.m.th. Pastaj ta gjejmë një pikturë si e don dhe ta nisim në shtëpi.
– Po mirë bre vëlla, unë s’po kërkoj licencë hidrocentrali, pikturë po du, atë që kam ble.
– Po hajt mo burrë se dhe Shpatarakun sikur ta ngjallësh nga varri, nuk e di a është e tij a e botës, i tha Sandri. Ç’të duhet ty se e kujt është. Ne të japim certifikatë dhe ajo të duhet. Pastaj pikturën porosite sa të duash, të madhe ta bëjnë brenda ditës këta.
Ramadani u hutua shumë nga shpjegimi. Pagoi paret dhe iku.
Pas kësaj Gimja i shkeli syrin Sandrit.
– U kalua shuma, tha, s’ka nevojë t’i paguash.
– Pse, sa shkoi?
– Shkoi 300 mijë, por do themi që ka shku 250 mijë. Ndajmë dhe ndonjë lek xhepi ta kemi këto ditë.
– Mos i ka mbajtë shënim njeri tjetër, pyeti Sandri.
– Jo mor burrë, s’ka kush t’i mbajë, tha Gimja.
Të kënaqur po dilnin të dy nga ankandi. Zonja i përcolli tek dera.
– Faleminderit Sandri, i tha. Nuk më shkonte mendja që do mblidhnim 200 mijë euro kaq shpejt.
Sandri pa nga Gimja, i cili i shkeli syrin.
– Epo një pesëdhjetëshe e do dhe ajo, i tha duke dalë.
Flamuri sqarohet për termin Salibanë dhe Talibanë
Flamuri kishte dy ditë që nuk ia rrëfente njeriu brengën që kishte. Lul Basha, dy ditë më parë, kishte përdorur fjalën talibanë për dukatasit, kurse Edi Rama kishte përdorur fjalën Salibanë për demokratët. E vetmja gjë që arriti ta kuptojë vetë, pa ndihmën e askujt, ishte se në qendër të sherrit ishte fjala talibanë. Problemi ishte se nuk kuptonte ç’do të thoshte kjo fjalë. I vetmi njeri që kuptonte nga historia dhe që mund ta pyeste ishte Genc Pollo, po atë e kishte bezdi se e tallte sa herë e pyeste për ndonjë ë gjë. Atëherë vendosi të pyesë Aldo Bumçin, se ai merrte vesh nga punët ndërkombëtare.
– Aldo, çfarë kanë qenë këta talibanët mo burrë, se nuk e kuptoj mirë? Jo se nuk e di, por dua ta di tamam- tamam çfarë kanë bërë.
– S’di si të ta them Flamur, se unë e kam bërë shkollën në Qipron turke dhe atje nuk është se i kishin zët, bile i donin ca.
– Po mirë mo mirë, çfarë kanë bërë dua të di unë…?
– Po si të ta them unë, këta kanë qenë si një punë partie në opozitë në Afganistan, kur u pushtua nga sovjetikët.
– Po mo po, këtë e di unë kaq, se i kam mësu në histori partie, po çfarë kanë bërë tamam- tamam.
– Po si të të them unë, u bë si u bë dhe këta erdhën në pushtet një ditë.
– Hë, ja këtë më trego mua ti se nuk e di mirë.
– Sapo erdhën në pushtet këta, bënë reforma të mëdha Flamur. P.sh, pushuan gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e asaj kohe dhe vunë gjykatat e tyre.
– Po mirë ia paskan bërë, i kanë lujt fenë. Jo po do rrinin si ne, hiq një sot, një mot.
– Ashtu. Pastaj hoqën ligjet që ishin në fuqi dhe vunë një Kushtetutë të tyre, që është e tmerrshme për kundërshtarët politikë dhe njerëzit me vese.
– Po mirë ja paskan bërë, i kanë luajtur fenë. Jo po do t’i duronin siç i durojmë ne.
– Ashtu. Pastaj ju hynë objekteve të kultit. Gjithë statujat e vjetra budiste që gjendeshin në ato anë dhe çfarë gjetën tjetër nga regjimi i kaluar që dukeshin se ishin ekstravagante, e shkatërruan rrafsh me tokën sikur nuk kishin ekzistuar.
– Po mirë ia paskan bërë. Jo po do dridheshin si kurvat, siç po bëjmë ne me Piramidën. Jo ta prishim, jo mos ta prishim, jo ka qenë varr, jo ka qenë muze. Prishi atje, q… robt. I kam thënë atij burrit, deri më 20 shkurt duroj, pastaj mo ta shoh më këtu këtë Piramidën. Prit Flamur, thotë se duhet ta menaxhojmë mirë deri në zgjedhje lokale, se nuk kemi me se merremi. Ata e paskan bërë shumë mirë. Jo po do pyesin popullin.
– Ashtu. Pasi prishën këto objektet e kultit, ndërruan ligjet, gjykatat, prokurorinë, rregulluan dhe punën e medies. Lanë vetëm një gazetë dhe një televizion që fliste tamam për hallet e qeverisë dhe arritjet e saj, dhe lejuan disa gazeta lokale, që mund të bënin kritika të përgjithshme në nivel komunal, p.sh për kanalizimet, ujërat e zeza, si dhe probleme të moszbatimit korrekt të ligjit nga qytetarët.
