Flamuri mezi e pret Vitin e Ri për shkak të SMS-ve që duhet të nisë Doktori. SMS-të i nis sekretarja e Doktorit dhe Flamuri ka dy vjet që ka arritur të marr listën e telefonave që Doktori u nis SMS. Ka mes tyre njerëz të rëndësishëm të pushtetit, por dhe qindra militantë të PD-së, biznesmenë apo drejtues lokal pa shumë rëndësi që e mbajnë SMS-në e tij të pafshirë gjithë vitin dhe mbarojnë punë me të në ndonjë zyrë të shtetit. Sivjet Flamuri po vriste mendjen si ta kapitalizonte këtë listë. Dhe më në fund i shkreptiu diçka në tru. Hodhi me shpejtësi gjithë listën e telefonave në telefonin e tij dhe filloi të bëjë përzgjedhjen. Selektoi një herë gjithë biznesmenët e listës, pastaj rreth 100 drejtues lokal dhe shumë militantë të PD-së, të cilët nuk kanë mundësi të kontaktojnë me Doktorin. Bëri gati tekstin që do tu niste atyre:
“I nderuar Mik. Bisedova me Kryeministrin Berisha dhe ju njoftoj se ai është i lumtur t’iu dërgojë pas pak një SMS për t’iu uruar gëzuar Vitin e Ri. Ai më porositi t’ju përgëzoj për kontributin që keni dhënë për Partinë Demokratike dhe qeverinë e saj. Flamuri.”
Teksti ishte perfekt. Plani ishte i qartë. Një orë para se Sekretarja e Doktorit të fillonte dërgimin e SMS-ve, Flamuri do t’i niste listës së përzgjedhur të tij tekstin e mësipërm, që përkthehej në një farë mënyre që Doktori po u dërgon SMS se i thashë unë që t’ua dërgojë.
Kështu dhe u bë. Një orë para se Sekretarja e Doktorit të niste SMS-të, Flamuri nisi mesazhin e tij. Pas orës 12 të natës filluan reagimet pa fund. Qindra militantë falenderonin nga zemra Flamurin që ia kishte çuar në mendje Doktorit të Madh tu çonte SMS për Vitin e Ri. Ata i premtonin Flamurit besnikëri dhe përkushtim në fushatën e re që po afron. Më pas vinin dhjetëra biznesmenë që: “Nuk do t’ia harronin kurrë këtë nder” që u kishte bërë, duke i bërë miq të Doktorit të Madh. Pastaj me radhë drejtues komunash dhe bashkish, apo drejtues të PD në rrethe që e falenderonin nga zemra.
Flamuri u bë kështu zyrtari i PD-së që mori më shumë sms nga populli. Këtë po ja tregonte të nesërmen e Vitit të Ri Jozefinës.
– Shiko, i tha. Kam 2 mijë SMS nga militantë, biznesmenë dhe njerëz të degëve të PD-së në rrethe që më urojnë…
– Si the, 2 mijë ti? Po çfarë kekan këta mor Flamur që po të nisin ty SMS e s’po na nisin ne të tjerëve?
– Nuk e di Jozi, po ngado që shkoj më thonë më mirë që u bë kështu ky organizimi i ri i PD-së, pa kryesi dhe pa nënkryetarë, vetëm Doktori, unë dhe elektorati…
– Çfarë thu mo? Keke ti i dyti pas Doktorit dhe s’paska ma kryesi e nënkryetarë?
– Kështu është realisht, i tha Flamuri. Kuvendi është bërë më 2009ë-n, jemi më 2011-ën tani dhe akoma nuk është zgjedhë as kryesia, as nënkryetarët, as Sekretari i Përgjithshëm. Dhe puna ka ecë më mirë. Ai burri e la për provë. Tani që doli më mirë, s’ka ndërmend të merret më me formalitete të tilla.
– Po si mar Flamur s’do zgjedhë ma kryesi? E unë çfarë do quhem tash e tutje?
– Kryetare Parlamenti, s’ke punë në PD.
– E kush paska punë me PD-në sipas teje?
– Ai burri i pari, dhe unë që çoj urdhrat e tij në bazë. S’ka nevojë për gjë tjetër. Ja, shiko mesazhet. Pse nuk të çojnë ty, Ridvanit apo Patozit, por vetëm mua…? Kjo do të thotë që njerëzit e kanë kuptuar si duhet të funksionojë PD tani e tutje. Ja, shikoji SMS-të. Ja tregova dhe Ridvanit, po ai nuk foli fare. Ik o Flamur, më tha, se unë s’kam leka për rrogat, ti më tregon SMS-ra.
– Nuk di ç’ka janë ato SMS e tua, por di me ta thanë se ai burri nuk din gja fare për këto sende. Me e marr vesht ai, që njerëzit të falenderojnë ty e jo atë për urimet e Vitit të Ri, ta bën fytyrën zi si kpuca, mos me e marre vedin. I kaq të them unë.
– Jo, shiko, nuk është se më urojnë vetëm mua. Dhe atë e urojnë. Po e kam fjalën që unë dhe ai marrim më shumë urime. Ja, unë shkova i krahasova tek Sekretaria e Doktorit numrat që më kanë dërguar SMS, janë gjithë numrat që u ka dërgu Doktori SMS. Kjo ka një kuptim apo jo? Nuk thashë që nuk e duan atë burrin, por pas atij burri më duan mua më shumë…
– Hec mor Flamur me këto budallaqe, ta po del dhe Lul Basha të thotë që pas atij burrit mua më duan më shumë, po kurrkush nuk e do. Po sidoqoftë, mbaje këtë listë se ndoshta na duhet kur të vendosë ai plehna kandidaturën për Bashkinë me ua çu një SMS, duke ua kujtu se boll keni kontribu për PD. Këtë radhë vota juaj nuk na duhet se kena boll. Jepjani ndonjë partie tjetër. Duhet me ja bë atij plehne, të shikojë ku do shkojë pastaj. E mos ja tregu kujt se je i dyti pas Doktorit se është marre. Veç listën ruje se do na duhet me e qitë për zhelesh jashtë PD-së atë plehën.
Comments are closed.
FLAMURI DO KERKOJE KOMISION PARLAMENTAR PER SHENDETIN MENDOR TE DOKTORIT
O Mero shum te zgjut po e qet ket Mulin, mor burr.