– Po shumë mirë ja paskan bërë, jo po hajde duro gjithë këto gazeta e televizione këtu. Mua dhe ky Sandri që është i yni, kur e shikoj që ka katër frekuenca, më zë frika, se më duket sikur dy do na i kthejë kundër sa të biem nga pushteti.
– Jo, jo, mos ki frikë, Sandri nuk e dredh. Ai rri gjithmonë me pushtetin. Fajin e kanë ata që ikin nga pushteti. Ç’të të them tjetër për talebanët, çfarë do?
– Jo mo, asgjë s’dua më. Këta qenkan tamam. Ky Lul Basha qenka b… që krahason këta dukatasit me talibanët. Dashka t’u ngrejë vlerat atyre shkërdhata.
– Nuk di ç’të të them, se Luli e ka pas bë shkollën në Holandë dhe atje nuk i duan talebanët.
– Po mirë Luli, po ky Ed Rama, çdo të thotë me këtë fjalën salibanë?
– Do të thotë që ne jemi si talibanët, por kemi udhëheqës Saliun.
– Ja fute kot Aldo më duket. Unë pyeta Jozin se ç’do të thotë Salibanë dhe më tha: Nuk e din çka do me thanë?! Nuk dina me e nda në dy pjesë fjalën Sali – Ban, d.m.th gjana që i “ban Saliu”.
– Ashtu? S’më kishte shku në mendje. Ja ta mbaj shënim, ta përdor dhe unë, tha Aldo.
WikiLeaks, një fakt tronditës për Lul Bashën
Sapo doli fjala që WikiLeaks do të publikojw qindra dokumente sekrete që kanë lidhje me Shqipërinë dhe diplomacinë amerikane këtu, të gjithë filluan të mendojnë se çfarë mund të ketë rrjedhur nga diplomacia shqiptare. Flamuri, i cili filloi menjëherë hetimet, gjeti tri pika të dobëta, për të cilat kanë raportuar keq diplomatët amerikanë. I pari ishte Lul Basha, i dyti Fatmir Mediu dhe i treti Berisha.
Ndërsa për Mediun dhe Berishën faktet ishin tronditëse, për Lul Bashën ishin shumë qesharake.
I tronditur nga informacioni që mori, shkoi në zyrë të Jozefinës.
– Punë dreqi me këto WikiLeaks, tha. Janë ngatërruar gjithë përkthyesit se nuk ia dalin dot të sqarojnë pse fjala “Lul” përdoret gjithandej, edhe kur është fjala për atë burrin, edhe kur është fjala për Zenin, edhe kur është fjala për Mediun.
– Si ka mundësi mor Flamur me i identifiku krejt me atë plehun?
– Nuk e di, por një nga këta analistët e WikiLeaks më ka dhënë një shpjegim tronditës sot.
– Çfarë mor të ka thënë?
– Kur paska nisë problemi pas vitit 2007 me gjyqin e Rrugës së Kombit, dhe kur Luli nuk dorëzonte imunitetin, ambasadori holandez paska shku në një darkë tek ambasadori amerikan dhe paskan diskutuar gjatë për këtë çështje. Gallata qenka se ambasadori holandez paska qenë shumë i zhgënjyer nga Lul Basha dhe i paska hapur zemrën ambasadorit amerikan.
– Hë mor, çfarë i ka thënë për atë farë burrit?
– I paska thënë: Dua të them diçka që mund të ngelet mes nesh si fjalë e koduar.
– Patjetër, i ka thënë ambasadori amerikan.
– Në holandisht, Lul i thonë atij organit mashkullor.
– Përnjimend ashtu i thonë holandisht a?
– Po, tha Flamuri. Dhe unë nuk e besova kur ma thanë këta analistët e WikiLeaks, por më thanë hap fjalorin në Google, shkruaj Lul tek holandishtja dhe të del në shqip përkthimi. E bëra ashtu, më doli…
– Mos ja fut kot. Hahaha, po kjo qenka fantastike mor Flamur. Po ai paska lind për me qenë holandez.
– Le, le, se këtu ka nisë problemi. Ambasadori amerikan ka qesh me lot dhe pas kësaj për çdo idiot në qeveri është përdorur fjala Lul. Kjo pastaj qenka përhapë në çdo ambasador dhe gjithë bisedat e ambasadorit amerikan, për çdo hajdut, ose njeri që s’u ka pëlqyer, ka qene fjala Lul. Për shembull në një raport të ambasadorit amerikan për Gërdecin thuhet se: “Mediu është një Lul tipik, që po e ha për shkak të djalit të Berishës.”
– Përnjimend a? Po keka fantastike mor Flamur! Hahahaha. Po për mu çfarë thonë mor Flamur?
– Nuk e di, në disa fjali është përdorur fjala Lule, ndoshta e kanë për ty.
– Jo mor, s’besoj. Unë s’u kam lënë shkak kurrë me u duk Lule. Por kjo e Lulit keka fantastike mor burrë. Po si paskena pas ne Ministrin e Jashtëm me emrin Lul. Po ai qenka i frustum mor burrë. A e din ti çdo me thanë me t’thirrë dhjet vjet rresht sa herë u del para njerëzve, O Lul! E kupton ti sa qesharak e kemi bërë ne shtetin shqiptar, në sytë e qeverisë dhe popullit të Holandës, kur u kemi thënë se njiket Lul e kemi njëri kryesor. Dhe ky me mund Edi Ramën aaa!!! Kuku nëne, me njiket emër.
– Problemi Jozefinë është se ata dhe kur flasin për Doktorin, sidomos kur ky ambasadori amerikan ha darka me holandezin, përdorin shpesh këtë fjalë. Për shembull thonë që Berisha është një Lul, skizofren dhe çoban i pagdhendur. Është pak e rëndë. Më shumë u ngatërrova kur lexova për Zenin, ku thuhej se “Djali i tij, i cili u përzie në fabrikën e Gërdecit është një Lul”. Thashë mos e kanë ngatërru me Argitën se ç’punë ka djali me Lulin… Por kur ma sqaruan këtë punën e kodit, u mërzita shumë.
– Lene mor Flamur po kjo qenka e madhe shumë. Po kjo s’duhet me ju nda atij mor. Po ndaj është i frustrum ai mor burrë. Or unë jam femën dhe s’e duroj dot me ma thanë disa herë atë fjalë, jo me kenë burrë. Por çfarë burrit është ai, që e di se çdo me thënë emri i tij në holandisht dhe i heq gruas dhe fëmijës shtetësinë shqiptare dhe ja jep holandeze. A e din ti mor si ka me u ndje goca e tij kur të rritet dhe t’i thonë shokët “babi yt Lul”. Po kjo është skandal mor burrë. Po ai qeka njeri pa dinjitet. Kuku për ne për këtë Lul.
Flamuri raporton fjalimet e Jozit dhe Lul-it nga Shkodra
E vetmja gjë e mirë që ndodhi dje ishte fjalimi i Jozefinës në Shkodër, pasi në atë atmosferë të zymtë, njerëzit kishin filluar të qeshnin. Flamuri, i cili është ngarkuar nga ai burri të mbikëqyrë situatën në Shkodër, përtoi të shkonte deri atje dhe porositi dikë që t’ia dërgonte me sms deklaratat që bënte Lul-i dhe Jozi nga Shkodra.
SMS e parë i mbërriti duke cituar Jozin.
“Shkodra është një nga vendet e bukura të Shqipërisë ku njerëzit kanë banuar prej shekujsh”, ishte fjalia e parë telegrafisht.
– Hajt mo, tha Flamuri. Ja ka fut fjalim patetik, mirë ka bërë, se ka pak nevojë aty.
Ndërkohë erdhi sms e dytë. Prapë citon Jozin.
“Ky është vendi më ters në Ballkanin jugperëndimor pasi në këtë basen derdhen gjithë lumenjtë e Ballkanit”.
– Po kjo bibë, tha Flamuri, dhe thotë që aty kanë jetu gjithë jetën, dhe thotë që është më ters në gjithë Ballkanin.
Mbërrin sms e tretë.
“Unë nuk besoj se ka vend për panik. Askush të mos hapë panik”.
– Shumë mirë, tha Flamuri me vete, ja kështu duhet folë.
Sms e katërt.
“Skena ç’ka me ba, janë çmendë krejt lumenjtë dhe po përmbysin qytetin”.
– Hej dreq, tha Flamuri me vete, ia filloi prapë.
Sms e pestë.
“Unë u bëj thirrje qytetarëve për evakuim. Të largohen nga zonat e përmbytura”.
– Ja bravo, kështu flitet, tha Flamuri me vete.
Sms e gjashtë.
“Shkodranët kanë jetu këtu dhe këtu do jetojnë gjithmonë në shtëpitë e tyre, s’kanë pse me lujtë prej tyre”.
Flamuri e humbi durimin.
– Nuk qenkan çmend lumenjtë, qenka çmend Jozefina, tha. Ca thotë në fjalinë e parë, e mohon në të dytën. Qenka bërë si Lopë e Çmendur.
I tërbuar merr në telefon njeriun e tij në Shkodër.
– Ma lër këtë Jozefinën, mos ja jepni në media këto broçkulla që thotë, dhe shiko pak ku është ai Lul-i.
– Këtej është shef, i tha shkodrani. Nuk po flet akoma. Më ka thënë po pres të mbarojë Jozi dhe të thotë të kundërtën.
– S’ke ça thu të kundërtën mor Lul, i thuaj, se Jozi i ka thënë vetë dhe të mbarat dhe të kundërtat. Të shpikë ndonjë gjë tjetër ai.
– Po ça të shpikë shef?
– Po i thuaj të flas për Ed Ramën që s’ka dekoru qytetin për festat.
– Po ene ky në Shkodër s’e ka dekoru shef? Mos na e merr për ters.
– Po ai ka të drejtë se nuk është e qartë kur ka ikë gjermani i fundit më 28 apo 29, kurse në Tiranë është e qartë, ka ikë më 17.
– Mirë shef, po ja përcjell Lulit, por ai prapë këmbëngul që do t’ia fusë Jozit, të flasë kundër saj.
– S’ka ç’i bën as zoti Jozit me ato marrina që ka thënë, i tha Flamuri. Ka vetëm një shans, të thotë ndonjë më të madhe se ato.
– Mirë shef, po ja them.
Luli mori mesazhin e Flamurit seriozisht dhe u ul po mendohej. Më në fund thirri kamerat.
– Unë jam këtu sot, në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha t’iu siguroj ju se kjo që po ndodh është vepër e Zotit, por ajo që do të bëj qeveria do të jetë një vepër më e madhe se Zoti. Ne do ta bëjmë Shkodrën si Venecia. Ky qytet pas hyrjes së liqenit brenda tij, ka perspektivën të shndërrohet në Venecia të Ballkanit dhe gjithë botës. Qeveria do porosisë gondola dhe aty ku kanë qenë “Pesë Heronjtë” do të ndërtojmë San Markon. Bumi turistik që pritet këtë vit do të jetë i paparë. Bashkë me heqjen e vizave shkodranët realizuan dhe ëndrrën për t’u bërë qytete bregdet dhe mund të nisen lirshëm pa viza në Itali. Në emër të qeverisë së kryeministrit Berisha ju premtojmë se qeveria ka marrë një vendim të brendshëm që gjithë pushimet verore të saj të bëhen në Shkodër, dhe zoti Berisha do të provojë të thyejë sërish rekordin e notit, duke shkuar Shkodër-Tiranë me not për 2 orë e 45 minuta.
Flamuri që po dëgjonte në celular fjalimin, shtangu.
– Pasha zotin, tha, as më shkonte mendja që ndonjë tjetër do thoshte marrëzira më shumë se Jozi. Po Lul-i mbetet Lul. Ja kaloi dhe kësaj radhe.
Flamuri dështon me skenarin e 8 Dhjetorit
Flamuri ka marrë përsipër të bëjë protokollin e festës së 8 Dhjetorit. Kjo ishte mënyra e vetme që të mblidhte dhe faturat për festën. Por problemet që i dolën aq papritur, ia nxinë jetën.
Duke qenë se e mori lehtë, desh t’u bënte ndonjë surprizë njerëzve të Partisë.
– Po e marr me radhë, tha, duke e filluar nga ai burri.
Kishte vendosur të bënte një skenar ku gjithë njerëzit më të rëndësishëm të pushtetit të deklaronin se si kishin qenë me studentët më 8 Dhjetor 1990.
E nisi me atë burrin.
“Sali Berisha më 8 Dhjetor në mbrëmje po shikonte televizorin, kur një komshi e njoftoi se diçka po ndodhte në Qytetin Studenti. Ai mbylli TV, mori pardesynë dhe doli jashtë. U nis me rrëmbim drejt Qytetit Studenti në këmbë, pa pyetur për shiun e ftohtë që kish nisur të binte…”
Këtu i duheshin disa detaje.
– Më mirë ta pyes vetë, tha. I bëri telefon.
– I duhet këtij skenaristit diçka për natën e 8 Dhjetorit, ku ke qenë ti dhe si ke vajtur tek studentët, e pyeti Flamuri.
– Nuk kam qenë në Shqipëri më 8 Dhjetor Flamur. Atë natë kam udhëtu nga Italia në Shqipëri. Jo, nuk kam qenë.
Flamuri ngeli me gisht në gojë.
– Po s’ka qenë ky, ç’më duhen të tjerët, tha me vete. Dhe i ra vizë fletës. Pastaj u pendua. Po vazhdoj me të tjerët, tha.
Vazhdoi me Ridvanin si njeriun më të afërt që ka.
“Ridvan Bode ishte në konviktin e tij në Universitetin Bujqësor në Kamzës. I sapoardhur nga Librazhdi në Institutin e Kamzës si pedagog i ri, Ridvani sapo mori vesh që studentët në Tiranë kanë dalë në rrugë, filloi të trokasë në dhomat fqinje që të zgjonte studentët pas-universitarë dhe pedagogët…”
Ngeci dhe këtu.
– Kë të pyes unë për Kamzën, tha, prit se do gjej njeri. Ju kujtua kryetari i Lëvizjes Studentore në Kamëz. E mori me siklet se nuk i kanë marrëdhëniet e mira, ngaqë e kanë degdisur në një zyrë pa rëndësi në një Ministri.
– Më shpjego pak, tha, si i ka mobilizuar studentët Ridvan Bode në Dhjetor 1990?
– Ta tregoj unë, i tha ai. Në mëngjes, kur ne e kishim ndarë mendjen që do niseshim për në Qytet Studenti, na thanë se ka një mbledhje aty tek këndi sportiv. Na thanë që janë mbledhë studentë dhe pedagogë. Shkuam dhe ne se menduam që do bëhej nisje e organizuar. Po ç’të shihnim. Në krye të tyre ishte Ridvani, të cilin ne nuk e njihnim. Po fliste me zë të lartë dhe tundte gishtin.
– Nuk shkelim ne mbi gjakun e dëshmorëve, thoshte, dhe mbi të mirat që na ka bërë partia. Pastaj ngriti një bust allçie që ishte aty dhe u nis në krye të studentëve pas-universitarë dhe disa pedagogëve duke shëtitur para gjithë godinave të studentëve.
– Çfarë thua mo burrë? Unë të them si u bashkua me ju, i tha Flamuri.
– A më pyete për ’90-ën, a për ‘95-ën, i tha Bislimi.
– Për ‘90-ën, i tha Flamuri.
– E më ‘90-ën ishte kështu siç thashë. Më ‘95-ën pastaj ia çoi Moza Vokshit Doktorit, na e bëri drejtor doganash dhe pas një viti ministër.
S’i doli gjë dhe kjo.
Filloi për Jozefinën. Nisi të shkruajë… “Jozefina Topalli ishte nga intelektualet e reja në Shkodër. Më 9 Dhjetor në mëngjes, ajo mësoi për protestën e studentëve në Tiranë dhe nuk shkoi më në punë. Duhet me organizu intelektualët në Shkodër, tha. Ata vijshin çdo natë tek shtëpia e saj dhe bëjshin biseda kundër komunizmit. Jozefina ishte mbrujtë nga ato biseda, shumë prej të cilave mund të gjenden dhe sot në arkivën e Degës së Brendshme në Shkodër. Të nesërmen Jozefina…”
Këtu ngeci. I duhej dikush me i thënë ndonjë fakt për Jozefinën.
Mori një themelues të vjetër të PD-së në Shkodër. Ja lexoi pjesën që kishte shkruar për Jozefinën dhe iu lut t’i thoshte diçka të re se donte t’i bënte një skenar për festën.
– Ça di unë çfarë ke shkru ti mor Flamur, i tha ai, por më 1990-ën Jozefina nuk ishte intelektuale se nuk kishte shkollë të lartë. Më pas e ka pasë marrë natën. Në atë kohë ishte tek Instituti i Misrit dhe Orizit si sekretare e Drejtorit.
– Po nuk ka qenë pro intelektualëve, tha Flamuri.
– S’di a pro a kundër ka kenë me menje të vet, veç nuk ka qenë intelektuale atëhere. Më pas asht ba, kur u punësu në universitet si kancelare. Dhe krejt Shkodra po e pëson prej kësaj punet se ata që i kanë vënë nota asaj janë ba krejt drejtora dhe ata që kanë marrë nota vetë janë krejt pa punë.
Flamuri ia mbylli telefonin. Nuk duronte dot gjëra të tilla. Ngeli keq. Dilema për të vazhduar më tej iu shua. S’kish më kuptim. Veten e vet po nuk e nxirrte dot si kryesor se ai në atë kohë kishte vetëm një ëndërr, të kalonte kufirin fshehurazi për në Kosovë, për të blerë speca.
E la me aq. I dërrmuar u shtri të flinte me shpresë se do shikonte ndonjë ëndërr që do t’ia hiqte mërzinë e skenarit të 8 Dhjetorit.
Flamuri diskuton me Fevzon për “protagonistët e Dhjetorit”
Flamuri u ul dje gjithë ditën në zyrë në përpjekje për të nxjerrë disa mesazhe nga intervista e Doktorit në TV Klan. E lexoi dhe stërlexoi disa herë, dhe me sa kuptoi me mendjen e tij mesazhi ishte shumë i qartë. Ai burri s’kishte për t’ia lënë partinë askujt përveç vajzës së tij. E lexoi dhe stërlexoi dhe një herë pjesën ku flitej për pjesëmarrjen e saj në Lëvizje të Dhjetorit. Ishte shumë e qartë. Ai burri tani po përpiqej të nxirrte Argitën studente të Dhjetorit. Flamuri filloi të numërojë me gishta vitet dhe i dilte që më 90-tën ajo të ishte nxënëse shkolle. Edhe Olldashi kështu kishte qenë. Edhe Luli po ashtu.
– Ç’më duhet mua të mendoj kaq thellë, tha. Po sikur të mos ketë qenë, kujt ja mban nga Universiteti të thotë që nuk ka qenë.
I entuziazmuar nga kjo gjë, Flamuri mori Fevziun në telefon.
– Kur do ta japësh atë filmin për Lëvizjen e Dhjetorit, tha.
– Sonte, i tha Fevzo. Po do të vish, eja. Po nuk ka vend në resht të parë. Se kam folë dhe me Doktorin, duhet një farë protokolli aty. Bile më tha dhe Lul Basha si t’ia bëj të jem aty, se e kam gjithë veshjen Hermes, por nuk e fusim dot. Se ai paska një ore Rolex, modë e vjetër nga ato të vitit 2007… Dhe më e bukura se më tha mua “kjo është ora më e shtrenjtë e 2010-ës”. Po ik o Lul, i thashë, se e di gjithë bota që është Patek Philippe më e shtrenjta. Shkon 11 milionë euro një mo burrë! Ka dhe një version me diamant 25 milionë.
– Epo kjo i bie sa tuneli i Elbasanit, tha Flamuri. Këtë s’e blen dot ai. Maksimumi nga ndonjë mbikalim merr lekë.
Fevziu, që bën sikur nuk i dëgjon këto, vazhdoi.
– Kam dhe Fatmir Mediun, dhe ai donte në rresht të parë. I thashë nuk ka vend, pastaj ai bëri dhe atë budallallëkun që tha atëherë “e kam orë të blerë false orën që bënte 25 mijë euro, dhe tani na prishi punë të gjithëve se s’na besojnë femrat që i kemi orët origjinale mo burrë.
– Po ai legeni, pse donte në rresht të parë, për orën?
– Jo mo burrë, se ma sqaroi pastaj se ai është bërë maniak këpucësh. Kishte një alamet ore Louis Moinet, që shkon dhe 800 mijë euro, po atij s’i besohet më se i ka fallco. Paska blerë një palë këpucë “Testoni” që bëjnë 1500 dollarë. Janë shumë të mira në fakt, po unë e kam numrin 42 e gjysmë dhe e kam pak këmbën e gjerë, ndaj s’i marr ato. I thashë dhe Fatmirit merr “Berluti” se janë pak më të shtrenjta, 1800 dollarë, po ka dhe me ngjyra. Ja, kam marr unë këto të kuqet, janë shumë të mira. Po më e forta e di çfarë qe? Ai paskësh blerë një palë “Testoni” dhe në fakt mendonte se kishte blerë “Cleverley”. Se si mund të ngatërrojë njeriu këto dy marka, vetëm ai e di. Po e sqaroi Doktori pastaj. Më tha, mos u lodh se ky nuk i blen vetë, ia blejnë këpucët.
– O Fevzo, se unë të mora për gjë tjetër, jo për këpucë dhe ora?
– Po hë mo burrë, ça kishe, thashë se doje të rrije në vend të parë.
– Jo mo burrë, por ti e pe dhe tek intervista, Doktori la si mesazh që t’i lërë partinë vajzës. Ai e caktoi që ajo ishte pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit. E ke futur gjëkundi në film ti apo jo?
– S’e di Flamur të them të drejtën se unë nuk merrem vetë me filmin. Kam producentin dhe atë sekretaren që zbardh ndonjë tekst. Unë i hedh një sy në fund, po jo me shumë mendje se në fakt nuk dua të ngatërrohem se të çajnë kokën njerëzit. S’e kam parë me vëmendje në fakt nëse është apo jo…
– Po shiko fute gjëkundi se s’u bë qameti mo burrë. Le të jetë atje. E di vetë ti si e bën. E gjen një mënyrë elegante se je e madh.
– Po mo, patjetër e shikoj, por për sonte nuk bëhet gjë. Ta shikoj në ritransmetim. E rregullojmë, e fusim vetëm në arkiv. Se më tha dhe ajo që do vijë sonte. Ka filluar e vishet shumë mirë. Duket shumë e mirë vërtet tani. Më thanë që gjithë veshjet i blen në Londër tek Harrods. Është dyqani më i shtrenjtë mo burrë në Londër. Sa herë shkoj aty, pa dhjetë mijë paund shopping nuk dal dot. Po gjen dhe fustane të lirë nga 500 paund, po ajo i ka të mirë.
– Po lëre mo burrë fustanin se nuk na hyn në punë. Nxirre me fustan basmë po deshe, po vetëm të duket që ka qenë në 90-tën bashkë me studentët.
– Po ka qenë ajo mo burrë se e mbaj mend unë, se kur erdhi Doktori në Qytet Studenti atëherë tha kam dhe vajzën këtu me vete, se bëhen merak nga shtëpia.
– Nuk e di unë vëlla si do ta bësh ti, por unë e dua në film. Fatmir Mediun e Lul Bashën, në daç futi, në dac mos i fut, po kjo duhet. Se është dhe turp i Zotit. Të kenë dosje në prokurori dhe të mos jenë në filmin tënd si heronj, s’ka ku të rrijë kjo.
Sandri, udhëzime për zgjedhjet në Kosovë
Sandri kishte kohë që kishte marrë përsipër menaxhimin e zgjedhjeve në Kosovë. Nuk është se duhej shumë punë për këtë, pasi thjesht do t’u kujtonte mënyrën se si bëhen zgjedhjet në Shqipëri. Për të ruajtur konspiracionin, i kërkoi qeverisë t’i caktojë një person me të cilin do të komunikojë.
– Po mirë, ja fol me këtë Vlorën, i tha Hashimi.
– Po çfarë Vlore, të q… Vlorën, më sill ndonjë njeri të hairit!
– Si bre po flet kështu për qytetin e Flamurit, i tha Hashimi.
– Jo mo burrë, s’e kam për atë, por s’flas dot në telefon me femra që s’i njoh mirë se keqkuptohen. E kam fjalorin e rëndë.
– Ani, dhe ne të rëndë e kena gjuhën, bën me folë me të, pse jo?
– Po mirë, po flas me Vlorën, i tha.
Pas pak e lidhën me Vlorën.
– Si je figurë, dritë je kur del në TV. Si po shkojnë punët?
– Ç’ka bën dritë figura, s’të kuptova ç’ka the, i tha Vlora.
– Ah, le se u morëm vesh. Dëgjo se do flas me thjesht.
– A po a? Mirë, nisja!
– Të dielën duhet punu fort me Gani Bobin. Patjetër! Fol me Zenin dhe mos bëj pazar se ia kam marrë unë çmimin. M’i kaloni mua lekët. Duhet me e nxjerrë dhjetë për qind para LDK-së.
– Po shumë bre?
– Hajt se zbutet rrugës, por aq duhet me e nisë që të bjerë zia aty.
– A thu e bëjnë ata?
– Po çfarë ata, kaloni pagesën tek unë se e ndreq unë atë punë. Tani dëgjo me kujdes! Sapo të mbarojë sondazhi, duhet të keni gati 20 deri 30 makina me flamuj të PDK-së dhe foto të Hashimit me dalë në shesh me nisë demonstrimin. Nëse nuk ka përgjigje nga LDK, duhet me shku para selisë së tyre.
– Ani mirë, po mos ndodh diçka bre?
– Po kujt i plasi trapi ça ndodh, bëj kështu si të them unë.
– Ani mirë, po shkruj dhe këtë.
– Pastaj duhet të mblidheni tek sheshi para partisë me nisë festën. Hashimi duhet të dalë e të mbajë fjalim një orë.
– Ku, ku, ç’ka me thanë njeri një orë, ai ka folë krejt fushatën?
– Jo, duhet të flasë ndryshe. Si Doktori. Të flas për demokratët e Kosovës, për ëndrrën evropiane, për vizat, për hyrjen në NATO, për të gjitha këto. Ç’ke ti, mos u mërzit se ua bëj unë spotet për këto se i kam gati nga këtu.
– Ashtu a? Po mirë, po e shkruj dhe qita.
– Pastaj ne do fillojmë një debat në Klan Kosova dhe do merremi me sondazhin, jo ishte real, jo s’ishte dhe kështu dëshpërohen partitë e tjera. Duhet me fajësu atë Isë Mustafën për trazira nëse nuk i tërheq njerëzit e vet nga rruga.
– Ani mirë, e ç’ka bëhet pastaj, kur të numërohen votat?
– Shtyjeni numërimin. Jo ditën e parë. Të bëhet fakt i kryer procesi, të flasin një herë dhe ndërkombëtarët, të legjitimohet fitorja e shpallur, pastaj nis numërimi.
– E ç’ka nëse del ndryshe?
– S’ka si del ndryshe se ndërkohë komisionerët e tjerë e kanë lënë punën krejt, këta tuajt janë fuqizuar se janë fitimtarë dhe bëhet dhe ndonjë pazar i vogël.
– Ku, ku, po më vjen marrë bre, me na kapë është keq fort se unë takoj dhe të huajt.
– Mos e rruaj për ta, se ata si t’u sillesh mirë, të vënë përpara. Po u ktheve me arrogancë, ulin kokën.
– Jo bre se kam taku këtë Doris Pack sot dhe mu duk zonjë grua.
– Çfarë zonje është ajo, mos e ha atë kokërr ulliri. A e di ç’i ka bërë Jozefina asaj në Bruksel apo jo? Tri herë ia ka dhënë dorën Doris Pack, asnjëherë s’ia ka zgjatë kjo, ia ka lënë varë. E ka çmendë. Dhe tani rri si pulë para Jozefinës. Ashtu duhet t’ia bëni dhe ju.
– Ku, ku, po na vjen marre bre, veç duhet me ba diçka, ndryshe humbasim.
– Mbaji shënim këto dhe s’keni për të humbë. Dhe mos harro, kalojini pak ato paret e Gani Bobit përmes nesh që të mos merret vesh.
Jozi i tregon Flamurit sëmundjen e Dik Martit
Flamuri kishte mbetur i mahnitur nga deklarata e Jozit se Dik Marti duhet të ekzaminohet nga ana psiqike dhe i kishte propozuar Këshillit të Evropës të ngrihej një komision mjeko- ligjor për të. Sapo mori vesh që Jozi shkoi në zyrë, ia behu tek dera e saj.
– Të përshëndes për atë deklaratën d.m.th, ja ke bërë aq mirë atij plehrës se e meritonte. Shiko d.m.th ke bërë një gjë që e çmojmë shumë. Më tha dhe ai burri d.m.th, ia ke bërë shumë mirë.
– Po si mos me ja ba mor Flamur, pse këta plehra do durojmë ne me na sha…
– Mirë ja bërë, bravo. Shiko, ke bërë një gjë të madhe shumë ë, të falenderoj për këtë. Pa më thuaj si shkoi takimi me të atëherë kur e takove?
– Ca me të thënë mor Flamur. Ja po ta diftoj. Unë hyna brenda. Në momente qetësie ai filloi të bënte lëvizje të panevojshme. Fërkonte ballin, fytyrën, fuste grushtat në flokë, fuste e nxirrte duart nga xhepat, fuste e nxirrte stilolapsin, shfletonte dhe shkarraviste pa qene nevoja, merrej me kopsat e gjithë veshjeve, mbërthente e zbërthente kopsat e xhaketës, ça me të thanë.
– Haha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk o afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot, vetëm në këtë pjesë.
– E ça me të thanë mor Flamur. Kishte një vështrim që si qëndronte asgjëkundi, hetonte përreth sikur të kërcënohej nga ndonjë rrezik, bëhej autoritar më shumë se ç’e lyp nevoja, bërtiste pa qenë nevoja, nevrikosej kot së koti dhe as ai vetë s’e kuptonte shkakun…
– Haha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot vetëm në këtë pjesë.
– Jo mor Flamur prit të dëftoj. Ai abuzon me ata që ka nën vete duke i terrorizuar me sjelljen e tij, më kanë thënë vartësit e tij mor Flamur që asht i paqëndrueshëm dhe i paparishikueshëm, hidhet sa nga njëra ide tek tjetra, entuziazmohet nga idetë e tij, qesh me shakatë e tij mor Flamur, është njeri kot fare. Hahahaha.
– Haha, tamam si ai burri kur….
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot, vetëm në këtë pjesë.
– Jo mor Flamur, por atij i duken gjeniale dhe pas një gjysme ore mund t’i braktisë ato duke u hedhur me të njëjtin entuziazëm tek një ide tjetër që mund të jetë po aq e marrë sa e para. Ka një vështrim të shpërqëndruar, bebëzat e syve nuk i shkojnë në një vend, por shikojnë njëra andej, tjetra këndej, shkumbëzon prej inatit edhe kur s’ka asgjë me justifku atë lloj inati. Nxjerr prej fjalorit fjalë që kurrë s’do t’i kishte thënë në përshtatje me shkollimin, rëndësinë e postit, shpesh fjalitë kanë një sfond të ndyrë seksual ose gjëra të tjera që i ndalon edukata normale, kënaqet me këtë shfrim idesh dhe shkelje kufijsh të ndaluar prej normave të shoqërisë….
– Haha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot vetëm në këtë pjesë.
– Po ai hedh në treg ide të çmendura mor Flamur, që në një moment tjetër do ta bënin të skuqej. Po ai len fjalët gjysëm mor Flamur, pa e përfunduar mirë të parën edhe pa e ngacmuar kush mendimin, hidhet tek fjalia tjetër, ka një lumë fjalish që i mpleksen keq me njëra- tjetrën duke krijuar një përrua shpesh të pakuptimtë për ata që dëgjojnë mor Flamur.
– Haha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot vetëm në këtë pjesë.
– Po jo mor Flamur se ai bën veprime tinzare, të fshehta, jo pse trembet t’i bëjë ballas apo i vjen turp, por si pasojë e ndjenjës së nënshtrimit dhe të frustrimit që mund të ketë kaluar në jetë i duket se ja merr hakun shoqërisë duke ia futur pas krahëve, është i pabesë dhe bizar duke u krahasuar në literaturë psikiatrike me qenin që kafshon të zotin. Ka ide delirante se është njeri i madh, i talentuar, Mesi që e ka dërguar Zoti në tokë dhe çuditet se si do të kishte bërë shoqëria në mungesë të tij, i duket vetja i përjetshëm, i pavdekshëm dhe që i di të gjitha, ka nevojë gjithnjë për njerëz që t’i ketë nën vete dhe t’i poshtërojë, kjo e kënaq deri në orgazmë, përkundrazi është i paskrupullt me atë që guxon ta kundërshtojë dhe kërkon që ta shohë të varrosur ose ta nxjerrë nga varri sepse hakmarrja e tij është makabre dhe nuk përputhet asnjëherë me shkallën e fajit të atij që e pëson, është narcizist, mendon vetëm për veten dhe për të është gati të sakrifikoje edhe njerëzit më të shtrenjtë po qe nevoja.
– Hahaha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot vetëm në këtë pjesë.
– Nejse Flamur, ça me të thanë ma, ai Dik Marti pamvarsisht dukjes së vrazhdë, në thelb është frikacak, tërhiqet si kone porsa ndjen rrezikun dhe është gati të puthe çdo dorë, që nuk e kafshon dot, por inati i grumbulluar brenda qenies së tij vetëm mahiset si plagë e qelbëzuar dhe s’dihet ku derdhet duke ndotur ambientin përreth. Ça me të thanë mor Flamur …
– Haha, tamam si ai burri kur bëhet nervoz.
– Jo mor Flamur se nuk i afrohet as tek maja e thoit atij ai plehën.
– Jo, jo, thashë kot vetëm në këtë pjesë.
– Po mor Flamur, po, por ke gjithë kohën që më thu tamam si Doktori. Unë po të diftoj për Dik Martin, jo për Doktorin.
– Po, po, e di, e di që po flet për atë pisin, po më kujtohej herë pas here ai burri. Jo, jo, nuk është i çmenduri ai burri, as që diskutohet. Thjesht ti flisje dhe unë s’kisha kë të përfytyroja se s’e kam taku atë plehrën asnjëherë dhe më kujtohej ai burri.
Comments are closed.
Kryevepra te humorit demokratik,konkurence prestigioze me veprat e Dritero Agollit.Ju lumte!
haaaaaaaaaaaaaa u shkriva fare
I lumte pena dhe mendja! Sidomos i goditur skeci per talibane dhe salibane, po ne, mileti, kur do te marrim vesh xhanem?
….dhe dhelpra kur nuk i arinte dot rushte qe donte te hane tha: “nuk bejne, jane te kalbur e nuk jane per te ngrene” megjithese rrushi skuqte apo zverdhte atje lart, lart mbi dege!
Sa u kenaqem edhe kete vit te ri nga programet e televizionit klan. Po se mos vetem ne ditet e viti te ri. Kenaqemi gjith vitin me programet e bukura te TV Klanit.
Ndersa ju vazhdoni e shikoni rrushin e bere lart ne dege qe meqenese nuk e arini dot, kenaqeni me ca shkrime bajate te meros te bazes.
Ku Tv Klan e ku gazeta me 20 kopje ne dite e meros! Njeri eshte teper teper lart e tjetra(gazeta) eshte shume poshte dhe ben vetem per te fshire.
O Mero, nuk e di pse ky Flamuri me ngjan shume me ty. Me nje ndryshim te vetem qe ai arriti te behej deputet, ndersa ti ngele vec i Mero-sur.
Urime mozi, urime per kete fraze te shkurter qe permbledh e pasqyron me se miri personalitetin e meros.
Meroja kujton se po ardhi PS ne pushtet do ta bejne deputet apo do t’ja bejne detin kos qe ai(meroja) te sterngopet.Po nuk e di diteziu se ai eshte vetem nje vegel, me nje perdorim!